E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anija me 13 shqiptarë merret peng në Libi

Borxhet

Një anije shqiptare me 13 persona në bord ka mbetur e bllokuar në një port të Libisë për shkak se kompania nuk u paguan detyrimet doganore. Kapiteni i anijes, Armando Ulqinaku, bëri të ditur nëpërmjet telefonit për mediat shqiptare se anija shqiptare “Brustel” e kompanisë “Bruno” sh.p.k ndodhet prej një muaji në Portin Nisurata të Libisë. “Që nga data 22 janar kemi ardhur në Portin e Libisë nga Tunizia dhe nuk mund të largohemi nga këtu pasi agjencia e udhëtimit nuk pranon të na japë dokumentet e anijes, pasi kompania i detyrohet në shumën 39 mijë euro”, shprehet ai. Ulqinaku shpjegon se ka kontaktuar me menaxherin e firmës para katër ditësh dhe asnjë kompromis nuk është rënë mes tyre. Gjendja është rënduar së tepërmi ditën e djeshme kur njërit prej anëtarëve të bordit i vdiq gruaja në Shqipëri nga një sëmundje e rëndë dhe agjencia nuk pranoi riatdhesimin e tij me asnjë kusht. “ç’të bëjmë, vdekja ndodhi mbrëmë, personi nuk lëviz dot nga Libia. Mbetemi peng i kompanisë që na ka lënë në mëshirë të fatit, pasi nuk na mundëson kthimin në atdhe. Pronari nuk na hap telefonin”, tha Ulqinaku. Anija “Brustel” është një anije transballkanike dhe merr ngarkesa të përgjithshme. Në bordin e saj ndodhen 13 shqiptarë. Udhëtimet e gjata nuk janë të parat për këtë anije. Kapiteni rrëfeu se që në datën 22 janar, që kur hynë në portin Nisurata, për disa ditë u ankoruan aty, pasi autoritetet portuale nuk i lejuan të hynin në kalatë. “Kemi kaluar dhe një stuhi të madhe gjatë qëndrimit në ato kushte dhe jeta jonë rrezikoi seriozisht, por ai rrezik tashmë kaloi. Më i madhi erdhi më pas, që edhe pasi hymë në kalatë dhe morëm furnizime me ushqime, karburant, sende që na mungonin prej ditësh nuk mund të largoheshim dot, ndaj apelojmë që të na ndihmojnë”. Kapiteni shpjegon se situata do të zgjidhej vetëm nëse paguhen detyrimet. Sipas tij, çështja i është bërë e ditur dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Anija kishte udhëtuar nga Tunizia në Libi dhe kishte destinacion Italinë, në bordin e të cilës ndodhen mallra të ndryshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›