Rama: Thirrja e BE-së, tjetër këmbanë për Berishën
Tiranë - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka dalë sot në një konferencë për shtyp ku ka deklaruar se opozita bashkohet me thirrjen e ambasadorëve të BE-së, që qeveria të mos ndërhyjë tek organet e drejtësisë. Sipas Ramës, kjo është një tjetër këmbanë për Berishën. Kryeministri, sipas tij, duhet t’i bindet kërkesës së ndërkombëtarëve për të respektuar parimin e llogaridhënies para ligjit pa ushtruar presin mbi njerëzit e ligjit.
"Thirrja e fortë e Bashkimit Europian, sot, është një tjetër alarm për të gjithë qytetaret e qytetarët e këtij vendi, që duhet të jenë në front për të zbrapsur dallgën e ngritur të presionit qeveritar ndaj njerëzve të ligjit. Thirrja e fortë e Bashkimit Europian sot është një tjetër shprehje e faktit që Sali Berisha për shkak të interesave ekskluzivisht personale e klanore, të lidhura me botën e përfitimeve të paligjshme, ka futur qeverinë e vendit, mazhorancën parlamentare të vendit, në një konflikt privat me Prokurorinë e Republikës"- tha Rama.
Vendi, sipas kreut te selise roze, gjendet në barrikadën për të zbrapsur një fuqi që po del përditë e më shumë nga binarët e vetkontrollit, se nga binarët e kushtetutës dhe ligjit u bë kohë që ka dalë dhe që kërcënon në mënyrë shumë të hapur dhe të rrezikshme, integritetin e Prokurorisë së Republikës dhe sistemit të drejtësisë në vend. Kjo, ka theksuar me tej ai, për shkak interesash private dhe në funksion të një konflikti privat. Ai e ka quajtur një ndër shfaqjet më të turpshme që ka dhënë qysh në krye të herës kjo shumicë qeverisëse, që është kthyer në zyrë avokatie e një seksesi serb, i cili ka kthyer Kryeministrin e vendit në një sekser për aferat e tij, së bashku me klanin Berisha.
"Nuk ka shfaqje më të shëmtuar dhe më të trishtuar se sa kjo që po japin përditë zëdhënësit dhe përfaqësuesit e një mazhorance të lindur nga vullneti i popullit shqiptar për të luftuar korrupsionin dhe të katandisur në një trup avokatore, që mbron nga prokuroria dhe nga hetimi një sekser, i cili ka lidhur me fijet e interesave të paligjshme një klan të tërë, që është klani i Kryeministrit. Është koha për të nënvizuar edhe një herë vullnetin e palëkundur që t'i japim fund kësaj serie shfaqjesh të shëmtuara, që t'i japim fund kësaj mënyre qeverisje të vendit, që t'i japim fund traditës së konfliktit me institucionet e pavarura dhe të hapim një faqe të re"- theksoi Rama.
Ai ka garantuar se se bashku me qytetaret e ketij vendi, do ta hapin nje faqe të re. Qytetarët, sipas tij, duhet të jenë të sigurt, se me fitoren tonë në zgjedhjet e ardhshme, do të mbyllet kapitulli i kësaj mënyre të të qeverisurit, i kësaj mënyre të uzurpimit dhe të shfrytëzimit të pushtetit, i kësaj mënyre të kalërimit mbi interesat e vendit dhe të njerëzve.
Ne fund, ai ia ka bere thirrje Kryeministrit të vendit, që të tërhiqet pa humbur kohë dhe të mos lëvizë jashtë kufijve të detyrimeve të tij kushtetuese dhe ligjore, por të respektojë këtë shqetësim të madh të SHBA-së, BE-së, qytetareve e qytetarëve të këtij vendi. "Minimalisht të mbyllë gojën në raport me probleme e proçese që nuk kanë të bëjnë me detyra të tij kushtetuese e ligjore dhe maksimalisht ta hap gojën përpara prokurorëve dhe të tregojë të gjitha ato që di, lidhur me gjithçka që sot është kthyer në shqetësim publik, si rrjedhojë e tragjedive që kanë ndodhur, e grabitjeve që duhen zbardhur dhe e këtyre historive të pastrimit të parasë, të uzurpimit të pronave, të adresimit të interesave personale në dëm të interesave publike"-perfundoi Rama.