Ruli pret homologen izraelite, bashkëpunim në teknologjinë bujqësore

“Thithja e teknologjisë së zhvilluar izraelite në bujqësinë shqiptare, do ti jap hov zhvillimit të bujqësisë”. Kjo ka qenë deklarata e Ministrit të Bujqësisë, Genc Ruli në takimin që ai pati me homologen e tij izraelite Orit Noked, takim në të cilin u vu theksi në rritjen e bashkëpunimit dypalësh në një sërë fushash. Në pritjen e organizuar për homologen e tij izraelite, Ministri Ruli deklaroi se bashkëpunimi në teknologjinë bujqësore do të rriste eficencën e prodhimit dhe përfitimit ekonomik.
Nga ana e saj edhe ministria e Bujqësisë e Izraelit, mirëpriti deklaratën e homologut të saj shqiptar për rritjen e një bashkëpunimi të frytshëm. Po ashtu ajo vlerësoi me nota mjaft të larta marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe të deritanishme dhe theksoi se klima e ngrohtë bashkëpunuese midis dy vendeve do të vijojë të shtohet. Në fokus të këtij takimi, ishin diskutimi i thellimit të bashkëpunimit konkret në disa fusha me interes dypalësh si infrastruktura moderne e bujqësisë, kërkimi shkencor në këtë fushë si dhe nxitja e investitorëve izraelitë për të investuar në Shqipëri.