Kartat, Balla: Qeveria shmang komisionin “Ad hoc”
PS kërkoi dje publikisht që qeveria nga nesër të miratojë ngritjen e Komisionit Parlamentar Ad-Hoc për Monitorimin e Procesit të Përgatitjes për Zgjedhje. Deputeti socialist Taulant Balla, nëpërmjet një konference për shtyp, kërkoi që Komisioni ad hoc të drejtohet nga opozita. Partia Socialiste është e mendimit, se mos ngritja në kohë e komisionit parlamentar të monitorimit për këtë proces, i heq të vetmen mundësi efektive opozitës, për të pasur akses dhe informacion. Në këtë kuadër, Balla kërkoi që qeveria Berisha “Të miratojë që nesër ngritjen e Komisionit Parlamentar ad-hoc për Monitorimin e Procesit të Përgatitjes për Zgjedhje dhe drejtimin e tij nga opozita, si mundësi reale për të garantuar transparencën e kërkuar në procesin zgjedhor”.
Balla vuri në dukje gjithashtu se zgjedhjet rrezikohen edhe nga procesi i ngadaltë i shpërndarjes së kartave të identitetit.
“Sot, 40 ditë nga dita e njoftimit për fillimin e procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit dhe 126 ditë deri në ditën e zgjedhjeve, konstatojmë me shqetësim të madh, se ky proces vazhdon të mbahet i bllokuar në pjesën më të madhe të njësive vendore të vendit”. Në këtë pikë Balla tha se “Ne sot, akuzojmë drejtpërdrejt Sali Berishën, si përgjegjësin kryesor politik e ligjor për sabotimin e këtij procesi. Ne vërejmë me shqetësim, se është Kryeministri ai që po pengon këtë proces në mënyrë të qëllimshme, për të rikthyer ëndrrën e tij të votimit me certifikatat që ai i ka shumë për zemër”.