Planifikohet fituesja
Organizimi i Miss Kosova Universe duket se ka nxjerrë një fitues para kohe dhe ajo është modelja shqiptare, por edhe këngëtarja Afërdita Dreshaj, e cila më sa duket është shpallur Miss pa u mbajtur kjo ngjarje.
Kjo është paraparë madje edhe nëpër disa faqe të fansave të Dreshajt në Facebook, të cilët e kanë shpallur atë fituese pa u mbajtur fare spektakli.
Edhe pse spektakli ishte paraparë që të mbahet më 25 dhjetor, organizatorët e kanë shtyrë atë për një datë tjetër, pasi që shumica e televizioneve në këtë kohë janë të zënë me xhirime të programeve të Viti të Ri.
Dhe ashtu sikurse vitet e tjera, edhe në këtë spektakël pritet që të zgjidhet miss-i ende pa filluar mirë.
“Miss Kosova Universe 2011” është organizuar përsëri nga Fadil Berisha në bashkëpunim me “Art Motion”, por ka rrezik që në këtë festival të paraqitet fenomeni i njëjtë që u paraqit edhe në vitin 2007, kur ishte zgjedhur miss Zana Krasniqi.
Edhe në këtë rast kemi një fytyrë të njohur, që është Afërdita Dreshaj, e cila ka qenë pjesë e disa reklamave nëpër SHBA viteve të fundit dhe se duket që është e interesuar për të qenë edhe një miss në vende të ndryshme të botës.
Çka është absurdi këtu është se Dreshaj ka qenë në SHBA dhe ka tentuar, madje edhe karrierën e saj e ka pasur si modele atje dhe e ka pasur një mundësi që të jetë edhe pjesë e modeleve të Donald Trump, pasi që në Amerikë “Donald Trump Models” organizon pranime të shpeshta të modeleve të tij në kompani dhe nuk i merr vetëm ato të “Miss Universe”.
Pavarësisht kësaj, një ndër fitueset më të mëdha të këtij spektakli ka qenë Marigona Dragusha, e cila tani është pjesë e “Donald Trump Models”.