Presidenca: Topi nuk ishte tek përurimi i ambasadës kosovare për shkak të gjendjes virale
Presidenca ka publikuar sot një sqarim lidhur me pamundësinë e pjesëmarrjes së Presidentit Topi në ceremoninë e përurimit të Ambasadës së Kosovës në Tiranë.
Nisur nga disa keqkuptime dhe komente kontradiktore të paraqitura ditët e fundit nga disa media vizive e të shkruara, Zyra e Protokollit të Presidentit të Republikës, sqaron publikisht dhe zyrtarisht për herë të parë se: Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi ka marrë ftesë për në ceremoninë e përurimit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë si dhe për në pritjen që do të organizohej më pas në Hotel Sheraton ditën e premte, më 17 shkurt 2012.
Në pamundësi për të marrë pjesë personalisht për shkak të një gjendjeje virale, Presidenti Topi ka komunikuar në telefon me të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së Kosovës, zotin Gani Veselaj, të cilin e ka uruar edhe njëherë për Festën e Pavarësisë së Kosovës, duke e falenderuar njëkohësisht edhe për ftesën. Të premten në mesditë, Presidenti Topi ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, së cilës i shprehu edhe njëherë urimet më të ngrohta për katërvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, thuhet në njoftimin e Presidencës.