E Shtunë, 31 Tetor 2026

Platforma, anëtari i Kryesisë së PS, Blushi: E majta që i duhet Shqipërisë

Ben Blushi

Analiza e anëtarit të Kryesisë së PS: Dukemi të majtë se jemi përballë Berishës, duhet aleancë me klasën e mesme.

Pse dukemi të majtë përballë Berishës dhe si duhet ta ndalojmë privatizimin e shtetit

PS sduhet të ndërrojë shishen, por elefantin

1.A duhet e majta
Këtë javë më pyeti dikush: A duhet të ketë Shqipëria një parti të majtë? Si partitë që shohim në Perëndim. Në Francë, në Itali, në Britani, në SHBA.
Sigurisht që po. Shqipëria po globalizohet me shpejtësi dhe, nëse sot tregut tonë nuk i mungon Nokia, nuk i mungon Mercedes, nuk i mungojnë orët zvicerane apo teknologjitë e avancuara të kërkimit të mineraleve, nuk mund ti mungojnë as partitë. Edhe partitë janë produkt i tregut. Por ndryshe nga mallrat e tjera, ato nuk importohen si sasi, por si cilësi. Partitë nuk importohen si mall, por si model. Ato lindin për shkak të nevojës që ka tregu për të ndryshuar. Partitë e djathta për shkak të nevojës së tregut për tu zmadhuar. Të majtat për shkak të nevojës për tu mbrojtur.
Por tregu është shfarosës, nëse nuk frenohet. Në të vërtetë është vetëvrasës. Është shumë i verbër dhe pak i trashë. Tregu nuk kupton se, duke varfëruar të varfrit, varfëron dhe veten. Sepse nuk blen ai që nuk ka. Në këto raste, nevoja e shoqërisë për tu mbrojtur nga grykësia e tregut të vet, kthehet në urgjencë. Në ngut. Shoqëritë e prapambetura shkojnë në luftëra të brendshme, që quhen edhe revolucione, nëse përmbysin regjime.
Ndërsa shoqëritë moderne nuk shkojnë në luftë të brendshme, sepse lufta e ka koston më të lartë se zgjedhjet. Shoqëritë moderne votojnë. Nëse rreziku i tregut është i madh, votojnë me pak djathtas. Nëse papunësia është e lartë, votojnë majtas. Nëse pasuria është grumbulluar vetëm në disa duar, votojnë vetëm majtas. E majta në këto kushte ka vetëm një detyrë: të ndalojë tregun, të shkojë në vetëvrasje. Si në SHBA. Apo më keq. Të vrasë shoqërinë. Dhe, në këto raste, e majta nuk mjafton. Si në Greqi.
Ka shumë që mendojnë se Shqipëria është shumë e vogël, për të pranuar ideologjitë e mëdha që lindin në Perëndim. Thënë ndryshe, nuk e fut dot një elefant në një shishe. Historikisht kjo është e gabuar. Asnjë doktrinë apo sistem politik, shtetëror, ekonomik apo fetar nuk ka ikur pa lënë një gjurmë në Shqipëri. Pa përjashtim. Roma, Greqia e Lashtë, Bizanti, Osmanizmi, Krishterimi, Islamizmi, Mesjeta, Feudalizmi, Monarkia, Fashizmi, Komunizmi, Kapitalizmi. Edhe e majta, edhe e djathta. Sado që dikush do thoshte se të krahasosh të majtat dhe të djathtat tona me ato që shohim në Perëndim, është njëlloj si të krahasosh një pemë me një kërpudhë. E megjithatë, partitë shqiptare po bëhen çdo ditë e me shumë të majta dhe të djathta. Kjo për dy arsye: e para për shkak të globalizimit politik. Pra, ajo që ndodh në Perëndim, nuk mund të mos ketë ndikim këtu. Të gjitha fetë, perandoritë dhe ideologjitë politike kanë ardhur nga jashtë. Demokracia ashtu. Kapitalizmi po ashtu. Nevoja për ta humanizuar kapitalizmin, po ashtu. E dyta, për shkak të trysnisë së tregut dhe shoqërisë shqiptare. Ato kanë nevojë të rregullohen duke shtyrë njëra-tjetrën. Për këtë arsye përsosin mjetet e tyre. Që janë partitë.
Por çështja është ku ndryshon e majta me të djathtën dhe si ta kuptojnë njerëzit këtë ndryshim.
Mjafton të shohim Greqinë. Masat që po merren në Greqi, janë pasojë direkte e një bindjeje, sipas së cilës çmimin duhet ta paguajnë nga pak të gjithë ata që kanë pak. Në këtë mënyrë paguajnë më pak të gjithë ata që kanë më shumë. Me një hartë tjetër politike në Europë, kriza greke do ishte zgjidhur ndryshe. Ndoshta më ngadalë, por pa faliment dhe pa dorëzim sovraniteti. Nevoja për monopolizim çon gjithnjë në faliment. Asnjë shtet apo kompani nuk kthehet dot në monopol, nëse dikush nuk falimenton. Kjo po ndodh me disa shtete në Europë. Po nxisin falimentimin e shteteve të tjera. Në historinë e demokracive, e djathta nuk ka qenë kurrë më agresive. Dhe më e sinqertë. Nuk fsheh më atë që do. Dominim në emër të tregut. Nëse Europa do ishte dominuar nga e majta, ndoshta do vuante nga sindroma të tjera, sigurisht, por jo nga monopolet e një apo disa shteteve. E majta i bën më pak koncesione tregut, e takson më pak punën dhe shumë më tepër kapitalin. Në fund fare nuk bën luftëra për të gjetur tregje. Eksporton demokraci me kosto më të ulët dhe me fitime më afatgjata. Në përgjithësi bota është më e qetë, ndonëse duket pak më e varfër. Ndryshimi që ajo ka nga e djathta, mbi të gjitha  është marrëdhënia që krijon me tregun, me kapitalin dhe me punën. Çfarë i merr dhe çfarë u lë atyre?
Në Shqipëri, tregu është kaotik. Është i rrëmujshëm. Por pothuajse gjithçka sot po bëhet private. Edhe vetë shteti. Si perceptim. Sepse, nëse njerëzit besojnë se u është rrezikuar e drejta për të zgjedhur, shteti u duket si ndërmarrje private, ku votuesit janë punëtorët e saj. Dhe kur shtetet imitojnë kompanitë, shoqëria zhvendoset. Si rregull majtas. Dhe meqë Shqipëria është e gjitha treg, madje është më shumë treg se shoqëri, ajo ka nevojë më të ngutshme për një të majtë. Nëse tregu vazhdon të jetë i pakontrolluar, atëherë të gjitha raportet që ruajnë ekuilibrin e një shoqërie, do të përmbysen keq dhe kostot për ti rikthyer do të jenë shumë më të larta. Në këtë rast e kam fjalën për raportet që mbajnë shoqërinë në këmbë: fshat-qytet, të rinj-të vjetër, vendës-emigrantë, të varfër-të pasur etj. Që kjo të kuptohet, duhet imagjinuar për një vend ku nuk ka fshat dhe të gjithë jetojnë në qytet. Një vend, ku të rinjtë nuk punojnë dhe jetojnë me pensionet e prindërve. Një vend që ka më shumë emigrantë, pra më shumë njerëz jashtë kufijve sesa brenda. Një vend ku më pak se 10 për qind kanë 90 për qind të gjithë pasurive, përfshi mineralet, tokën, shërbimet, bankat dhe pronat. Teorikisht kjo ndodh. Praktikisht ne nuk jemi shumë larg kësaj dite. Ne kemi më shumë emigracion se çdo vend tjetër në Europë. Pothuajse 30 për qind e popullsisë dhe mbi 60 për qind e fuqisë së aftë për punë. Më shumë se gjysma e popullsisë së fshatit ka ardhur në qytet. Burimet natyrore, naftë, minerale, ujë, pyje, janë privatizuar apo nxjerrë nga administrimi publik. Detyrimi i shoqërisë për të vjetrit, për pensionet, është rritur dhe një njeri duhet të punojë më shumë se dje, për të paguar pensionin e prindërve të vet. Të rinjtë nuk punojnë, të vjetrit bëhen gjithnjë e më të shtrenjtë. Shumica e shërbimeve janë privatizuar. Pronat shtetërore, gjithashtu. Shteti merr më pak taksa nga shitja në treg, e mallrave që ka shitur. Numri i shqiptarëve, që duhet të paguajnë taksa, është ulur. Buxheti po varfërohet, sepse për shkak të papunësisë dhe emigracionit ka më pak taksapagues fizikë. Dhe, mungesa e të ardhurave në buxhet është shkak i borxhit. Vetëm me borxh mund të paguhet fatura sociale e shoqërisë. Ata që lindin, kanë të gjithë një borxh poshtë jastëkut. A është demokratike të marrësh borxh? Është. A është e drejtë të trashëgosh borxhin? Jo. Por edhe më e padrejtë është të punosh vetëm për të paguar borxhin. Si në Greqi. Kjo nuk do të thotë se e majta nuk merr borxhe. Do të thotë se ka mundësi ti paguajë më shpejt. Duke rritur taksat. Edhe kjo është demokratike. Për më tepër është edhe e drejtë.
2.A jemi të majtë
Nuk e di nëse e majta është përgjigjja finale për zbutjen e këtyre shifrave, por pa dyshim që pyetja është: Si ka mundësi që e majta nuk fiton më këtë kontekst ekonomik dhe shoqëror? Kjo nuk është një pyetje, që më bëhet vetëm mua. Por përgjigjja më e lehtë dhe më trishtuese që shumë njerëz i japin kësaj pyetjeje, është se nuk ka të majtë.
Por për fat, askush nuk më pyet më

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›