Plani i dialogut për veriun më 10 shtator

Borislav Steafanoviå dhe Edita Tahiri, kreret e ekipeve negociatore te Serbise dhe Kosoves / Foto arkiv
Qeveria e Kosovës do të shfrytëzojë prezencën e përfaqësuesve të 25 shteteve anëtare të Grupit Ndërkombëtar Drejtues për të prezantuar planin e dialogut për veriun e Kosovës. Dialogu pritet të nisë disa ditë më vonë.
Si rezultat i prezantimit të planit, shtetet që mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe që janë pjesë e GND-së do të marrin vendim për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë.
Në këtë mënyrë, qeveria e Kosovës do të plotësojë edhe një kriter të kërkuar në Raportin e Progresit nga Bashkimi Evropian, e që është prezantimi i një strategjie integrimi për veriun. Plani parasheh konsultime me përfaqësuesit e tri komunave veriore dhe asaj të Mitrovicës së veriut, në mënyrë që të fillojë zbatimi i planit të Ahtisaarit, pa iu përmendur emri.
Gazeta Koha ditore shkruan sot se burime të saj kanë bërë të ditur se bartës së këtij dialogu do të jenë përfaqësues të tjerë të ekzekutivit kosovar, dhe jo ekipi që ka prezantuar vendin në dialogun teknik me Beogradin.
Burimet e gazetës kanë shpjeguar se deri në shtator, pritet që presidenti i ri i Serbisë, nëse do të jetë Boris Tadiç, të marrë vendim që në bazë të Kushtetutës së Serbisë të emërojë përfaqësuesit e komunave veriore, ndërkaq komuniteti ndërkombëtar po bënë presion që deri atëherë nga veriu të largohen edhe strukturat e MUP-it.
Dialogu fillimisht do të jetë vetëm mes qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të veriut, por siç i ka thënë gazetës një zyrtar ndërkombëtar i akredituar në Kosovë, në një fazë të mëvonshme, Serbia duhet të jetë palë e dialogut, në mënyrë që të garantojë zbatimin e marrëveshjeve të mundshme.
Shtetet që janë pjesë e Grupit Ndërkombëtar Drejtues e që e kanë mbikëqyrur pavarësinë Kosovës nëpërmjet Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), sipas burimeve të gazetës, janë pajtuar që të mos e kushtëzojnë përmbylljen e mbikëqyrjes me zbatimin e plotë të pakos edhe në veri, por të mjaftohen me prezantimin e një iniciative serioze të qeverisë së Kosovës për integrimin e veriut. / Kosova.com