Plas te Partizani, i ndan vota
Më në fund ka mbaruar edhe muaji i mjaltit te Partizani. Bashkëjetesa mes presidentit Albert Xhani dhe ortakëve të tij, Paro Laçi dhe Lulëzim Sallaku, të rinj është krisur dhe tashmë kanë filluar të shfaqen edhe divergjencat e para në bashkëpunimin mes tyre. Shkak është bërë se kush do ta përfaqësojë Partizanin në asamblenë zgjedhore, që FSHF do të organizojë më 9 mars. Presidenti Albert Xhani pretendon se ai është personi që i takon të jetë në këtë asamble, por edhe administratori i përgjithshëm i shoqërisë, Paro Laçi, jep argumentet e tij që ai të jetë përfaqësuesi i të kuqve. Pas deklaratave të administratorit në media, dje ka ardhur edhe reagimi i presidentit Albert Xhani, i cili ka zbuluar në publik, sipas tij, edhe disa kërcënime në adresë të tij nga ortaku. “Duke marrë shkas nga disa deklarime të papërgjegjshme në median e shkruar, kërkojmë të sqarojmë se Partizani është një shoqëri që funksionon në bazë të ligjit dhe rregullave të shtetit shqiptar dhe është drejtuar dhe vazhdon të drejtohet historikisht nga persona shumë të përgjegjshëm për misionin e tyre nën emrin, FK PARTIZANI, pavarësisht nga rezultatet e arritura”, nis deklarata për shtyp e presidentit Xhani. Ai pasi ka përmendur periudhën e vështirë financiare të klubit, ka theksuar se kjo e ka detyruar atë të afrojë aksionerë të rinj, por seriozë, por që për fat të keq, sipas tij, nuk kanë rezultuar të tillë. Ai pretendon se marrëveshja nuk po respektohet. “Por ka edhe më keq, kur kam ngelur i habitur, kur ky person duke diskutuar bashkërisht për problemet e marrëveshjes ligjore dhe njerëzore që kishim lidhur bashkë në prani të miqve të përbashkët, ka përdorur një fjalor të rëndë, banal dhe kërcënues kundër meje, duke thyer çdo marrëveshje, ose e thënë troç: kërcënim hapur për jetën”, rrëfen presidenti. “Forma, metoda dhe shantazhe të tilla nuk mund të përdoren te Partizani sot në vitin 2010’, sipas Xhanit, i cili duket se kërkon ndërhyrjen e shtetit për respektimin e kësaj marrëveshjeje. Këtë deklaratë ai e ka bërë për “t’i treguar këtij personi se Partizani është një institucion i madh publik, ku të gjithë duhet të ndihemi të nderuar dhe respektuar pavarësisht se jemi drejtues apo simpatizantë të Partizanit”. Tani e konsideron gabim atë marrëveshje, por kërkon të nënvizojë se “kurrsesi nuk mund të lejojmë që të nëpërkëmbemi, poshtërohemi nga ky person, duke kaluar në shantazhe dhe kërcënime të nderit dhe të jetës”. Madje ai citon edhe një shprehje të një drejtuesi të Partizanit të para tre viteve: “Ishim mirë, kur ishim keq…”. Megjithatë, Xhani pohon se përgjigjja e tij përfundimtare do të vijë nëpërmjet avokatit të tij, i cili është duke përgatitur një kallëzim penal ndaj Paro Laçit. Por duket se ky konflikt nuk do ta ketë fundin këtu, pasi deri më 9 mars ka gjasat të kthehet në një telenovelë.
#