Zgjedhjet në Maqedoni, BDI koalicion me partitë shqiptare?

Ndërsa fushata për zgjedhjet lokale në Maqeoni ende nuk ka filluar, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti po shqyrton mundësinë e krijimit të një Aleance ndërshqiptare për të garuar bashkërisht në këto në 2013. Një zyrtar i lartë i partisë shqiptare në pushtet ka thënë për mediat maqedonase se Ahmeti me një grup bashkëpunëtorësh më të ngushtë po projekton idenë e një Aleance që do të bashkojnë të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoni, me përjashtim të PDSH-së.
“Ky propozim akoma nuk është nxjerrë në strukturat partiake të BDI-së, por ai edhe do të jetë së shpejti. Ahmeti në vazhdimësi ka menduar për bashkëpunime të tilla politike, duke zgjatur dorën e bashkëpunimit të gjitha partive shqiptare opozitare. Synimi është për një bashkëveprim si me RDK, DR dhe parti e sektorin e gjërë civil, në rrafsh lokal dhe ky bashkëpunim mund të jetë i arritshëm. Pra ideja është për një bashkëpunim për zgjedhjet lokale dhe faktorizimin e votës shqiptare, ndërsa nuk synojmë që të imponojmë tek partitë e tjera politikat tona apo skenare të tjera, por thjeshtë një bashkëpunim në rrafshin lokal, për të avancuar procesin politik të shqiptarëve”, ka deklaruar për mediat zyrtari i lartë i BDI-së.
Jozyrtarisht mësohet se Ahmeti po planifikon idenë e tillë për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe të arrihet marrëveshje për ndarjen e komunave, një marrëveshje kjo edhe me partitë më të vogla dhe për të nxjerrë kandidatura të pranueshme në elektoratin shqiptar.
Zërat të tillë brenda BDI vijnë pas qëndrimit të shprehur të saj se nuk do të ketë aleanca dhe koalicione me VMRO-DPMNE si dhe pas promovimit të koalicionit midis PDSH-së dhe LSDM-së.
Në BDI pranojnë një ide të tillë, duke theksuar shprehjen e fuqisë së votës shqiptare në rrafshin lokal dhe fitoren e disa komunave të rëndësishme, përfshirë edhe komunën e zgjeruar të Kërçovës.