Plani në Veri, Serbia pret përgjigje nga Brukseli
Beogradi është në pritje të një përgjigjeje nga ana e Brukselit për planin e vet për veriun, që parasheh, tërheqjen e doganierëve kosovarë nga pikat 1 e 31. Një zyrtar i qeverisë së Serbisë ka thënë për mediat serbe, se përgjigja do të vijë shumë shpejt. Beogradi synon të vazhdojë dialogun për të folur për këto çështje. Më herët, shefi i delegacionit serb në bisedimet Kosovë-Serbi, Borisllav Stefanoviç, tha se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar po përpiqen të zbatojnë marrëveshjen e arritur në Bruksel ashtu siç u intereson atyre.
“Marrëveshja e cila përmban tre fakte, ka të bëjë vetëm me vulat dhe dokumentacionin përcjellës”, ka thënë Stefanoviç para gazetarëve në Leposaviq, duke shtuar se rreth pikave kufitare nuk është diskutuar, sepse një gjë të tillë Prishtina nuk e ka dëshiruar.
Sipas tij, shqiptarët dhe një pjesë e ndërkombëtarëve kanë dashur të bëjnë atë që kanë bërë, por zgjidhjen duhet gjetur përmes marrëveshjes rreth dialogut për pikat kufitare, në mënyrë që të vazhdojë qarkullimi i mallrave, por pa doganierë të Kosovës.
Ai ka përkujtuar marrëveshjen e gjashtë pikëshit, ku qëndron se pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë të veçanta për shkak të specifikës së terrenit, dhe ato duhet të jenë gjithmonë nën prezencën ndërkombëtare. “Ky është keqpërdorim”, tha ai duke shtuar se Serbia që në raundin e ardhshëm të bisedimeve do të ofrojë planin e saj për zgjidhen e këtij problemi.