Gjata: Zgjedhjet, sfidat e KQZ-së së re
Zgjedhjet e reja parlamentare të 28 qershorit janë sfida e Komisionit të ri Zgjedhor. Kështu pohoi dje ish-kryetari Çlirim Gjata, teksa uroi dje punën e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Gjata u shpreh optimist në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme. Ai tha se për herë të parë do të realizohen zgjedhje tërësisht të lira dhe të ndershme, një ëndërr që sipas Gjatës, e ka pasur çdo anëtar i këtij Komisioni. “Përpara kanë një proces zgjedhor goxha të ndërlikuar, jo pa telashe, dhe kohën përsëri nuk e kanë në favor, si gjithmonë. Por le të shpresojmë që kësaj radhe më në fund të arrihen zgjedhje të lira dhe të ndershme, konform standardeve ndërkombëtare. Unë uroj që ky Komision ta realizojë atë që çdo anëtar e ka pasur një ëndërr, që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme. Unë uroj që kryetari dhe KQZ-ja e re të realizojnë të parat zgjedhje tërësisht të lira dhe të ndershme konform çdo kërkese. Dëshiroj të falënderoj edhe stafin e KQZ-së”, - tha Gjata.