Plani rregullues i Durrësit konsultohet për herë të dytë
Plani rregullues i qytetit port do të orientojë zhvillimin dhe investimet në qytet, duke siguruar një sistemim urban që i jep fund kaosit të 20 viteve të fundit. Bashkia e Durrësit, në kuadër të përgatitjes së planit rregullues të të gjithë qytetit, i cili kryhet nga studiot "Hydea" dhe "Atelier 4", i përfshirë në projektin LAMP, ka organizuar një konsultim të dytë teknik me grupet e interesit në pallatin e kulturës "Aleksandër Moisiu" në Durrës. Në këtë diskutim merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, drejtuesi i projektit LAMP, Hari Baral, ekspertë të fushave të ndryshme si ajo e ekonomisë, urbanistikës, transportit, mjedisit, ndërtues, intelektualë e qytetarë të Durrësit. Ky diskutim, pas një paraqitjeje të zgjeruar të projektit LAMP nga ana e drejtuesit të tij, Baral, u zgjerua në disa tema që kishin lidhje me planin rregullues të qytetit, si planifikimi urban, mjedisi, transporti, ekonomia urbane dhe shërbimet. Të ftuarit zhvilluan një sërë diskutimesh që u përqendruan në planet mbi zhvillimin e qytetit. Në fjalën e tij, kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, deklaroi se ky plan rregullues i qytetit është një plan strategjik për zhvillimin: "Kemi organizuar këtë diskutim të dytë teknik me grupet e interesit, në mënyrë që të kontribuojmë sa më shumë në këtë plan që rregullon të ardhmen e këtij qyteti dhe që do të orientojë investimet të cilat do të bëhen në Durrës". Projekti LAMP financohet nga Banka Botërore dhe po aplikohet në katër bashki, që janë ajo e Durrësit, Vlorës, Shkodrës dhe Kamzës. Ky projekt ka një fond prej 1 milion dollarësh, me anë të së cilit do të hartohen planet dhe rregulloret e zhvillimit strategjik urban për këto katër qytete. Nga ky fond i përgjithshëm, rreth 270000 dollarë janë përcaktuar për hartimin e planit rregullues të qytetit të Durrësit, që përfundon në fund të vitit dhe në vitin 2010 pritet të fillojë zbatimi që shtrihet në një afat kohor 25-vjeçar, gjatë së cilit të gjitha investimet në qytet do të orientohen mbi bazën e këtij plani rregullues, që synon të respektojë vlerat dhe traditën e Durrësit. Objektivi i projektit është të përmirësojë efikasitetin dhe efektshmërinë e administrimit të tokave dhe menaxhimit urban nëpërmjet forcimit të sigurisë së pronësisë, përmirësimit të planifikimit urban, menaxhimit të tokave dhe kontrollit të zhvillimit, mbështetjes për vlerësimin dhe tatimin e pasurive dhe nëpërmjet investimeve financiare në shërbimet dhe infrastrukturën urbane. Në këtë diskutim të dytë publik u theksua fakti që plani rregullues duhet t‘i inkurajojë investitorët të investojnë duke respektuar nevojat e qytetarëve, profilin e qytetit dhe kushtet mjedisore, duke siguruar mirëqenien e duhur të jetesës dhe duke ofruar produkte urbane të mirëmbajtura dhe të menaxhueshme brenda kapaciteteve të tyre.