Plani i shpëtimit për Greqinë, koalicioni dakord për zbatimin
Pavarësisht mosmarrëveshjeve mes tre partive të koalicionit, qeveria greke duket se është e bindur se e vetmja shpresë për shpëtim është zbatimit i planit të shkurtimit.
Për të përshpejtuar procesin e privatizimeve, një nga pikat më të rëndësishme dhe korrigjimin e llogarive publike të kërkuar nga Trojka, kryeministri grek Antonis Samaras është takuar me të dy liderët e partive të koalicionit, socialistin e Pasok, Evangelos Venizelos dhe atë të së Majtës Demokratike, Fotis Kouvelis.
Greqia ka premtuar një sërë masash fiskale dhe reforma me vlerë 11.5 miliardë euro për të bindur huadhënësit ndërkombëtarë për mbajtjen e paketës së ndihmës prej 130 miliardë euro për të shmangur falimentimin, e ndërsa të tre liderët janë duke vendosur mbi planin e qëndrueshëm të privatizimeve të aseteve shtetërore dhe të shkrirjes së institucioneve të panevojshme.
“U informuam nga Kryeministri se i ka kërkuar sekretarit të përgjithshëm të qeverisë projektligjin që përmban 77 reforma të cilat do ta bëjnë më të lehtë procesin e privatizimeve. Këto reforma rishikojnë kryesisht tre Ministri, atë të Financave, Ministrinë e Zhvillimit dhe atë të Energjisë”, tha ministri i Financave Janis Sturnaras pas takimit. Ndërkohë edhe socialisti Evangjelos Venizelos pas mbledhjes me Samaras deklaroi se plani i privatizimeve ka dhënë një mesazh pozitiv.
“Kemi nevojë të japim një mesazh inkurajimi, një mesazh pozitiv dhe duhet të jetë e qartë në nivel ndërkombëtar se Greqia nuk është një partnere e keqe, nuk është e përjashtuar dhe nuk mund të bëhet qengji sakrifikues i Eurozonës”, vlerësoi Venizelos.
Greqia po planifikon të mbledhë rreth 6 miliardë euro fonde afatshkurtra nga bankat kombëtare gjatë kësaj jave.