Nihilizmi i PS-së, me rrënjë në fundamentalizmin totalitar të Partisë Komuniste
Berisha, apel emigrantëve: Kthehuni dhe investoni në atdhe në një kohë dinamizmi të vrullshëm të ekonomisë
Në vijim të turit të inaugurimit të përfundimit të veprave publike, investime të buxhetit të shtetit, kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje emigrantëve të rikthehen në atdhe dhe të investojnë në një kohë zhvillimi të shpejtë. Gjatë vizitës në komunën Petrelë, kreu i qeverisë u shpreh se vendi i fton emigrantët të kthehen, pasi janë hedhur baza të fuqishme dhe të shëndosha për një qëndrueshmëri dhe zhvillim të prekshëm ekonomik. “Mendoni vetëm një moment të kthehemi së bashku në vitet 90. Eksodet biblike të të rinjve shqiptarë dhe asnjë prej tyre nuk u largua pse nuk donte dhe nuk kishte dashuri dhe mall për shtëpinë, familjen dhe vendin e tij, por që të gjithë u vërsulën në det nga skamja dhe mjerimi. Sot, vendi i tyre i fton ata të kthehen, sepse është një vend ku jetohet mirë, sepse këtë vit, vendi i tyre merr më shumë vizitorë e turistë, sesa çka popullatë, sepse janë hedhur baza të shëndosha, të fuqishme që, vitet që vijnë, zhvillimet të jenë shumë më të shpejta”, deklaroi kryeministri Berisha. Por, shefi i ekzekutivit nuk la pra cekur sulmet e opozitës dhe Partisë Socialiste. Berisha tha se përpos ndryshimit të kristaltë të Shqipërisë, në kah të kundërt qëndron Shqipëria që shihet sterrë e zezë nga kullat e Fidelit. “Krahas këtij realiteti të qartë si drita e diellit, ekziston edhe Shqipëria tjetër, Shqipëria që shihet nga kullat e Fidelit, ku nga xhamat zais, ajo duket e zezë sterrë. Prandaj ju bëj thirrje që t’i ftoni deputetët e opozitës në këto, kafenetë tuaja të mrekullueshme, të vijnë të prekin realitetin, të dalin nga kullat e Fidelit e të shohin se Shqipëri është krejt tjetër, se Shqipëria po ndryshon përditë dhe po bëhet gjithnjë e mirë për të jetuar”, u shpreh kryeministri. Kreu i qeverisë i bëri thirrje opozitës të heqë dorë nga nihilizmi, fenomen ky, tha kryeministri, me rrënjë të thella te fundamentalizmi totalitar i Partisë Komuniste. “Në emër tuaj, i bëj thirrje opozitës, të heqë dorë nga nihilizmi. Nihilizmi i ka rrënjët e veta në fundamentalizmin komunist, totalitar, trashëgimi e keqe e Partisë Socialiste. Nuk mund të faktoj se kjo parti është e reformuar, duke mohuar nga mëngjesi deri në darkë gjithçka pozitive që zhvillohet në këtë vend”, deklaroi më tej, kryeministri Sali Berisha.
...