Meta: Pranojmë negociata, por pa hapur kutitëNga TemaFlet zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta Z. Meta, Partia Socialiste pretendon se Rezoluta e Këshillit të Evropës ishte sukses i saj duke pretenduar kërkesën për ngritjen e Kom
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Meta: Pranojmë negociata, por pa hapur kutitëNga TemaFlet zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta
Z. Meta, Partia Socialiste pretendon se Rezoluta e Këshillit të Evropës ishte sukses i saj duke pretenduar kërkesën për ngritjen e Komisionit hetimor parlamentar. Ndërkohë, si do të proçedohet më tej, a do të merret në konsideratë mbledhja e një tryeze nga ana e Presidentit?
Është për të ardhur keq me qëndrimin jo të sinqertë të Partisë Socialiste. Së pari Strasburgu ishte një dështim i madh për ta dhe evidentoi edhe politikën e tyre destruktive në dëm të vendit, sikurse ishte kërkesa e tyre për heqjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila nuk u mor nën konsideratë për arsye se në rast se Shqipëria ka një problem, i cili është mosfunksionimi parlamentar i opozitës, ky është një problem i shkaktuar nga vetë lidershipi i saj. Së dyti, ne e kemi përshëndetur dhe e përshëndesim rezolutën, madje edhe kur ajo ka qenë një projekt-rezolutë, sepse në fund të fundit i gjithë thelbi i kësaj rezolute ka të bëjë me atë që maxhoranca i ka ofruar me kohë opozitës. Komisionin hetimor parlamentar ne e kemi ofruar me kohë, madje edhe duke u treguar të hapur dhe zemërgjerë to të thoja, duke u ofruar edhe shumicën, pasi kjo është brenda legjislacionit të funksionimit të Parlamentit tonë. Ndërkohë ju e shihni qartë që ata vetëm i lexojnë mbrapsht rezolutat, duke mos patur asnjë vullnet për dialog duke qene se nuk pranojnë një dialog që respekton Kushtetutën e vendit, çka është esenciale dhe e panegociueshme, por njëkohësisht vendosin kushte të cilat e zhvleftësojnë dialogun ende pa filluar. Është me të vërtetë për të ardhur keq.
Z. Meta, në lidhje me këtë pikë, a keni patur ndonjë konsultë me kryetarin e koalicionit qeverisës, z. Berisha, lidhur me një takim me Presidentin e Republikës? Ju si parti politike jeni treguar shumë të hapur për këtë tryezë, ndërkohë që Kryeministri nuk është treguar shumë entuziast për një zgjidhje nga Presidenti për sa kohë që Partia Socialiste nuk pranon hetimin pa hapjen e kutive?
Besoj se qëndrimi i Kryeministrit ka qenë tepër korrekt dhe parimor, i cili ka bërë të ditur se nuk ka asnjë lloj paragjykimi për cilindo që inicion një dialog, por padyshim që është shumë e rëndësishme që dialogu duhet të ndodhë mbi bazën e respektimit të Kushtetutës së vendit dhe kuptohet se në kushte ku Edi Rama kërkon të vendosë një kërkesë anti-kushtetuese, ky lloj dialogu nuk mund të funksionojë dhe as nuk mund të ketë ndonjë rezultat. Pra, ai nuk ka asnjë paragjykim për institucionin e Presidentit, por ka një mosbesim në lidhje me seriozitetin e z. Rama në përpjekjen për të zgjidhur këtë krizë e cila është kryesisht krizë e opozitës. Opozita i ka injoruar rregullat e lojës, të cilat i ka firmosur vetë, dhe natyrisht që z. Rama synon që në këtë krizë të tij, të tërheqë edhe institucionet e tjera të vendit. Ai duhet të bëjë të qartë pozicionin e tij.
Z. Meta, hapja e kutive të votimit sipas jush është anti-kushtetuese, ndërkohë që ju vetë keni rezerva mbi zgjedhjet e 28 Qershorit, të paktën sipas deklaratave tuaja të para.
Absolutisht që po! Por për të gjitha pretendimet, është konsumuar kodi zgjedhor, i cili u bë jashtë vullnetit tonë, me konsensusin e z. Rama dhe z. Berisha si kryetarë të dy partive kryesore, dhe për çdo pretendim janë marrë vendimet e gjykatave. Mua mund të mos më pëlqejnë vendimet e gjykatave, dhe mund të kem edhe të drejtë, por vendimet e gjykatave janë për t’u pranuar e për t’u respektuar. Ju e dini që të njëjtën gjë kemi kërkuar edhe ne në vitin 2005, madje u formua edhe një Komision hetimor parlamentar me kërkesën tonë, dhe kemi patur edhe fakte e prova për mospërputhje të rezultateve sipas zonave zgjedhore. Dhe PD e PS pikërisht në bazë të këtij arsyetimi, nuk pranuan që të hapej qoftë edhe një kuti, sepse do të sfidohej vendimi i gjykatave.
Marsi po afron dhe nëse deputetët socialistë do të mbeten pa mandate, cili është mendimi juaj, çfarë ndodh?
Për sa i takon çështjes së mandateve, absolutisht që do zbatohet Kushtetuta. Shqipëria do të ecë në rrugën e stabilitetit, të ndërtimit të shtetit ligjor, duke patur si princip bazë respektimin e Kushtetutës nga të gjithë dhe për të gjithë. Brenda kësaj hapësire, çdo lloj dialogu, çdo lloj zgjidhje politike që rrit mirëbesimin midis palëve, është tepër pozitive. Por Shqipëria nuk mund të ecë përpara duke shkelur Kushtetutën.
Z. Meta, pjesë e dialogut është edhe sistemi zgjedhor, ku Kryeministri Berisha i dha përsëri hapësirë të plotë Edi Ramës për përcaktimin e një sistemi. Ju a jeni për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe a do të pranoni atë që do zgjedhë Edi Rama?
Po, është e vërtetë që Z. Berisha përsëri ka ftuar opozitën të marrë rolin kryesor për të adresuar, në kuadrin e një reforme zgjedhore të gjitha rekomandimet e OSBE-ODHIR-it për zgjedhjet, ashtu sikurse e ka bërë të qartë që këto propozime nga opozita duhet të jenë të standardeve ndërkombëtare. Ne nuk është se jemi të përqendruar dhe nuk kemi qenë asnjëherë me ndonjë ide fikse, qoftë ky një sistem që favorizon apo ndihmon LSI-në ose jo. Ne jemi të hapur për çdo sistem të ndershëm dhe brenda standardeve të OSBE-ODHIR-it.