Bode: Politikat e qeverisë u konfirmuan si të suksesshme nga ekspertët e lartë të BB

Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi të hënën, në një prononcim për mediat, se politikat e qeverisë, të ndërmarra në kushtet e një krize globale, u konfirmuan si mjaft të suksesshme nga ekspertët më të lartë të Bankës Botërore, në raportin më të fundit të saj. “Politika fiskale, në fokus të të cilit ishte biznesi, rezultoi mjaft e suksesshme, duke e renditur vendin tonë në tre vendet me rritjen ekonomike më të lartë në Europë”, theksoi ministri Bode. “Raporti i fundit i BB-së për rritjen e artë, që përmbledh një studim të thelluar të ekspertëve më të lartë të kësaj banke, në fushën e ekonomisë dhe financave, për hapësirën europiane ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për vendet e BE-së, por për të gjithë vendet në proces integrimi", tha Bode. Ai theksoi se nisur nga zhvillimet si pasojë e krizës së fundit globale, raporti i BB-së, pasi analizon në mënyrë të detajuar faktorët dramatikë që përjetoi eurozona, jep perspektivën që eurozona ka në periudhën afatmesme dhe afatgjatë. Kjo, nënvizoi Bode, përbën interes për Shqipërinë, pasi edhe marrëdhëniet ekonomike të vendit tonë me vendet e eurozonës janë mjaft intensive, duke qenë se 3/4 e import-eksporteve, por edhe investimeve të huaja direkte kryhet me vendet e BE-ë.
Bode vuri në dukje se janë disa aspekte që dalin nga konkluzionet e këtij raporti dhe që nëvizojnë se ekonomia shqiptare ka patur politika ekonomike dhe fiskale adekuate, që kanë mundësuar rritjen më të madhe ekonomike. "Nga ky raport konkludohet se Shqipëria ka patur rritjen më të madhe të të ardhurave për frymë të popullsisë, që ka bërë të mundur që Shqipëria të kalojë nga një vend i varfër, me të ardhura të ulëta, në një vend me të ardhura mesatare, në një hark kohor prej 10 vitesh", deklaroi Bode.
Ky, sipas tij, përbën një inkurajim të madh jo vetëm për aktorët politikë, por edhe për aktorët ekonomik dhe qytetarët. "Politikat ekonomike vendosën në fokus biznesin përmes taksave të ulëta, uljes së burokracive për të hyrë e dalë nga tregu, kostos së ulët për të operuar në treg dhe njëkohësisht shkurtimit të numrit të lejeve dhe licencave", nënvizoi Bode. "Kjo reformë ka krijuar hapësirë që ne të lakohemi pozitivisht edhe pse angazhimi i qeverive të tjera ka qenë kompetitiv. Kjo do të thotë se edhe në perspektivë politik bërësit duhet të synojnë përmirësimin e dy elementëve, ruajtjen e taksave të ulëta të drejtpërdrejtave, burokraci të lehtësuar dhe qëndrim liberal ndaj biznesit përmes uljes së licencave dhe patentave dhe kostove që lidhen me to", vijoi Bode. Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se Shqipëria është në rrugën e duhur.