E Shtunë, 31 Tetor 2026

IRANI, PAMUNDESIA E MESIMIT

Pak ditë përpara u mbyllën zgjedhjet presidenciale në Iran dhe siç duket, Ahmadinexhad e rikonfirmoi për herë të dytë mandatin e tij. Por këtë herë larg konsensusit popullor të para katër vjetëve, ish kryebashkiaku i Teheranit, duket se ka ngjallur shumë kundërshtime, të demonstruara nga përleshjet në sheshe, të cilat nuk pushojnë.

Kundërshtari i tij, Mousavi, deklaron gjithashtu fitore dhe shpall pavlefshmërinë e rezultatit dhe ndërhyrjen e Këshillit të Rojeve të Revolucionit, autoriteti suprem për zgjedhjet.

Kështu, shoqëria iraniane po shfaq simptomat e krizës së pakthyeshme, e cila ose do ketë zhvillime në drejtim të reformimit, ose shtim të represionit dhe rënien e vendit në spiralen e dhunës. Tashmë, vendit të udhëhequr nga ajatollahët, nuk i mjafton demokracia teokratike e afruar deri më sot.

Si vendi më i ndriçuar nga pikëpamja arsimore i rajonit dhe një ndër shoqëritë më të hapura të botës islame, Irani paraqet rastin interesant se sa do jetë e aftë një shoqëri myslimane të marrë udhën e një demokracie, e pandikuar nga shtysat e jashtme.

Vendi me 71 milionë banorë dhe i vetmi ku shiitët kanë fuqinë, ngjan politikisht me ish-Bashkimin Sovjetik në prag të kolapsit. Me një ekonomi ku 60 % e zë prona shtetërore dhe tentativat për privatizim janë quajtur shkelje të Kushtetutës (ironi e fatit, por reformatori Mousavi është një ndër hartuesit e saj); me inflacion 28%, papunësi 12.5%, urbanizim prej 2.1% në vit (fshatarë që rrethojnë qytetet dhe janë të papunë), vendi nuk përbën një rast që të entuziazmon dhe duhet marrë si shembull zhvillimi nga të tjerët. Gjuha e regjimit, shumë e ngjashme me gjuhën e drunjtë të përdorur nga komunistët kur ishin në pushtet (jo më kot ekstremet bashkohen), flet për një plan të katërt pesëvjeçar, i cili do të ndihmojë në industrializimin e modernizimin e vendit. Por edhe pse rritet me 6.5% në vit, peshën e luanit në eksportet iraniane e ka nafta dhe gazi me 80%, çka flasin për një ekonomi ekstensive me parametra të vendeve të botës së tretë. Ka arritje në arsim dhe shëndetësi, ku ka primatin në vendet myslimane të Lindjes së Mesme, por 4.5 milionë njerëz, mbahen me ndihma shtetërore dhe shpërndarja e kuponëve të naftës dhe ushqimit të destinuara si ndihmë për të varfrit, është kthyer në një tregti korruptive. Irani zë vendin e tretë për prodhimin e naftës dhe rezervave të saj në botë, por kjo pasuri po shpërbëhet në mënyrë të papërgjegjshme, duke iu shmangur mekanizmit të tregut dhe përdorur për qëllime ideologjike. Rrjedhimisht nga 4.7 milionë fuçi në ditë që prodhon, 1/3 e konsumon brenda vendit me çmime politike dhe një pjesë të eksporteve e drejton në vendet ku ka popullsi myslimane shiite dhe qeveri miqësore, por çmimi diktohet po nga politika.

Me një popullsi me moshë mesatare 27-vjeçare, të etur për progres, me një inteligjencë të arsimuar shpesh në universitetet më të mira amerikane dhe një diasporë të fuqishme ekonomikisht, të mirëintegruar në vendet pritëse dhe të lidhur ngushtë me vendin e origjinës, është vështirë që vendi të mbahet në statuskuonë aktuale, pa një zhvillim serioz. Por megjithëse sot pas tridhjetë vjetësh, revolucioni islam ka dështuar në industrializimin e vendit dhe objektivat e tij, kasta drejtuese klerikale, Rojet e Revolucionit dhe gjithë administrata, duken më të interesuara për ruajtjen e privilegjeve dhe statusit aktual, sesa t‘i hapë rrugë progresit dhe demokratizimit real.

Në realitet, edhe vetë lufta midis dy pretendentëve presidencialë, është luftë midis pinjollëve të regjimit. Është e vërtetë se fundet e regjimeve vijnë nga pinjollët e tyre, por karrierat e pretendenteve, ngjajnë si dy pika uji për sa i përket dhunës shtazarake të ushtruar ndaj kundërshtarëve, që i bën besnikë pa kushte ndaj regjimit.

Asnjëri nga pretendentët nuk është klerik si profesion, por e kanë shfrytëzuar zellin fetar për karrierën e tyre politike. Ahmadinexhadi, është inxhinier civil, i bashkuar me revolucionin islamik të udhëhequr nga Khomeini në moshën 23-vjeçare, për të qenë një ndër pengmbajtësit e personelit të Ambasadës Amerikane dhe pjesëtar i Rojeve të Revolucionit. Në karrierën e tij, herë si guvernator provincash dhe herë si drejtues politik, është shquar për intrasigjencë dhe populizëm, por natyrisht nuk mund t‘ia falë Khatamit dhe ndjekësve të tij, të cilët e kanë luftuar dhe shkarkuar nga postet që mbante si në rastin kur ishte Guvernator i Krahinës së Ardabil.

Po ashtu, Mousavi, është një inxhinier arkitekt, i lidhur me regjimin e ardhur në fuqi më 1979-n dhe i emëruar Kryeministër dy vjet më vonë. Në karrierën e tij, mbahet mend për represionin në fushën kulturore dhe artistike ku si Kryetar i Këshillit për Revolucionin Kulturor, ndaloi për 4 vjet funksionimin e sistemit universitar dhe në 1988 për hartimin e Kushtetutës, e cila i jepte fuqi të jashtëzakonshme Liderit Suprem. Por njolla më e zezë në karrierën e tij, janë ekzekutimet masive të viteve ‘80-‘81 dhe pushkatimi e groposja në varre masive në vitin ‘88 e 30 mijë kundërshtarëve politikë.

Nëse Ahmadinexhadi, nëpërmjet programeve të përkrahjes sociale, ka fituar mbështetjen e masave, të cilat duke i ikur varfërisë së fshatit, janë shtresa më e pambrojtur në qytete; Mousavi ka rrokur nevojën e shtresave tashmë të integruara në qytete dhe të rinisë, e cila kërkon më shumë hapje ndaj botës dhe barazi ndaj gjinive, lejimin e televizioneve private dhe transparencën e buxheteve, ku fetat e të ardhurave nga eksportet e naftës, ndahen në mënyrë okulte.

Edhe në fushën e politikës së jashtme, secili nga kandidatët, nuk ka bërë deklarata që dënojnë, ose të paktën të deklarojnë tërheqjen e mbështetjes për organizatat terroriste.

Por në fund të analizave, asnjëri prej tyre nuk ka dënuar të shkuarën e regjimit dhe kërkon ndryshimin radikal të tij.

Në fushën e politikës së jashtme, secili prej tyre nuk ka ndryshim thelbësor, dhe të dy, në vazhdën e teorisë se "një shtet atomik, është gjithmonë i paprekshëm", me tempe dhe mënyra të ndryshme, kanë plan zhvillimin e fuqisë bërthamore iraniane, si një siguri për mbijetesën e regjimit. Pavarësisht retorikës luftarake në politikën e jashtme nëpërmjet zhvillimit të programit bërthamor; programit të raketave me rreze të mesme deri 3.000 km me të cilat mund të godasë Izraelin dhe, mosnjohjen e këtij shteti dhe kërcënimet për zhdukje nga faqja e dheut, aktualisht Irani ka shumë kokëçarje të brendshme për të ndërmarrë një aventurë jashtë kufijve, që do sillte si pasojë reprezalje dhe ndoshta fshirje të regjimit nga faqja e dheut. Ajatollahët nuk duken aq indiferentë ndaj të mirave të jetës në tokë, që të shpejtojnë të kapin jetën e përtejme. Fati i Sadamit nuk është frymëzues.

Është interesante që fajkoi i skenës, Ahmadinexhad, pas fitores, ka deklaruar se "programi bërthamor iranian është një çështje që mund të diskutohet dhe braktisja e tij, një opsion që mund të shihet", por ndoshta kjo është vetëm një tërheqje taktike, derisa të lajë hesapet brenda shtëpisë.

Në krahun tjetër, Shteteve të Bashkuara, nuk iu intereson një andrallë tjetër, me pasoja të paparashikueshme politike, mijëra kilometra larg shtëpisë, që për më tepër do fyente 215 milionë shiitët anembanë botës, një sekt i cili është më i hapuri i botës islame. Me sa duket në dosjen "Iran", është vendosur që ashtu si në rastin e komunizmit, fundi i regjimit të vijë nga vetë pesha e tij dhe nga mosfunksionimi. Koha që do kërkojë kjo fundosje, varet nga vullneti i pushtetmbajtësve dhe rezervat e naftës. Rruga islame drejt mirëqenies nuk ekzistuaka, dhe modeli kinez, është një recetë me përdorim të kufizuar.

Mbetet për t‘u parë nëse ajatollahët e Teheranit, do jenë po aq të mençur sa politbyroistët e Moskës, për t‘u hapur portat proceseve natyrale të zhvillimit, apo do ta zhysin vendin e tyre në një kolaps ekonomik, varfëri dhe terror policor. Kjo është një dilemë që nëse nuk është shtruar për zgjidhje, nuk do vonojë të jetë në tavolinat e vendimmarrësve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›