E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Plani i Edi Ramës për të rritur taksat do të shkaktojë papunësi”

04-04-2013 / Gazeta 55

Reagon deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani

Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani ka dalë në një konferencë për mediat nga selia e kuvendit të Shqipërisë në lidhje me deklaratat e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama.
Në deklaratën e tij, Bogdani u shpreh se, “sot Rama vijoi me sulmet absurde nga salloni ngjyrë mavi nëpërmjet zëdhënëses së tij”.
Sipas tij faktet janë këto, “papunësia është ulur, të ardhurat që përfitojnë të papunët janë rritur, sikurse dhe të ardhurat suplementare për familjet në nevojë, janë rritur me gati 70 për qind. Të papunët dhe familjet në nevojë përfitojnë më shumë shërbime pa pagesë, duke përfshirë shërbime shëndetësore, apo libra pa pagesë për fëmijët e tyre. Sipas Bankës Botërore varfëria në Shqipëri është ulur me 33 për qind. Por, ne e dimë që mënyra e vërtetë për të ulur varfërinë është duke krijuar punësim dhe punësim me pagesa me të mira”.
Kësisoj, Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani theksoi se kjo është edhe arsyeja se pse kemi investuar duke rritur me 40 për qind trajnimin për kualifikime dhe kemi investuar në rrugë, në projekte infrastrukture që kanë punësuar mbi 58,000 Shqiptare në vit.
“Kjo është edhe arsyeja që kemi mbi dyfishuar rrogat për mësuesit, mjekët, infermierët dhe policinë dhe pse kemi dyfishuar pagesën minimale. Kjo është arsyeja se pse kemi ulur taksat dhe nëpërmjet taksës së sheshtë kemi lejuar biznesin që të zgjerohet dhe sot, numri i bizneseve të vogla është rritur me 50 për qind dhe numri i bizneseve të mesme në Shqipëri është rritur me 150 për qind”, vijoi ai.
Ndër të tjera, Bogdani nënvizoi se “vendimet që kemi marrë kanë krijuar vende pune dhe kanë sjellë më shumë të ardhura për xhepat e qytetarëve. Dhe ne e dimë që kemi akoma punë për të bërë. Edi Rama ka një përqasje ndryshe. Javën e kaluar ai i detyroi deputetët e tij të votojnë kundër heqjes së taksës për Shqiptarët që fitojnë deri në 30,000 lek në muaj. Si i ndihmon ky vendim 220,000 qytetarë shqiptarë duke u hequr para nga xhepi?”.
Në përfundim deputeti i PD nënvizoi se plani i Ramës për të rritur taksat do të shkaktojë papunësi dhe ai ka vërtetuar se është një mace e zezë për biznesin dhe punëkrijuesit në vend. “Qytetarët e dinë që Partia Demokratike ka punuar dhe vazhdon të punojë fort për krijimin e vendeve të reja të punës, punë me paga me të mira dhe ti mundësojë qytetarëve që të kenë më shumë para në xhepat e tyre dhe për familjet e tyre”, përfundoi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›