SHBA: Berisha e Rama, dialog për qetësimin e situatës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin shqetësimin për situatën në Shqipëri edhe në Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian. Përfaqësuesi amerikan në OSBE, Ian Kelly, i ka dorëzuar dje Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë "Deklaratë për Shqipërinë- Dhuna në protestë”. Në deklaratë ambasadori amerikan inkurajon fillimin e menjëhershëm të një dialogu substancial dhe konstruktiv mes partive politike me qëllim parandalimin e humbjeve të jetëve të tjera dhe rritjen e destabilizimit politik.
“Jemi shumë të keqardhur për demonstratën e të premtes së fundit në Tiranë, e cila nuk ishte paqësore dhe se thirrjet e hershme për qetësi nuk u dëgjuan. Jemi të pikëlluar për humbjen e jetës së tre demonstruesve si dhe plagosjen e disa të tjerëve. Mbetemi të shqetësuar nga akuzat e ashpra dhe që palët ngarkojnë me përgjegjësi njëra-tjetrën pas manifestimit.”- thuhet në deklaratën e ambasadorit amerikan në OSBE, Ian Kelly.
“Përdorimi i retorikës provokative dhe sugjerimit apo tolerimet për çdo formë të dhunës, është një dëmtim i thellë për popullin në Shqipëri. Ne i bëjmë thirrje të gjithë palëve, dhe liderëve të tyre të angazhohen në një dialog për të menaxhuar dallimet politike dhe të shmangin gjakderdhjen dhe vuajtjet.”- nënvizohet në deklaratë.
Përfaqësuesi amerikan vlerëson se në 20 vitet e fundit, që nga koha kur Shqipëria iu bashkua OSBE-së, ka arritur që në mënyrë konstante të punojë drejt formimit të institucioneve demokratike të nevojshme për ta çuar përpara si shtet.
“Ne i bëjmë thirrje krerëve të partive të vendosin mënjanë agjendat e tyre politike dhe të punojnë së bashku për një Shqipëri më të mirë. Inkurajojmë fillimin e menjëhershëm të një dialogu substancial dhe konstruktiv mes partive, me qëllim parandalimin e humbjeve të jetëve të tjera dhe rritjen e destabilizimit politik”- nënvizon deklarata e diplomatit amerikan në Vjenë. Zoti Ian Kelly thotë se është e rëndësishme që partitë të ndërmarrin menjëherë bisedime reale dhe domethënëse për zgjedhjet lokale të majit, “në mënyrë që shqetësimet e përditshme që ka popullsia të shprehen nëpërmjet këtyre zgjedhjeve.”
Në fund të deklaratës së tij diplomati amerikan i shpreh mbështetjen e tij ambasadorit Wollfarth dhe zyrës së OSBE-së në Tiranë dhe i falënderon që vazhdojnë të jenë burim stabiliteti në rajon në këtë kohë të vështirë.