E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani i ri urbanistik, Basha: Gati për 10 muaj

SHKRUAN: Jonida Tashi 09-09-2011 10:07

Në maj të vitit të ardhshëm, Tirana do të ketë gati planin e ri urbanistik që i ka munguar kryeqytetit prej gati një dekade. Bashkia e Tiranës ka nisur tashmë punën për hartimin e planit të ri urbanistik dhe për këtë arsye, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, thirri dje takimin e parë këshillimor, ku ishin të pranishëm përfaqësues të njohur të botës universitare në fushën e inxhinierisë dhe arkitekturës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe emra të njohur të artit dhe kulturës. “Ky plan synon të zgjidhë konfliktin artificial mes qytetit dhe qytetarëve, të zgjidhë problemin e rritjes demografike, problemin e trafikut dhe të grackave të tjera me të cilat hasen qytetarët e Tiranës çdo ditë. Plani do të balancojë interesat private me ato publike dhe do të bëhet në bashkëpunim të gjerë dhe do të gjejë konsensus maksimal. Procesi do të jetë transparent dhe larg rrjetit të interesave klienteliste”, - u shpreh në çelje të takimit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, duke theksuar angazhimin që Tirana do të jetë me një plan urbanistik brenda 10 muajve. Sipas Bashës, mungesa 10-vjeçare e një plani urban ka hequr dhe mundësinë e vetme për të udhëhequr sadopak zhvillimin territorial. “Synimi i këtij grupi pune dhe i punës që ky grup hap për shumë më shumë grupe të tjera konsultimi të interesit qytetar, është që ky plan i munguar prej 10 vitesh të realizohet në jo më shumë se 10 muaj. Pra, synojmë që gjatë majit të vitit që vjen ne të kemi një produkt të gatshëm për zhvillimin urban të qytetit”, - theksoi Basha. Më tej, ai është shprehur se synimi kryesor i këtij plani është rikthimi i një balance midis interesit privat dhe interesit publik, duke respektuar tërësisht pronën private dhe pronarët, por dhe duke u përpjekur të rifitojmë përmes formulave të ekonomisë së tregut hapësirat publike, shërbimet cilësore publike dhe vetë interesin e publikut të gjerë të kryeqytetit. Gjithashtu, kreu i Bashkisë së Tiranës ka siguruar se plani i ri urban do të gjenerojë një konsensus sa më të gjerë në opinionin publik. “Madje, ne synojmë që plani të ndërtohet në një frymë bashkëpunimi dhe koordinimi edhe me komunat dhe bashkitë rreth Tiranës. Pse jo, nesër përmes këtij plani të arrijmë në administrimin e përbashkët të disa çështjeve që kërkojnë bashkëpunim me komunat dhe bashkitë përreth. Kjo mund të sigurohet vetëm në bazë të një procesi serioz konsultimi publik. Në këtë frymë, ky grup strategjik që po ndërtojmë sot është një instrument real për artikulimin e çështjeve me rëndësi për shoqërinë e qytetit tonë, për shoqërinë e kryeqytetit e më gjerë”, - u shpreh kryebashkiaku i Tiranës. Ai ka garantuar se, sikurse premtoi gjatë fushatës elektorale, do të dëgjonte kurdoherë zërin e qytetarëve, të njëjtën gjë do të bëjë për hartimin e planit të ri urban, duke u shprehur se: “kemi vendosur që planin e ri rregullues të Tiranës ta hartojmë në bashkëpunim të gjerë me ekspertët, profesionistët dhe botën akademike shqiptare, të përfaqësuar këtu në qytetin e tyre, në kryeqytetin e tyre”. Ndërkaq, Basha ka deklaruar se synimi kryesor i kësaj qasjeje është që duke ndërtuar ekipe me një pjesëmarrje sa më të gjerë, procesi i planifikimit urban do të nxirret nga rrjeta klienteliste që, sipas tij, i ka zënë frymën zhvillimit territorial të Bashkisë Tiranë dhe ka bllokuar sektorin e ndërtimit për vite me radhë. “Procesi i hartimit të planit duhet të jetë i hapur ndaj opinioneve, sugjerimeve, pse jo, edhe kritikave. Dhe kjo gjë mund të arrihet vetëm nëse ne sigurojmë transparencën e duhur të procesit. Vetëm një proces transparent do të largojë frymën klienteliste që ka sunduar dhe ka trysnuar deri tani procesin e planifikimit urban në kryeqytet. Kjo qasje siguron një kooperim më të mirë të kapaciteteve profesionale të huaja me kapacitet me vlera akademike që ka sot Tirana. Asnjëherë më parë bota akademike nuk ka qenë më pranë vendimmarrjeve strategjike për zhvillimin urbanistik të kryeqytetit. Në synojmë që ta kthejmë në një model suksesi këtë bashkëpunim që po ndërtojmë sot”, - ka pohuar Basha. Lidhur me çështjen nëse do të ndryshohet ose jo plani i punimeve në sheshin “Skënderbej”, Basha është shprehur se në planin e ri urbanistik do të përfshihen edhe dokumentet apo projektet e miratuara më parë për Tiranën, duke përfshirë këtu ndryshimet që do të shtrihen nga sheshi “Skënderbej” e deri tek akset e tjera rrugore, duke ndërhyrë në trafikun e rënduar, e nga ana tjetër duke shtuar edhe hapësirat e gjelbra.

Është e domosdoshme që ne të zgjidhim njëherë e mirë konfliktin artificial midis qytetit dhe qytetarëve, luftën e përditshme midis qytetit të vjetër dhe grackave që ai ngre për qytetarët në çdo cep të tij, që nga sheshi ”Skënderbej” i bllokuar, te trafiku asfiksues në orët e mëngjesit dhe të pasdites, te qyteti pa sy, pa semafor, te trotuaret e pushtuara apo të bllokuara, te lulishtet e shkulura apo të munguara.

Dimensionet e planit

Dimensioni strategjik, i cili do të parashtrojë për diskutim opsionet strategjike të zhvillimit të qytetit. Këto opsione do të diskutohen gjerësisht me opinionin publik të kryeqytetit. Investimet strategjike, zhvillimi ekonomik dhe diversiteti i modelit ekonomik të Tiranës, buxhetimi publik etj., do të jenë tema reale për të debatuar me opinionin publik, në mënyrë që zgjedhjet e bëra të gjenerojnë një konsensus të shoqërisë së kryeqytetit.

Dimensioni fizik rregullator. Plani rregullues do të jetë guri i themelit për zhvillimin urbanistik të kryeqytetit. Vlerësimi i drejtë i pronave, zhvillimi i moderuar urban, sigurimi i hapësirave të nevojshme publike dhe ndërtimi i lagjeve me një cilësi të konsiderueshme jetese, do të mishërohen në opsionet e hedhura në tryezë nga plani rregullues. Ky plan do të jetë një instrument i drejtë për investitorët dhe ndërtuesit për të zhvilluar qytetin dhe jo më një instrument spekulimi me këtë industri.

Dimensioni infrastrukturor. Zhvillimi urban i Tiranës nuk do të kishte kuptim pa investimet e duhura në infrastrukturë dhe pa planifikimin e duhur infrastrukturor. Ka ardhur koha që Tirana të jetë ambicioze edhe në investimet infrastrukturore. Infrastruktura si Unaza e madhe apo tramvaji do të mishërojnë edhe në planin e infrastrukturave risitë dhe ambiciet bashkëkohore të qytetit tonë.

Iniciativa e Tiranës, model diskutimi për çështjet e kryeqytetit

Intelektualët janë ftuar të diskutojnë dhe të japin mendimet e tyre për planin e ri urbanistik. Zbardhen diskutimet e tyre në panelin konsultativ

“Iniciativa e Tiranës” është shndërruar tashmë në një model për të diskutuar rreth çështjeve dhe problemeve të kryeqytetit. Kjo nismë u krijua gjatë fushatës për zgjedhjet e kreut të ri të Bashkisë së Tiranës, dhe pjesë e saj u bënë 30 intelektualë të njohur të kryeqytetit, të cilët shtruan pyetjen: “Tirana apo Tirania?”, duke kërkuar pjesëmarrjen e qytetit në vendimet e pushtetit. Grupimi “Iniciativa për Tiranën” i ftoi të dy kandidatët për Bashkinë e Tiranës, por edhe publikun e gjerë, të bëheshin pjesë e një debati/dialogu, me qëllim rrahjen e mendimeve për zhvillimet urbane, ekonomike, sociale dhe kulturore të kryeqytetit. Nga dy kandidatët që garuan për Bashkinë e Tiranës, vetëm sfidanti demokrat Lulzim Basha iu përgjigj pozitivisht ftesës, ndërsa ish-kryetari i bashkisë, Edi Rama, e anashkaloi nismën duke u munduar të krijonte forume të ngjashme paralele. Por koha tregoi që zëri i intelektualëve të “Iniciativës për Tiranën” u dëgjua jo vetëm gjatë fushatës elektorale, por edhe tani, sikurse edhe më vonë, pasi për të diskutuar rreth planit të ri urbanistik të Tiranës, kreu i Bashkisë, Lulzim Basha, i ka ftuar në një tryezë të hapur personalitetet e fushave të ndryshme, për të vjelë prej tyre mendimet më të mira për zhvillimin urban të kryeqytetit. Në takimin e djeshëm për planin e ri urban kanë qenë të pranishëm pothuajse të gjithë intelektualët e “Iniciativës së Tiranës”, të cilët vlerësuan faktin se ishin thirrur për të dhënë mendimin dhe ekspertizën e tyre dhe u shprehën të gatshëm për të kontribuar për planin e ri urbanistik.

Diskutimet në panelin konsultativ

Jorgaq Kaçani: “Pa dyshim që ky është një vizion i ri, një vizion i të gjithë mendimit intelektual e profesional të institucioneve që përgatisin dhe shkollojnë të gjithë kuadrot e nevojshëm, ku futen të gjitha institucionet akademike të cilat deri dje, pavarësisht angazhimit që ne kemi pasur dhe predispozicionit, nuk kemi gjetur hapësirat për të dhënë këtë kontribut dhe për të shprehur të gjithë angazhimin që ne kemi për Tiranën. Universiteti Politeknik i Tiranës vë në dispozicion potencialin e madh të studentëve që ne kemi dhe janë specialistët më të mirë që ne do të përgatisim dhe që nesër do të punësohen në Bashki e kudo”.

Besnik Aliaj: “Një çështje që mendoj që është shumë e rëndësishme dhe duhet pasur parasysh nga të gjithë ata që angazhohen në këtë punë, është pyetja që duhet t’i drejtojmë të gjithë çfarë përfaqëson Tirana, jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për rajonin. Ne duhet ta shikojmë shumë më gjerë këtë problem, duhet të shikojmë ku jemi konkurrues, çfarë ofrojmë të veçantë dhe nëpërmjet këtij plani të kontribuojmë që të rrisim konkurrencën si kryeqytet, po pse jo dhe si rajon, të kontribuojmë për të gjithë ekonominë e vendit, për të dhënë një kontribut në rritjen e përgjithshme ekonomike dhe sociale të vendit, nëpërmjet kësaj iniciative”.

Kujtim Çashku: “Unë jam dakord që planet rregulluese të marrin formën e tyre. Ne jemi në një moment që sa më shpejt të çtensionojmë qytetin, duke qenë se ka një temperaturë shumë të lartë tensioni, nervozizmi që shfaqet drejtpërdrejt në jetën e familjeve, qytetarëve. Bërthama, kërthiza e qytetit, që është sheshi ‘Skënderbej’, është një gjë e parë dhe imediate që e reflekton. Në një takim që kemi pasur me shoqatën ‘Tirana’, unë kisha hedhur idenë që të paktën të bëhet një ‘ngrirje’ dhe ajo që do sugjeroja është që ai shesh të kthehet në një park vjenez, për të mbjellë gjelbërim atje e për të hapur arteriet, rrugët. Një shenjë pozitive është ajo që po punohet në Rrugën e Elbasanit, për Unazën e Madhe”.

Dhori Kule: “Vlerësoj kërkesën për takim, është vazhdimësi fillimi i punës, pas përballimit të suksesshëm të fushatës. Çdo kryetar bashkie në vendet e tjera të botës e ka më të thjeshtë sesa kryetari i Bashkisë së Tiranës, me problematikat e shfaqura në këtë qytet. Ne, këtë grup pune e shohim si një pjesë të sfidës, së cilës duhet t’i bashkëngjisim përgjegjësitë tona. Për herë të parë, ne universitetet, si pjesë e botës akademike, me potencialet inxhinierike, ekonomike, të gjejmë hapësira, për t’u bërë pjesë e debatit e për të kontribuar në këtë sfidë, që kemi ndërmarrë për qytetin tonë”.

Amik Kasaruho: “Nuk jam teknik, jam një qytetar i Tiranës dhe shoh dëshirën e madhe të institucioneve që përfaqësoni, për të bërë një Tiranë ashtu siç meriton të jetë, i ka të gjitha mundësitë dhe duhet vullneti që ka munguar. Si qytetar i thjeshtë i Tiranës e pres me padurim një plan rregullues të këtij qyteti, që ka munguar prej vitesh. Duke qenë se plani rregullues prek interesat e qytetarëve, them se duhet parë mundësia e krijimit të një rregulloreje, që do të bëjë të mundur zbatimin e këtij plani rregullues. Përcaktimi i qartë i konceptit se ç’është pronë publike apo private, përcaktimin e këtyre zonave, të nxirret një rregullore dhe të zbatohet nga Bashkia”.

Agron Lufi: “Për mendimin tim, duhet filluar aty ku ka ngelur problemi i Tiranës së madhe. Mendoj se lidershipi që do ngrihet për këtë qëllim do mundohet ta analizojë. Mendoj se materiali është ekselent, punuar nga një grup profesionistësh. Përfundimi është se periferia nuk është integruar, periferia ka stereotipe të jashtëzakonshme, deri në abuzivizëm, ndaj mendoj se është koha që plani rregullues të fillojë si cikël në këto zona. Pra, objekti i parë i diskutimit do të ishte Tirana e madhe; objekti i dytë mendoj se është Tirana qendër, pra ardhja e qendrës drejt periferisë. Mendoj se ka një sërë problemesh dhe me grupet tona të punës, do ishte mirë të dilnim me një bazë konkrete”.

Henri Çili: “Mendoj se është shumë pozitive që keni një vazhdimësi të fushatës suaj dhe do ju uroja ta vazhdoni këtë në qeverisjen tuaj si diçka shumë premtuese. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, kemi një Tiranë kaq të madhe, ndaj specialistët do ishte mirë të fillonin me zgjidhjet e vogla të kësaj Tirane. Tirana ndodhet në një fazë të ndërmjetme, as i ka përfunduar tërësisht zgjidhjet dhe as i ka përfunduar tërësisht mundësitë për zgjidhje, ndaj duhet guxim për të gjetur zgjidhje të reja për Tiranën. Disa gjëra nuk janë në forma të pakthyeshme, po ashtu mund të lejohen zgjidhje shumë të mëdha, në raport me funksionalitetin e qytetit. Policentrizmi është imediat, për të riprodhuar të gjithë njësitë e qytetit”.

Arben Tafaj: “Është një fazë e re në historinë e Tiranës, na jepet një shans për të kaluar në demokraci referendare dhe është gjithashtu një ogur i mirë. Nga përvoja e gjatë, në raport me planet rregulluese, por edhe nga qëndrimet e qytetarëve, lidhur me atë periudhë që kaluam, mendoj se përpjekjet tona për planin rregullues nuk do të jenë të lehta. ‘Thembra e Akilit’ në planin rregullues ishte hermetizimi, ku vendimmarrja qytetare ishte thjesht demagogji, vendimet u morën vetëm nga një grupim individësh. Krahas vështirësive teknike, ky plan nuk duhet të anashkalojë asnjë nga interesat e grupeve të caktuara sociale, të qytetarëve të Tiranës, për të vlerësuar zhvillimin e njëtrajtshëm të qytetit, çdo prone të qytetarëve”.

Zhani Ciko: “Ajo që do ishte një përmbledhje është vazhdimësia e planit që ju prezantuat gjatë fushatës. E quaj veten të nderuar që marr pjesë, pasi edhe opinionet e shprehura në aspektet inxhinierike, arkitektonike, teknike, urbanistike etj. janë bazë, por edhe opinionet e shprehura në fusha të tjera ndihmojnë për të forcuar aspekte që kanë të bëjnë me komunitetin, vlerësimin dhe me ato gjëra që i përkasin perspektivës. Për mua, një nga bilancet më të rëndësishme është ajo zgjidhje që do të ofrohej edhe nga pikëpamja kulturore dhe e kulturës së bashkëjetesës. Duhen pasur parasysh resurset natyrore dhe vlerat historike që ka Tirana e po ashtu edhe resurset, në drejtim të mjediseve kulturore”.

Nevila Nika: “Ju falënderoj, sepse unë kam qenë pjesë e ‘Iniciativës për Tiranën’, ndaj mendoj se duhet të vazhdojmë të jemi pjesë e këtij forumi. Ju jemi mirënjohës z.kryetar se na nderuat. Ishim pak të ndrojtur kur ju folëm, ndonëse nuk ishit ende kryetar bashkie. Ju vazhdoni të na nderoni, ndonëse nuk jemi pjesë e fushës. Dëshiroj të ketë zgjidhje të menjëhershme, mundësisht si me ‘shkopin magjik’, për sheshin. Tirana ka shumë probleme. Dikur Tirana kishte 9 banjo publike, ndërsa sot nuk ka asnjë. Uroj që plani që do të bëhet, të ketë konsensusin dhe të gjithë të japin kontributin e tyre”.

Romeo Hanxhari: “E vlerësoj procesin, si fillimi i një vendimmarrjeje të rëndësishme për demokracinë, për të zgjidhur në mënyrë sa më të mirë e të pranueshme interesat e qytetarit e duke uruar që kjo pjesëmarrje të gjejë zgjidhje, që të jenë sa më afër publikut e komunitetit. Hartimi i planit rregullues, mendoj se është e rëndësishme të bazohet në indikatorët e peizazhit urban, për të bërë të mundur që mos të mbysim identitetin e qytetit. Ne duhet ta shohim këtë plan, në mënyrë të tillë që Farka, Paskuqani etj. të jenë pjesë e tij. Duhet të identifikojmë historinë e Tiranës, pra indikatorë të tillë që do të modelojnë këtë pamje të re të qytetit”.

Artur Roshi: “Jam i nderuar që marr pjesë në këtë proces. Z. Basha po realizon premtimet e fushatës së tij elektorale, po dëgjon zërin e të gjithë qytetarëve, Basha ka një vizion që duhet vlerësuar, është vizioni që duhet të ketë Tirana. Plani urbanistik është një hap që sjell progres dhe duhet parë si çështje kombëtare, është një çështje e gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Ndihem krenar që jam pjesë e kësaj tavoline dhe është një kontribut për brezat që vijnë”.

Andrea Maliqari: “Ajo që doja të theksoja janë tre elementë të rëndësishëm në hartimin e këtij plani. Së pari sfida, së dyti vlerësimi dhe së treti pjesëmarrja. Hartimi i planit është një sfidë shumë e rëndësishme, sfidë që u pasqyrua me shumë madhështi nga kryetari i bashkisë, gjatë fushatës elektorale. Qyteti i Tiranës ka disa elemente të rëndësishme. Konsulenca e huaj është aq e domosdoshme në hartimin e këtij plani. Si rrallëherë në historinë e bashkisë, bota akademike është kaq prezente në këtë plan rregullues. Me rëndësi është edhe pjesëmarrja e gjerë e qytetarëve në këtë plan rregullues si dhe transparenca aq e domosdoshme në suksesin e një plani rregullues”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›