E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohen anëtarët e rinj të Këshillit Bashkiak

Pavarësisht dështimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak për shqyrtimin e planit rregullues të Tiranës, një punë ka arritur të mbyllet me sukses. Janë betuar 10 këshilltarët e rinj të Këshillit Bashkiak, pesë të Partisë Socialiste dhe pesë të Partisë Demokratike. Pasi kanë dhënë dorëheqjen dhjetë anëtarët e Këshillit Bashkiak, të cilët tashmë kanë mandatin e deputetit, menjëherë lista e këshilltarëve është spostuar më poshtë, duke përzgjedhur sipas rendit, ata që do të zëvendësojnë 10 të larguarit. Kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, ka deklaruar se edhe anëtarët e rinj shumë shpejt do të futen në rrjedhën e punës. Dervishaj u ka uruar suksese anëtarëve të rinj, ndërkohë që ka kërkuar "falje" për seancën shumë të shkurtër të kësaj mbledhjeje. Sipas tij, do të kishte qenë më mirë nëse në këtë mbledhje do të ishin bërë punë të mëdha, do të ishin shqyrtuar vendimet dhe njëkohësisht do të ishte një sukses takimi i tyre i parë nëse prezantimi i planit rregullues do të ishte dinjitoz. Në listën e sqarimeve, kryetari i Këshillit Bashkiak ka sqaruar për të "vjetrit", por edhe për të rinjtë, një tjetër problem që kanë hasur strukturat në përgatitje të fotokopjeve të 700 planeve rregulluese, shumëfishimin për secilin këshilltar, hartat përkatëse, informacionin bashkëshoqërues dhe kopjet e CD-ve. Puna sipas Dervishaj ka qenë me probleme dhe e vonuar për shkak të vonesave nga ana e strukturave të bashkisë. Në një deklaratë të drejtpërdrejtë, Dervishaj i është drejtuar Artan Agollit dhe e ka bërë me "faj" për vonesë të shpërndarjes së informacionit. Kjo ka qenë edhe arsyeja dhe përgjigjja për anëtarin Gjergj Bojaxhi, i cili me të drejtë ka kërkuar me qetësi shqyrtimin e planit dhe prezantimit edhe pse në një formë dokumentari në Power Point. Por informacionet shtesë, tabelat, hartat dhe gjithçka bashkëshoqëruese janë më tepër se të nevojshme për të kuptuar nëse ky plan është i vlefshëm, ka nevojë për rregullime, për diskutime dhe pyetje të mëtejshme, në dobi dhe të mirë të infrastrukturës së kryeqytetit dhe përmirësimin e jetesës së banorëve të Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›