Tre dokumentet për Tiranën, si Kushtetuta për vendin
Zhvillimi i Tiranës do të udhëhiqet nga 3 dokumente të rëndësishme, të cilat do të hartohen me ekspertizën e thithur nga 6 universitete të vendit
Për herë të parë, Tirana do të “udhëhiqet” nga tre dokumente të rëndësishme që do të përcaktojnë zhvillimin e saj hapësinor, ndërtimor si dhe investimet në infrastrukturë. Bëhet fjalë për tre dokumente që do të jenë themeltare për Tiranën, si Kushtetuta e vendit, që do të hartohen njëkohësisht me Planin e ri Urbanistik dhe që janë: Plani Strategjik, Plani Rregullues dhe Plani Infrastrukturor. Parashikohet që këto dokumente të kenë përfunduar së hartuari brenda 10 muajve në vazhdim, duke thithur edhe ekspertizën më të mirë nga pesë universitete të vendit. Grupi strategjik është i përbërë nga përfaqësues të disa universiteteve shqiptare si Universiteti Polis, Universiteti Politeknik, Albanian University, Universiteti Europian i Tiranës, Universiteti i Tiranës dhe Universiteti “Epoka”, institucione këto, ku ekspertët besojnë se sot gjenden kapacitetet urbane e planifikuese më të mira të mundshme. Këto detaje bëhen të ditura nga arkitekti Flamur Kuçi, që është edhe drejtuesi i Grupit Teknik për konceptimin e planit territorial. “Presupozohet që të arrihet në tre lloj dokumentesh, dokumenti i parë dhe më i rëndësishëm për qytetin e Tiranës, është një dokument me një përmbajtje strategjike për qytetin, ku do të trajtohen opsione strategjike për qytetin, investimet kapitale afatgjata për qytetin e Tiranës, zhvillimi ekonomik dhe opsionet e ndryshme për diversifikimin e modelit ekonomik të qytetit të Tiranës, çështjet e buxhetimit publik, çështjet fiskale dhe çështjet e zhvillimit infrastrukturor e territorial. Dokumenti i dytë është i një natyre më fizike. Ajo që për 10-vite qyteti i Tiranës ka pritur është që të disiplinojë procesin e ndërtimit në Tiranë, që nuk ka ndodhur, shpresojmë që me disa koncepte të reja ky dokument të realizohet në konsultë të gjerë me publikun e Tiranës. Dokumenti i tretë, edhe ky fizik, ka të bëjë kryesisht me rrjetin inxhinierik, me rrjetin infrastrukturor të domosdoshëm për qytetin e Tiranës. Ky dokument do të shërbejë për pushtetin vendor, për Bashkinë e Tiranës, jo vetëm për të azhornuar situatën, por dhe për të mirëmenaxhuar ecurinë e punimeve në infrastrukturë”, - shpjegon Kuçi. Ai ka bërë të ditur se është menduar dhe një kalendar punimesh, si në çdo metodologji bashkëkohore të planifikimit. Presupozohet që këto dokumente të bazohen në disa projeksione realiste dhe profesionale për popullatën dhe për rrjedhojë edhe për nevojat që popullata e sotme dhe e ardhshme e Tiranës do të ketë për strehim, shërbime, hapësira të gjelbra, infrastrukturë, infrastrukturë sociale e me radhë. “Në bazë të këtyre projeksioneve, do të mundohemi të hartojmë disa opsione strategjike për disa çështje të caktuara, duke filluar që nga infrastruktura, që nga shërbimet sociale, shkollat, spitalet e nevojshme e me radhë dhe duke përllogaritur deri diku edhe impaktin e të tilla investimeve për buxhetin e bashkisë sot dhe 15-të vitet e ardhshme, pasi konsiderohen të jenë investime kapitale që ndikojnë në buxhetet e sotme dhe të ardhshme të pushtetit vendor”, - shprehet drejtuesi i grupit teknik. Ky i fundit nuk do të jetë i vetmi grup pune për hartimin e planit urbanistik. Gjatë diskutimeve në takimin e parë konsultativ për hartimin e planit urbanistik, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, ka prezantuar grupet e punës për konceptimin e planit territorial të kryeqytetit që synojnë, sipas Bashës, hedhjen e ideve mbi Planin Strategjik të Zhvillimit Hapësinor dhe Ekonomik të qytetit, Planin Rregullues dhe Planin e Infrastrukturës. Konceptimi i këtij grupi pune të madh pune përbëhet nga disa nëngrupe që janë: Grupi Këshillimor i Ekspertëve, ku bëjnë pjesë akademikë dhe drejtues universitetesh; Grupi Teknik, ku përfshihen inxhinierë dhe arkitektë dhe Grupi i analizave GIS. Grupi Këshillimor i Ekspertëve do të hedhë ide mbi metodologjinë e përdorur për të miratuar analizën urbane dhe projeksionet e planifikimit urban, miratimin e projekt-idesë së planit të ri urbanistik apo opsioneve strategjike për zhvillim. Grupi Teknik, i kryesuar nga arkitekti Flamur Kuçi, do të jetë përgjegjës për përkthimin e opsioneve strategjike në material teknik dhe grafik. Ndërsa Grupi i Analizave GIS do të jetë përgjegjës për ndërtimin e një sistemi informacioni bazë për të ndërtuar analizat e nevojshme të planifikimit urban.
Prezantohen grupet e punës për konceptimin e planit territorial të kryeqytetit, që janë: Grupi Këshillimor i Ekspertëve, Grupi Teknik dhe Grupi i Analizave GIS
Ekspertët e grupeve të punës
Grupi Këshillimor i Ekspertëve përbëhet nga: Ardian Civici - pedagog , UET; Henri Çili - pedagog, UET; Agron Lufi - pedagog, arkitekt; Andrea Maliqari - pedagog arkitekt; Jorgo Kacani - rektor , UPT; Dhori Kule - rektor i Universitetit të Tiranës; Engjell Dhrami - arkitekt, universiteti ‘Polis’; Besnik Aliaj - rektor, univeristeti ‘Polis’; Kujtim Çashku - regjisor, akademia "Marubi; Amik Kasaruho - ekspert, shoqëria civile; Edlir Vokopola - ekspert i çështjeve urbane, shoqëria civile; Romeo Hanxhari - ekspert mjedisi; Zhani Ciko - drejtor i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit; Enver Faja - arkitekt, univerisiteti UFO; Nevila Nika - historiane, Arkivi i Shtetit; Sokol Dervishi - pedagog, universiteti ‘Epoka’; Gjergji Sinani - pedagog, Universiteti i Tiranës; Grida Duma - pedagoge, Universiteti i Tiranës; Arben Tafaj - kryetar, shoqata ‘Tirana’.
Grupi Teknik me përbërje: Flamur Kuci - arkitekt (drejtues i Grupit Teknik); Gjergj Bakëllbashi - arkitekt, drejtor i Planifikimit Urban, BT; Engjëll Dhrami - arkitek; Henrik Hysenbegasi - arkitekt, drejtor i Kontrollit të Zhvillimit Urbanistik dhe Territorit, BT; Renato Barbullushi - inxhinier, drejtor i Kontrollit të Zhvillimit Urbanistik, BT; Andrea Maliqari - arkitekt; Besnik Aliaj - rektor, universiteti ‘Polis’; Artan Raca - arkitekt; Enton Nauni- arkitekt.
Ali Dhimo - arkitekt; Kreuza Leka - arkitekte, AKPT; Jamarbër Malltezi - ekspert mjedisi, Shoqëria Civile;
Arben Shtylla - arkitekt; Mehmet Kruja - inxhinier, Drejtoria e Planifikimit Urban, BT; Gjergji Papavasili - arkitekt, Drejtoria e Planifikimit Urban, BT; Rudolf Shllaku - arkitekt, qarku Tiranë; Artur Roshi - Instituti i Ndërtimeve; Dhurata Cupi- juriste, drejtor juridik, BT.
Grupi i analizave GIS me përbërje: Arbër Hysi - inxhinier informatik (drejtues i Grupit të Analizave GIS); Edmond Lekaj - inxhinier gjeodet; Alfred Beqirllari - inxhinier.