Hapi i ardhshëm, Shqipëria Mobile – qytetarët do përfitojnë nga telefoni celular shërbimet e kërkuara
Inaugurohet Qendra e të Dhënave Qeveritare
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e inaugurimit dje Qendrës së të Dhënave Qeveritare, një investim me vlerë 3 milionë dollarë dhe i realizuar në kuadër të projektit “Shqipëria Dixhitale”. Ky investim, i pari i këtij lloji në administratën publike shqiptare, pritet të shërbejë si një pikë kryesore e infrastrukturës së Teknologjisë së Informacionit të institucione të administratës. Aktualisht në këtë qendër të dhënash janë në funksionim mbi 12 shërbime të përqendruara qeveritare, për rreth 60 institucione të administratës publike që përfshijnë kryeministrinë, ministritë dhe institucionet e tyre të linjës. Kryeministri Berisha e cilësoi ngritjen e kësaj qendre si një ngjarje shumë të rëndësishme dhe një arritje shumë të madhe. “Kam qenë dhe mbetem i bindur se kompjuteri, bota virtuale është leva e Arkimedit për të ndryshuar botën reale, për të ndryshuar jetën e individit. Nga ky parim vjen dhe frymëzimi ynë për “Shqipërinë dixhitale”. Shqipëria ka bërë këto vite hapa të jashtëzakonshme. Ajo 3 - 4 vite më parë kishte një nga rritjet më të larta në Evropë dhe në botë. Vitin e kaluar ajo renditej e dyta, pas Vietnamit, për gatishmërinë e rrjetit. Tirana këtë vit u klasifikua në 20 qytetet smart të planetit. Të gjitha këto kanë qenë dhe janë jashtë imagjinatës sonë, sepse imagjinata në botën virtuale ka dimensione shumë më të mëdha dhe është shumë më e shpejtë sasa ajo në mendjen tonë. Ndaj dhe mbetemi shumë të vendosur të bëjmë gjithçka që ky vend të shndërrohet në një superfuqi rajonale të ICT-së. Do të bëjmë gjithçka që qytetarët e këtij vendi të jenë ata që përfitojnë më shumë se qytetarët e çdo vendi tjetër, në rajon dhe më gjerë, nga bota virtuale, ICT-ja”, u shpreh kryeministri.
Gjithashtu, shefi i ekzekutivit shprehu angazhimin për të bërë gjithçka që qytetarët e këtij vendi të jenë ata që përfitojnë më shumë se qytetarët e çdo vendi tjetër, në rajon dhe më gjerë, nga bota virtuale, ICT-ja.
Kreu i qeverisë, ndërsa renditi disa nga sukseset që ka arritur Shqipëria në këtë fushë, u shpreh se horizonti i ardhshëm do të jetë Shqipëria Mobile, ku qytetarët shqiptarë nga telefoni i tyre celular të mund të marrin të gjitha të dhënat dhe shërbimet e këtij shteti. “Udhëtimi ynë në botën virtuale nuk do të jetë ecje, por vrapim. Ne do të vrapojmë pas horizonteve të saj, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, në interesin më të mirë të ekonomisë shqiptare, pasi është faktuar se Teknologjia e Informacionit përbën një mekanizëm të sigurt, të qëndrueshëm dhe shumë të rëndësishëm të rritjes ekonomike të vendeve në zhvillim. Ne do të bëjmë gjithçka që qytetarët shqiptarë nga telefoni i tyre celular të mund të marrin të gjitha të dhënat dhe shërbimet e këtij shteti. Ky është objektivi. Dhe shumë shpejtë ju do të jeni dëshmitarë të akteve të mëdha në këtë drejtim. Ne do të shqyrtojmë çdo proces dhe do ta shndërrojmë atë jo vetëm dixhital, por mobile. Qytetarët të përdorin telefonat e tyre celularë, të cilët në Shqipëri kanë një nga penetrimet më të larta, 186 përqind. Falë punës së shkëlqyer që ka bërë AKEP-i dhe faktorë të tjerë, çmimet janë ulur 3-5 herë. Natyrisht, çmimi i internetit, pas fillimit këto kohë të furnizimit me internet me bandë super të gjerë dhe super të shpejtë, nga autostrada që inauguruam, do të ketë rëniet më të ndjeshme të merituara”- tha ai.
Qendra e të Dhënave Qeveritare është ngritur pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), me një sipërfaqe prej 672 m² dhe përfshin 11 ambiente për infrastrukturën teknike, monitorimin dhe sigurimin e shërbimeve elektronike.