Plani i qeverisë “Berisha” solli një ndryshim rrënjësor të jetës së qytetarëve
Kreu i ekzekutivit garanton të gjithë shqiptarët se qeveria e drejtuar prej tij, qëllim themelor të programit të saj, do ketë ndryshimin e Shqipërisë dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Nisur nga reformat e ndërmarra dhe angazhimi konkret i qeverisë në rritjen e investimeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës, çka solli shumëfishimin e potencialeve ekonomike, bënë që Shqipëria të renditet ndër vendet ku mund të jetohet mirë. “Qëllimi ynë më madhor është ndryshimi për mirë i jetës së qytetarëve shqiptarë. Ju jeni informuar se si një prej organeve më serioze i mediave botërore, pas një studimi, në të cilin ka angazhuar nobelistë dhe ekonomistë ndër më të mëdhenjtë, bëri listën e 100 vendeve të planetit, ku jetohet më mirë. Shqipëria, që vetëm 10 vite më parë renditej e 3-ta në botë me shkallën më të lartë të varfërisë dhe mjerimit, në klasifikimin e ri renditet e 57 në botë, për jetesën më të mirë. Kjo arritje historike për qytetarët shqiptarë, pjesa dërrmuese e të cilëve përjetuan ferrin e vërtetë të diktaturës komuniste, përjetuan varfërinë ekstreme, shtypjen më të egër, shndërrimi i vendit të tyre në një nga 57 vendet, ku jetohet më mirë në planet është padyshim arritja më e madhe e jetës së tyre”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, Petrela, Tirana, mbarë Shqipëria u bënë një komunë e mirë, një qytet i mirë dhe një vend i mirë për qytetarët dhe jetesën e tyre. Kjo tha kryeministri, u bë e mundur në sajë të politikave të efektshme të qeverisë së Partisë Demokratike, reformave të thella dhe shumëfishimin e investimeve publike.
“Në themel dhe në bazë të kësaj arritje qëndrojnë politikat e kësaj qeverie, të cilat vendosën qytetarin në epiqendër të të gjitha përpjekjeve të saj. Shqipëria u bë një nga vendet e mira, ku mund të jetohet, sepse në këtë vend, në një kohë rekord u asfaltuan mbi 6 mijë kilometra rrugë. Shqipëria u bë një nga vendet, ku jetohet më mirë, sepse në këtë vend u shumëfishuan potencialet ekonomike të qytetarëve shqiptarë, reformat e thella bënë të mundur të shumëfishohen investimet publike dhe private në të katër anët e vendit, bënë të mundur që pasuritë e mëdha të shndërrohen në vlera për qytetarët shqiptarë”, tha Berisha.
Shefi i ekzekutivit vuri në dukje gjithashtu se vitet e fundit është bërë një progres i jashtëzakonshëm në reformimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor.
“Shqipëria u bë një vend, ndër më të mirët për të jetuar, sepse në këto 5 vite, ne vendosëm në epiqendër të përpjekjeve tona, sistemin arsimor, shkollimin më të mirë të djemve dhe vajzave të Shqipërisë në universitetet tona. Në harkun kohor 5 vjeçar, si në asnjë vend tjetër, numri i studentëve është trefishuar. Sistemi shëndetësor njohu reforma të thella”, theksoi Berisha.
Një tjetër fakt domethënës në ndryshimin e prekshëm të Shqipërisë, kryeministri tha se ishte rritja e pagave dhe pensioneve dhe dyfishimi i ndihmës ekonomike.
“Shqipëria u bë një vend më i mirë për të jetuar, sepse ne dyfishuam rrogat e shumicës së punonjësve të administratës, dyfishuam pensionet në fshat, dyfishuam ndihmën ekonomike”, deklaroi ndër të tjera, kryeministri i vendit Sali Berisha.