E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, si një situatë ‘win-win‘

Gjatë vitit të kaluar, pesë shtete të rajonit ndërmorën reforma fondamentale që do të ndihmojnë mbrojtjen e tyre dhe të Bashkimit Europian nga krimi i organizuar dhe imigrimi jolegal. Ato kanë prezantuar pasaportat biometrike, modernizuar vendkalimet e tyre kufitare, kanë ndërtuar qendra pranimi për azilkërkues, kanë krijuar bashkëpunim të afërt me Europol, Eurojust, Frontex e me Interpol, dhe kanë përforcuar luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar.

Pjesa më e madhe e këtyre shteteve kanë punuar me një shpejtësi dhe përkushtim të pabesueshëm. Ato kanë pasur arsye t‘i përmbushin të 50 kushtet e parashtruara nga Komisioni Europian vitin e kaluar, përmes ‘kartave të rrugës së vizave‘. Shpërblimi përfundimtar, atraktiv edhe për qytetarët, edhe për liderët e këtyre shteteve, është udhëtimi pa viza brenda zonës ‘Shengen‘. Vlerësimi i Komisionit, muajin e kaluar, pohonte se Maqedonia ka përmbushur kushtet e ‘kartës‘; Mali i Zi dhe Serbia kanë përmbushur shumicën e kushteve; dhe se Shqipëria e Bosnjë- Hercegovina duhen të bëjnë ende punë ndërkohë.

Tani, ‘topi‘ është në fushën e BE-së. Njerëzit e gjithë rajonit tani pyesin: A do ta shpërblejë vërtet BE progresin e bërë dhe të pezullojë kërkesat për viza? Procesi i liberalizmit të vizave ka kohë që pritej. Meqenëse në fillim të viteve të ‘90 obligimi i vizave u ishte imponuar të gjitha vendeve të rajonit, përveç Kroacisë, qeveritë e tyre kërkuan që ato t‘u hiqeshin qafe sërish.

Në vitin 2003, në Samitin Ballkanik në Selanik, atyre iu premtua diskutimi për reformat e domosdoshme, megjithëse nuk pasoi asnjë vazhdim për vite me radhë. Rrjedhimisht, megjithëse të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor ishin kandidate potenciale për anëtarësim në BE, qytetarët e tyre vazhduan prisnin në radhë për viza - një punë kjo e gjatë, me stres dhe e shtrenjtë, por pa asnjë rezultat të sigurt pozitiv. Në mendjet e tyre, këto kërkesa për vizë nxitën dyshime serioze në kredibilitetin e perspektivës europiane të shteteve të tyre. Procesi aktual përfundimisht u lançua atëherë kur Komisioni Europian dhe shtetet kritike të BE-së e kuptuan se situata paraqiste një disavantazh për vetë BE-në, jo vetëm për shkaqe politike, por edhe parë nga perspektivat e zbatimit të ligjit.

BE duhet të përmirësojë bashkëpunimin me organet kompetente të zbatimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor - të rrethuar nga të gjitha anët me shtete anëtare të BE - në mënyrë më të efektshme të luftojë migracionin ilegal dhe krimin e organizuar. Në vitin 2006, vendeve të Ballkanit Perëndimor fillimisht BE u ofroi lehtësim të vizave (procedura më të lehta aplikimi për viza) në këmbim të Marrëveshjeve të Ripranimit (që u lejonin shteteve të BE-së të kthenin prapa imigrantët e ardhur ilegalisht, në vendet e tyre të origjinës ose tranzitit). Pastaj, në janar 2008, u pasua me dialogun aktual rreth vizave, të koncentruar në ‘kartat e rrugës‘. Mes muajve janar dhe mars të këtij viti, 15 misione të përbëra nga ekspertë të zbatimit të ligjit nga shtetet anëtare, por edhe zyrtarë të Komisionit, u dërguan në Ballkanin Perëndimor. Ekspertët vëzhguan se çfarë ishte arritur në përparimin e dokumentit të sigurisë, në kontrollin e kufijve, menaxhimin e imigrantëve dhe në sigurinë publike. Kjo ishte analiza më e detajuar e çështjeve shtetërore, e ndërmarrë ndonjëherë në këtë rajon. Bazuar në rezultate, Komisioni mund t‘i hartonte vlerësimet e detajuara. Për habinë e shumë skeptikëve, kushtëzimi prodhoi rezultate për gjithë rajonin.

Cilët janë hapat e ardhës? Tani Komisioni duhet të bëjë propozimin për shtetet që nuk duhet të jenë më temë e kërkesave për vizë. Pastaj, të konsultohet me Parlamentin Europian, kurse në vjeshtë, Këshilli do të votojë rreth propozimit me një shumicë të thjeshtë. Maqedonia duhet të përfitojë udhëtimet pa vizë, sepse i ka përmbushur kërkesat e ‘hartës së rrugës‘. Gjithashtu, para se të votojë Këshilli, Komisioni duhet të propozojë që edhe Serbia dhe Mali i Zi të futen "në Listën e Bardhë të Shengenit", meqë kanë dëshmuar vullnet politik duke përmbushur shumicën e kërkesave, për të treguar kështu një përkrahje të vazhdueshme ndaj tyre. Në fund, do të ishte e këshillueshme që, simbolikisht, edhe Shqipëria e Bosnjë-Hercegovina të lëviznin drejt Listës së Bardhë.

Procesi i ‘hartës së rrugës‘ ishte një shembull tipik i doracakut të kushtëzimit. Edhe pse, kushtëzimi jo vetëm që kërkon një shpërblim të përshtatshëm, dhe kushte të detajuara dhe të qarta, por ai duhet edhe të dorëzohet, atëherë kur kushtet të jenë përmbushur. Në këtë mënyrë, BE do ta përforcojë kredibilitetin e tij në rajon, por edhe do të krijojë një tokë pjellore për reforma të mëtjeshme e do të nxisë bashkëpunimin ndërkufitar mes institucioneve gjithnjë e më kompetente për luftimin e kërcënimeve të përbashkëta.

Që procesi të jetë i besueshëm është me rëndësi që të mbetet teknik, dhe i bazuar në merita. Sepse ai, njëkohësisht, ka nxitur edhe rritje të pritjeve përgjatë gjithë rajonit. Për këtë arsye, takimi që u mbajt në Luksemburg midis ministrave të Jashtëm të BE-së, duhet të dërgonte një sinjal të qartë se procesi i liberalizmit të vizave është një prioritet jo vetëm për rajonin, por edhe për vetë BE-në, dhe se do të përshpejtojë procesin e vendimmarrjes, për ta bërë kështu udhëtimin pa vizë një realitet, deri në janar 2010. Një sinjal i fuqishëm është me rëndësi për shtetet si Maqedonia, ku mbështetja e BE po zbehet; dhe për shtetet si Serbia, ku qeveria pro-evropiane është nën presion për t‘i përmbushur premtimet e saj europiane. Do të ishte e rëndësishme edhe që ministrat e Jashtëm të BE-së të reflektonin edhe për Kosovën.

BE flet shumë për kushtëzimin në Ballkan. Është e drejtë të bëhet kjo. Kushtëzimi vepron për mrekulli, sa kohë që është i besueshëm, strikt dhe i drejtë, si dhe përderisa lidhja mes reformave e shpërblimeve është e qartë; kumtohet drejt dhe veprohet sipas saj. Rrëfimi për ‘kartën e rrugës‘ tregon se ende ka shumë jetë në nocionin e fuqisë së butë të BE-së në Ballkan. Nga ndërmarrja e hapit tjetër logjik do të përfitonte çdokush, edhe BE-ja, edhe Ballkani Perëndimor. Është kjo, për herë të parë, ngjan vërtet një situatë ‘win-win‘.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›