E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet e emigrantëve, ofrohen lehtësira për pagesat e kontributeve

Emigrantët që do të vijnë për pushime përgjatë tre muajve të verës, përveçse do të çmallen me të afërmit dhe vendlindjen, do të kenë mundësi edhe për të menduar për të ardhmen e tyre. Madje edhe për pensionin e pleqërisë.

Emigrantët që kthehen në atdhe, gjatë sezonit veror, mund ta shfrytëzojnë këtë periudhë për të paguar sigurimet shoqërore për vitet e mbetura. Vetëm në këtë mënyrë ata mund të marrin pension kur të arrijnë moshën e duhur dhe duke plotësuar të paktën kriterin e pagesës së kontributeve minimale për një përfitim mujor shtetëror. Përfaqësues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore shpjegojnë se emigrantët mund të sigurohen për periudhat që nga viti 2003 e deri tani, duke përfituar edhe nga lehtësitë që ofrohen për pagesat. Sipas një projekti të Sigurimeve Shoqërore, mbetet në fazë diskutimi çështja e një bashkëpunimi mes vendit tonë dhe një banke ndërkombëtare, e cila ka numër të konsiderueshëm degësh në disa vende të BE-së, ku ka dhe shumicë emigrantësh shqiptarë.

Sipas statistikave të ISSH-së, vetëm në Greqi dhe Itali numri i emigrantëve shqiptarë llogaritet në rreth 1.2 milionë vetë, një pjesë e mirë e të cilëve i kanë paguar sigurimet shoqërore gjatë periudhës që kanë jetuar në Shqipëri.

Lehtësirat

Sipas ISSH-së, të gjithë emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Itali u krijohet mundësia të mbledhin informacion për historikun e tyre kontributiv, që ata kanë realizuar në Shqipëri, direkt nga vendet ku jetojnë. Ndërkohë që mund t‘i kryejnë pagesat si në kohën kur ndodhen me pushime, ashtu edhe në të ardhmen, kur projekti mes institucioneve homologe dhe bankave ndërkombëtare të ketë përfunduar dhe të jetë detajuar në çdo pikë të tij.

Po kështu, të gjithë ata që konsiderojnë si mundësi rindërtimin e periudhave të tyre të kontributeve në shtetin shqiptar, me qëllim mbrojtjen sociale në rastet e pleqërisë, invaliditetit dhe humbjes së mbajtësit të familjes, nëpërmjet protokoll marrëveshjes së firmosur vetëm pak kohë më parë nga ISSH dhe INAS-CISL, u krijohet mundësia e marrjes së informacionit dhe futjes në skemë direkt nga vendet ku jetojnë.

Karta informative

Të gjithë emigrantët, të cilët duan të dinë për periudhat e sigurimit që kanë në Shqipëri, para viteve 1990 apo të plotësojnë vakumet për të përfituar më pas pension, kanë edhe një zgjidhje tjetër alternative. Kjo, sipas marrëveshjes që Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka lidhur me INAS-CISL, i cili është edhe instituti më i madh i asistencës sociale për emigrantët në Itali.

Sipas ISSH-së, të gjithë ata emigrantë të cilët do të duan informacion për pensionet, për vitet e tyre të punës, apo do të kërkojnë të derdhin kontribute për të përfituar pension, do të pajisen me një dokument informues, i cili do t‘u vlejë atyre si librezë pune në rastin kur t‘u afrohet pensioni.

Kjo do të thotë që inspektorët e sigurimeve do të kryejnë inspektimet dhe do të plotësojnë të gjithë dokumentacionin në adresë të të interesuarit.

Kjo do të jetë një procedurë e përcaktuar. Ndërkohë që përgjigjja do t‘u jepet atyre nëpërmjet postës zyrtare, apo edhe përmes postës elektronike.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›