Berisha: Pasardhësit e bunkerit kanë uzurpuar kreun e opozitës
Kryeministri Berisha, gjatë përkujtimit të 21-vjetorit të rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, ka sulmuar kreun e opozitës se ka rikthyer Bllokun me anë të psikologjisë së tij, si dhe ka mbajtur peng integrimin e vendit në BE. Sipas Berishës, pasardhësit e bunkerit kanë uzurpuar opozitën. Deklaratat e Berishës janë bërë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, ku është përuruar Pavioni i Terrorit Komunist, në të cilin ka marrë pjesë edhe kryeparlamentarja Topalli dhe ministri i Kulturës, Aldo Bumçi.
Sot pa një 21-vitesh nuk mund të mos theksoj që pasardhësit direkt të bunkerit nuk kanë shprehur pendesën, por kanë ozurpuar kreun e partisë opozitare dhe natyrisht nuk janë kthyer në bllok, por kanë rikthyer bllokun në psikologjinë e tyre. Këta shokë, ose zotërinj bllokuan për dy vite procesin e integrimit të vendit duke dëshmuar se interesi i tyre, se doktrina e etërve të tyre është më parësore se interesi i shqiptarëve dhe vendit, theksoi Berisha.
Sipas Berishës, kjo datë e rëndësishme ndan dekadat e shtypjes ekstreme, poshtërimin më çnjerëzor, kujton datën në të cilën mijëra shqiptarë me një guxim e kurajë të pabesueshme përmbysën jo bronzet metalike, por përmbysën në Tiranë bronzet e gjalla.
Evropa ka njohur në historinë e saj diktatorë nga më të ndryshëm, por ajo ka të regjistruar në memorien e vet dy më mizorët, Hitlerin dhe Enver Hoxhën. Hitleri mbi baza racizmi ndërmori krimet më monstruoze, Hoxha si Hitleri pas luftës, organizoi mbi bazën e luftës së klasave terrorin më të paparë ndaj një kombi në Evropë, shtoi më tej kryeministri.
Sipas Berishës, në stendat e kësaj ekspozite ‘ne do njihemi me qëndresën sakrificën, burrërinë, heroizmin e qindra mijëra grave dhe burrave që u flijuan vetëm e vetëm se ata njësoj si ne besonin te Zoti, donin të flisnin të lirë, donin që vendi i tyre të ecte drejt Evropës, të bashkohej me kombet e qytetëruara evropiane’.
Ai theksoi se në këto stenda mungojnë shumica, mijëra heronj të pakënduar. Çfarëdo që të bëjmë ne sot e kemi të vështirë t`i shpjegojmë brezit që vjen ato që përjetoi vendi i tyre, por kurrë nuk duhet të heshtim që kjo të mos mund t`i ndodhë më kombit shqiptar. Ky komb ka historinë e vet, por historia e diktaturës është më e dhimbshme dhe më e pamerituar e kombit shqiptar, theksoi më tej Berisha.

Berisha me djalin e Enver Hoxhes per pushime ne Pogradec