E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani për Greqinë është iluzion

Share

Ministrat e financave të Europës pritet të vendosin për një paketë të dytë shpëtimi për Greqinë. Por një nga ekonomistët më të njohur në Gjermani, Hans- Werner Sinn paralajmëron se paratë nuk do ndihmojnë vendin, por vetëm bankat ndërkombëtare. Ai thotë se paratë duhet të përdoren për të financuar daljen e Greqisë nga eurozona. Sot Spiegel del edhe me një editorial ku i bëhet thirrje ministrave të Financave të mos japin paratë për Greqinë. Më poshtë intervista me Sinn.

Ministrat e financave të Eurozonës do të vendosin këtë të hënë për paketën e re të shpëtimit për Greqinë. Bëhet fjalë për 130 miliard euro. A do e shpëtojnë ato Greqinë?

Jo, dhe këtë e dinë edhe politikanët. Nga këndvështrimi i tyre bëhet fjalë për të fituar kohë deri në zgjedhjet e ardhshme. Nga këndvështrimi im, vetëm po humbasim kohë. Sepse borxhi i jashtëm i Greqisë rritet çdo vit deri në daljen e këtij vendi nga bashkimi monetar. Ne i largohemi gjithmonë e më shumë zgjidhjes së problemit. Problemi themelor është se Greqia nuk është konkurruese. Kreditë e lira që ka marrë ky vend nga euro kanë sjellë rritjen artificiale të pagave dhe çmimeve- vendi duhet të ulet poshtë këtij niveli të lartë.

D.m.th është më mirë që shtetet e zonës euro të mos e miratojnë ndihmën?

Ata duhet ta japin ndihmën për të lehtësuar daljen e Greqisë nga eurozona. Greqia duhet të përdorë paratë për të shtetëzuar bankat që të ruajë vendin nga kolapsi. Pavarësisht turbulencave, kjo do sjellë diçka pozitive: bankat e qeveria do vazhdojnë të funksionojnë.

Por këto turbulenca do prekin ashpër popullsinë?

Po, por nuk duhet të mashtrohemi. Turbulencat do jenë të përkohshme. Ndoshta do të zgjasin nga një deri në dy vjet. Kjo kohë do të kalohet me paratë e bashkësisë së shteteve. Dhrahmia do bjerë në vlerën e saj dhe vendi do stabilizohet shumë shpejt. Do jetë si një stuhi e shkurtër e më pas do dalë dielli.

Çfarë do i sillte dalja nga eurozona këtij vendi?

Do e bënte sërish të aftë për të konkurruar. Për shkak se produktet greke do bëheshin më të lira, atëherë do hiqej dorë nga importi dhe do u kthehen mallrave të tyre. Grekët nuk do i blejnë domatet dhe vajin e ullirit nga Holanda e Italia, por nga vetë fshatarët e tyre. Edhe turistët, të cilëve vendi iu dukej shumë i shtrenjtë, do kthehen sërish. Në vend do vërshojë kapital i ri. Grekët e pasur, që kanë depozituar dhjetëra në mos qindra miliarda euro në Zvicër, do të kthehen të investojnë në vend, pavarësisht rënies së çmimeve të banesave dhe pagave.

A nënkupton dalja nga eurozona edhe falimentim të vendit?

Jo, e anasjella. Falimentimi detyron daljen. Grekët do largoheshin nga eurozona sapo komuniteti ndërkombëtar të mos japë më para. Shteti do falimentojë, sistemi bankar po ashtu. Shteti do jetë i paaftë të paguajë, sistemi bankar po ashtu. Kaosi do shmangej nëse Greqia del nga eurozona dhe i kthehet monedhës së re.

*Marrë me shkurtime

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›