E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Sllovenia do të ratifikojë NATO-n



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, njoftoi dje se ka marrë garanci nga homologu i saj slloven se Kuvendi i Sllovenisë do të ratifikojë Protokollin e Anëtarësimit të NATO-s me Shqipërinë. Ajo konfirmoi një bisedë telefonike me kryetarin e Parlamentit të Sllovenisë, z. Pavel Ganda, i cili i ka pohuar se s’ka asnjë arsye për të pasur shqetësim. “Nuk ekziston asnjë problem, pasi tri ditë përpara, të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare e kanë mbështetur votimin e Protokollit të NATO-s mes Shqipërisë dhe kësaj Aleance; dhe unë besoj se të hënën në një votim të shkurtër, që kërkon dy të tretat e votës së deputetëve të këtij Parlamenti, do të votohet Protokolli. Gjithsesi, javën e ardhshme është e sigurt. Z. Pavel Ganda më tha se me shumë probabilitet, të hënën do bëhet ky votim”, - tha Topalli. Deklarata e kryeparlamentares erdhi në konferencën e përbashkët për shtyp që ajo dha me kryetarin e Kuvendit të Suedisë, Per Uesterberg. Kryeparlamentari suedez vjen për të parën herë në Shqipëri dhe do të qëndrojë tri ditë ku do të takohet me personalitet më të larta. Gjatë takimit me kryeparlamentaren Topalli, ai garantoi për mbështetje ndaj Shqipërisë. Suedia do të marrë presidencën e radhës pas qershorit të BE-së. “Kemi shumë emigrantë që vijnë vendin tonë nga rajoni dhe që janë të mirëpritur nga shoqëria suedeze. Ne kemi qenë aktivë në zgjidhjen e problemeve të Ballkanit, ku trupat suedeze janë prezent në Kosovë në kuadër të kontigjentit ushtarak të Kombeve të Bashkuara dhe në Bosnje. Ne jemi aktivë në përgatitjen e procesit të zgjerimit të BE-së, por zgjerimi i unionit do të thotë plotësim i standardeve që i kërkohet çdo vendi për të qenë pjesëmarrës. Dhe unë mendoj se Shqipëria, si një vend evropian, duhet të jetë pjesëtare e BE-së, kur të ketë përmbushur kërkesat”, - tha kryetari i Kuvendit të Suedisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›