E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani i radhës

Autoritetet serbe në Beograd kanë filluar ta mendojnë planin e radhës kundër pavarësisë së Kosovës, nëse vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë nuk do të jetë konform pritjeve të tyre.

Qeveria e Serbisë po mendon për negociata.

Dhe, sërish shpresat e Beogradit varen në Kombet e Bashkuara.

Burime të Expressit thonë se diplomacia serbe do të kërkojë në mbledhjen e radhës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që mbahet në shtator të këtij viti, rifillim të negociatave për statusin e Kosovës.

Zyrtarët serbë nuk e mohojnë këtë mundësi.

Zëdhënësi i Qeverisë së Serbisë, Milivoje Mihajlovic, gjatë një takimi me gazetarë kosovarë, ka folur për hapat e ardhshme të Beogradit.

“Mendoj se do ta ngrisim çështjen e Kosovës sërish para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, varësisht nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë Mihajlovic.

“Sigurisht që Serbia do të insistojë në këtë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, Serbia është më e gatshme për “modus vivendi”, sesa pushteti në Prishtinë.

“Ne vazhdimisht kërkojmë bisedime dhe ky raport i veçantë do të ishte në kuadër të drejtës ndërkombëtare. Thelbi është që të ulemi sërish në tavolinën negociuese dhe të zhvillohen bisedime të sinqerta. Ky është qëllimi”.

Ai shton se nuk është e thënë që statusi i Kosovës të jetë temë e parë e këtyre negociatave.

“Mund të bisedojmë për çështje të tjera, dhe më pas vijmë te statusi”, shton ai.

Beogradi ka filluar ta potencojë fuqishëm nevojën e negociatave të reja me Prishtinën, pasi që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk pritet ta ndajë “shapin nga sheqeri”. Sigurisht Prishtina refuzon që të diskutojë për statusin, mirëpo pranon se mund të bisedohet për çështje teknike, por gjithmonë në nivel shtetesh të pavarura.

Ministri serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, thotë se negociatat janë të pashmangshme.

“Nuk mund të ketë rehati për askënd në Ballkan nëse ju e keni një anë që i ka fituar të gjitha dhe serbët që kanë humbur atë që kanë pasur”, ka thënë ai.

“Pa kompromis është e pamundshme që kjo situatë të stabilizohet”, shton Bogdanovic.

Ai pret që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të jetë në favor të kauzës serbe.

“E kam parasysh që vendet që e kanë njohur Kosovën e kanë të vështirë që t’i tërheqin njohjet. Por në anën tjetër, ne presim mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili pa marrë parasysh se dëshirohet të minimizohet nga Qeveria e shqiptarëve, duke thënë se kjo është e parëndësishme, që kjo nuk do të ketë ndikim... Me siguri ky mendim këshillëdhënës çfarëdo qoftë ai, do të ketë peshë të madhe, pasi është gjykatë e OKB’së dhe nuk mund të besoj se nuk do t’i respektojnë vendimet e veta”, ka deklaruar Bogdanovic.

Ai thotë se vetëm bisedimet mund ta zgjidhin situatën aktuale.

“Ne i dëshirojmë këto bisedime, që me kompromis t’i zgjidhim problemet që ekzistojnë. Situata aktuale është e papranueshme për shqiptarët dhe serbët. Nuk mund të jetoni në psikozën e frikës, paqartësisë... nëse Kosova bëhet shtet, ajo ekonomikisht nuk mund të zhvillohet e forcohet nëse vazhdimisht ka tensione”, ka thënë Ministri serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›