E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misioni i mundshëm

Javën e kaluar ai pranoi një prej detyrave më sfiduese në karrierën e tij politike.
Dikur një prej emrave më të shquar të shoqërisë civile, më pas Nënkryetar i Partisë ORA, deputet e anëtar i delegacionit kosovar në bisedimet për status, Ylber Hysa është vënë në krye të përpjekjeve të Qeverisë dhe ICO’së për të sjellë rend dhe ligj në pjesën ndoshta më problematike të Europës Juglindore - Veriun e Kosovës.
Ai beson se është i mundshëm normalizimi i situatës në atë pjesë të Kosovës.
“Unë besoj se prej shumicës së faktorëve, sidomos pas pavarësisë, është kuptuar që status quoja nuk i kontribuon gjendjes, por e rrezikon gjendjen”, shprehet Hysa, në një intervistë për Express, dhënë të dielën.

Express: Pse e pranuat këtë detyrë, z. Hysa? A nuk ju duket mision i pamundur?
Y. Hysa: Për aq sa është për mua mision i pamundur, për aq është edhe për Kosovën. Por si i tillë është inspirues. Unë nuk kam ikur kurrë në jetë nga problemet e vështira. Besoj që përkundër vështirësive të jashtëzakonshme, përkundër shumë mosbërjeve dhjetëvjeçare, përkundër shumë kompleksiteteve dhe përgjegjësive, ia vlen të përpiqemi që të bëjmë diçka për Veriun, më në fund.

Express: Të mërkurën, ju zyrtarisht jeni emëruar Koordinator i Qeverisë për Zbatimin e Strategjisë gjithëpërfshirëse për Veriun. Ku do të jetë zyra juaj?
Y. Hysa: Do të jenë në Prishtinë dhe në Mitrovicë. Por ju them që nuk e kam ndërmend të rri shumë në zyra. Zyrat do të jenë aty për të bërë punën, mirëpo jam i prirë që të jem në terren dhe do të kontaktoj sa më shumë.

Express Do të thotë ju do të keni në zyrë të plotë, e cila do të jetë në funksion të punës suaj?
Y. Hysa: Punëtor qeverie...

Express: Cilat institucione do të përfshihen në procesin e implementimit të Strategjisë për Veriun?
Y. Hysa: Koordinimi bëhet me të gjithë faktorët, do të thotë me të gjitha potencialet qeveritare, ministrore dhe krejt institucionet e tjera ndërlidhëse që do të duhej të ndihmonin dhe lehtësonin në këtë aspekt. Unë do të përpiqem t’i shfrytëzoj këto resurse ekzistuese.

Express: A mund të arrihet sukses në këtë çështje nëse BE’ja, EULEX’i dhe KFOR’i janë neutral e jo mekanizëm implementues?
Y. Hysa: Të saktësojmë diçka. Kur flasim për Strategji, nuk mendohet një strategji taksative që është prezantuar këto ditë. Strategjia është përpjekje gjithëpërfshirëse, do të thotë brenda saj vetvetiu përfshihen edhe komponentë të tjerë. Nuk është ndonjë fshehtësi që edhe EULEX’i bashkëpunon. Nuk dua tani të zbuloj, por unë kam kontakte me të gjithë këta faktorë. Menjëherë me të marrë vesh detyrën, shumica nga ata më kanë kontaktuar dhe kanë shprehur gatishmërinë në një formë ose tjetër të afrohen dhe të bashkëpunojnë.

Express: Pra, ju prisni që mekanizmat e BE’së në Kosovë të jenë lehtësues të përpjekjeve për zbatimin e ligjshmërisë në Veri, e jo pengues të tyre?
Y. Hysa: Po të ishin pengues, atëherë do të vihej në pikëpyetje vetë misioni i tyre.

Express: A beson se me të vërtetë ka vullnet për të ndryshuar status quon në Veri, duke marrë qasjen se, përkundër premtimeve që janë dhënë në këto dhjetë vjetët e fundit, gjendja e atjeshme vazhdon të jetë e njëjtë?
Y. Hysa: Unë besoj se prej shumicës së faktorëve, sidomos pas pavarësisë, është kuptuar që status quoja nuk i kontribuon gjendjes, por e rrezikon gjendjen. Nëse dikush ka menduar që mund të blejë një lloj paqeje deri në pavarësi duke toleruar apo ngrirë një gjendje të tillë, koha ka treguar që çfarëdolloj tolerimi i status quos, në fakt, shkon kundër përpjekjeve për stabilitet dhe paqe. Besoj se kjo është kuptuar. Por mënyra se si, kur, dhe me çfarë faktorësh të bëhet kjo shkrirje, është ende pikëpyetje për të tjerët.

Express: Cila do të jetë qasja juaj ndaj Beogradit, duke pas parasysh që qëndrimi i Beogradit zyrtar se do të vazhdojë të qëndrojë fuqishëm pranë strukturave paralele, do të përpiqet ta pengojë zbatimin e ligjshmërisë në veri të Kosovës?
Y. Hysa: Beogradi mund të jetë ndihmues, për aq sa e kupton një realitet të ri. Deri tash ka qenë logjikë e Beogradit që ta shfrytëzojë Veriun për interesa të tij për t’u faktorizuar karshi faktorit ndërkombëtar dhe për të ndërtuar një pozicion më të mirë pazari për nevojat e tij. Por herët a vonë, Beogradi duhet të kuptojë, nëse dëshiron të bëjë diçka për qytetarët në Veri. Se si do ta bëjë dhe me çfarë shpejtësie, pritet të shihet.

Express: Si do të dukej pjesa veriore po të zbatohej plotësisht kjo strategji?
Y. Hysa: Vetëqeverisje. Do të kishte qytetarë që vendosin për fatin e tyre dhe do të kishte shtendosje politike rajonale. Gjithsesi do të ishte një sukses edhe për faktorin ndërkombëtar dhe për investimin e tij shumëvjeçar në Ballkan.

Express Sa kohë do të marrë zbatimi i kësaj strategjie?
Y. Hysa: Unë nuk merrem me fall. E di që kanë kaluar shumë vite të mosbërjes dhe gjithsesi është e vështirë të kompensohen këto vite për të bërë mrekulli. Unë nuk e konsideroj veten magjistar, e as nuk besoj që ndryshimet e shpejta do të jenë të mira. Ndryshimet mund të ndodhin shpejt, por ato do të sjellin pasoja afatgjate. Besoj që një angazhim i gjatë me shumë energji, do të jetë e vetmja mënyrë për të garantuar një sukses afatgjatë.

Express: Cili do të jetë hapi i parë që do të ndërmerret?
Y. Hysa: Të ulem dhe të marrë frymë njëherë mirë. Të mendoj ku kam hyrë dhe pastaj të vazhdoj punën që e kam bërë tash e sa vjet në Mitrovicë.

Express: A mund të jepni një përshkrim të shkurtër për gjendjen e stome në Veri?
Y. Hysa: Një gjendje jo shumë e lehtë, shumë kaotike, me shumë faktorë të ndërthurur, të cilët ditën bashkëpunojnë dhe natën e zhbëjnë njëri-tjetrin. Një hapësirë ku qytetarët e rëndomtë normalë jetojnë në një sandwich mes këtyre problemeve dhe një gjendje e cila është larg prej normales.

Express: Ka qëndrime se Veriu është i humbur dhe do të ishte mirë të shkëmbehet me Luginën e Preshevës?
Y. Hysa: Citimi i ideve në opinion është një princip të cilin askush nuk mund ta pengojë. Mund të ketë ide të ndryshme, por besoj që tashmë obligimet kushtetuese të Kosovës janë të qarta si dhe përgjegjësitë për të. Nuk duhet harruar që Veriu i Kosovës nuk është vetëm një përgjegjësi kosovare, është përgjegjësi për rajonin dhe për faktorin ndërkombëtar, sidomos atë euroatlantik. Prandaj, zgjedhja për Veriun është precedenti pozitiv ose fatkeqësisht precedenti negativ, jo vetëm për Kosovën por gjithë rajonin. Në këtë aspekt, ne dëshirojmë të jemi partnerë dhe hisenikë për një zgjidhje pozitive.

Express: Sipas jush, a është i humbur Veriu?
Y. Hysa: Unë thashë që 10 vjet të mosbërjes kanë lënë një vragë shumë të rëndë. Por gjithë ata që janë disfatistë dhe që tash i kanë çuar duart përpjetë, besoj që nuk janë pjesë e kësaj strategjie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›