E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani i Obamas për vitin 2012

Argumenti më i fuqishëm, të cilin tani presidenti amerikan, Barack Obama mund ta paraqet para votuesve në zgjedhjet e vitit 2012, është: nëse nuk votoni për mua, gjendja mund dhe do të jetë shumë më e keqe. Kjo është e vërtetë dhe frika zakonisht është një motivuese e mirë në politikë. Por megjithatë, kjo nuk është ajo që kërkojnë njerëzit dhe duket e pashmangshme se një përqindje e demokratëve më besnikë do të qëndrojnë në shtëpi ditën e zgjedhjeve. Nga Express më 04 korrik 2011 në ora 08:36

Ishte ky një moment i rrallë për Barack Obaman. Gjatë një tubimi për mbledhjen e donacioneve në Miami, nga mesi i qershorit, presidenti amerikan e pranoi se nuk është aq i qetë, sa ishte në vitin 2008. Ringjallja e entuziazmit të afro-amerikanëve, liberalëve të bardhë dhe të edukuar, hispanikëve, të rinjve dhe anëtarëve të unioneve-anëtarët më besnikë dhe më progresive të Partisë Demokratike-do të jetë një sfidë tejet e madhe. Pas të gjithave, presidenti i parë afro-amerikan mund të zgjidhet vetëm një herë dhe tri vitet e fundit kanë dëshpëruar tej mase shumë liberalë.

“Njoh shumë njerëz, të cilët kanë punuar me zell në vitin 2008. Ata po qarkullojnë përreth si lopë, të cilat janë goditur me armë ndërmjet syve. Nuk është dashur të jetë kështu”, thotë Hodding Carter, këshilltar i ish-presidentit të fundit me një mandat, Jimmy Carterit dhe tani profesor në Universitetin e Karolinës Veriore.

Obama dhe njerëzit e tij kanë dëgjuar shumë shpesh fjalë të tilla, sa që ata tani as që po ndiejnë më vetën të fyer. Megjithatë, shefi i shtabit për rizgjedhjen e Obamës përmend disa të arritura: reformat e sistemit shëndetësor, shfuqizimin e motos “mos pyet, mos rrëfe”, reformat financiare, reduktimin e forcave në Irak. “A i jemi përmbajtur gjërave, të cilat i ka përmendur presidenti kur ka kandiduar? Ekziston një listë e gjatë e gjërave që i kemi thënë dhe të cilat i kemi bërë”, thekson Axelrod.

Është kjo një listë solide. Por e kemi edhe faktin e pamohueshëm se SHBA-ja nuk ka lëvizur në një drejtim më liberal dhe ekziston besimi në mesin e progresistëve se Obama kurrë nuk do të zhvillojë beteja të ashpra për idealet liberale. I pyetur për gjendjen aktuale, Justin Ruben, drejtor ekzekutiv i MoveOn.org, pesë milionë anëtarët e së cilës organizatë duhet të mobilizohen, nëse Obama dëshiron të rizgjidhet, ai ofroi disa variante të ndryshme. “Njerëzit duhet ta kenë bindjen se presidenti dhe demokratët do të luftojnë vërtetë për ta”, theksoi Ruben.

“Që nga fillimi i kandidaturës së tij në vitin 2007, Obama është munduar që të ofrojë argumente ngadhënjimtare ekonomike. Por ky opsion nuk është më i qëndrueshëm në vitin 2012”, theksoi Simon Rosemberg, kryetar i organizatës NDN, me seli në Washington.

Kësaj radhe, faktorët dominues në zgjedhje nuk do të jenë shpresa dhe ndryshimet.
Wake County, N.C.; Arapahoe County, Colo.; Franklin County, Ohio—janë këto qarqe në të cilat dominojnë demokratët. Por gjithashtu bëhet fjalë për qarqe të luhatshme, në të cilat presidenti ka nevojë për një numër të madh të votave, për shkak të pjesëmarrjes së madhe të supozuar të konservatorëve në pjesët tjera të këtyre shteteve. Dhe bëhet fjalë gjithashtu për qarqe, të cilat së fundi janë shndërruar në bazë të demokratëve, për shkak të ndryshimeve demografike.

“Shumica e Obamas në këto qarqe nuk është e sigurt. Ai duhet të bëjë përpjekje të mëdha për të mobilizuar votuesit në këto qarqe, për të siguruar epërsinë, e cila i nevojitet për të fituar shtetet e luhatshme, siç janë Ohio, Kolorado dhe Karolina Veriore”, thotë eksperti politik, Tuy Teixeira
.
Në Wake County gjendet edhe Raleigh, kryeqyteti i Karolinës Veriore. Në vitin 2000, Bushi e fitoi këtë shtet me një epërsi prej 7 për qind, ndërsa në vitin 2004, në garën kundër kandidatit demokrat, John Kerry, e fitoi me një epërsi prej vetëm dy për qind, shenjë kjo se demografia në këtë rajon ka ndryshuar. Në vitin 2008, Obama fitoi në këtë qark me një epërsi prej 15 për qind dhe atë për shkak të pakënaqësisë së votuesve me politikat e republikanëve.

Mack Paul, udhëheqës i demokratëve në Wake County, beson se shtimi i popullatës ka ndikuar që demokratët të kenë në zgjedhjet e ardhshme më shumë vota se në vitin 2008 dhe ai insiston:”Më shumë hidhërim është drejtuar nga demokratët, të cilët nuk e mbështesin presidentin.

Arapahoe County, në afërsi të Denverit, në listat e votuesve demokratët kanë kaluar republikanët. Në dekadën e fundit, popullata latine e këtij qarku pothuajse është dyfishuar. Por Olivia Mendoza, kryesuese e organizatës Colorado Latino Forum, thotë se latinët tani janë të pakënaqur me politikat e Obamas.

Argumenti më i fuqishëm, të cilin tani Obama mund ta paraqet para votuesve, është: nëse nuk votoni për mua, gjendja mund dhe do të jetë shumë më e keqe. Kjo është e vërtetë dhe frika zakonisht është një motivuese e mirë në politikë. Por megjithatë, kjo nuk është ajo që kërkojnë njerëzit dhe duket e pashmangshme se një përqindje e demokratëve më besnikë do të qëndrojnë në shtëpi ditën e zgjedhjeve. Në këto qarqe dhe në qarqet tjera si këto, përqindja do ta bëjë dallimin mes rizgjedhjes dhe pensionimit. (Newsweek)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›