Europa përgatitet të ‘peshkojë’, mjaft lojtarë janë pa kontratë
Shumë prej lojtarëve që do të jenë pa kontratë në fund të sezonit, janë yje që kanë shkëlqyer me klubet e tyre. Në listë Mekses, Pirlo, Sedorf, Ouen apo edhe Van Nistelroi
Gjatë verës, shumë lojtarë të njohur botërorë do të jenë të lirë, pasi që do t’u skadojnë kontratat me klubet përkatëse. Me këtë rast, klubet e interesuara e kanë rastin që, qysh tani, të mendojnë për transferimin e tyre, i cili do të bëhej ‘gratis’ dhe do të paguanin vetëm rrogën e lojtarëve. Një pjesë e mirë e këtyre lojtarëve janë paksa në moshë të madhe, por jo të gjithë. Madje, edhe “të moshuarit” mund t’i japin ende futbollit. Ndërsa klubet e mëdha europiane po përgatisin miliona euro për kartonin e Gareth Bejl ose Çesk Fabregas, klubet e ‘mençura’ do të mund të përforcohen pa shpenzuar fare para. Njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm, të cilit do t’i përfundojë kontrata gjatë verës është Filip Mekses. Mbrojtësi francez nuk e ka gjetur gjuhën e përbashkët me klubin nga kryeqyteti italian për vazhdimin e kontratës, kështu që ai mund të largohet. Sipas mediave italiane, Mekses mund t’i bashkohet Milanit.
Një tjetër lojtar me emër është edhe Miroslav Klose. Bajern Mynhihu ka hequr dorë nga ylli i përfaqësueses gjermane, kështu që futbollisti me prejardhje polake do ta kërkojë ‘strofullën’ e re gjetkë. Milani po mendon ta rinojë ekipin, prandaj e ardhmja e pesëshes Nesta-Pirlo-Sedorf-Ambrozini-Inzagi, të cilëve u skadon kontrata në qershor, nuk dihet ende. Edhe eksperienca e mbrojtësit Zhoze Bosingva te Çelsi duket se ka marrë fund. Palët nuk e kanë rinovuar kontratën, kështu që mbrojtësi i djathtë portugez i ka bërë gati valixhet për të lëvizur. Mançester Junajtid mund të mbetet pa dy Ouenët, Hargrivs e Majkëll, të cilët mund ta ndërrojnë mjedisin.
‘Djajtë e Kuq’ duhet të kërkojnë portier, sepse veterani holandez, Edvin Van Der Sar, jo që nuk do ta vazhdojë kontratën, por për të kjo do të jetë kontrata e fundit, pasi ai planifikon ta përfundojë karrierën në fund të këtij sezoni.
Edhe holandezi tjetër, Rud Van Nistelroi do të ndahet gjatë verës me Hamburgun, pasi t’i skadojë kontrata. Sulmuesi i shkathtë është mjaft i mërzitur me klubin gjerman, i cili nuk e la që të rikthehet te Real Madridi.
Disa lojtarë që do të jenë “free”
Ouen Hargrivs Mançester
Pipo Inzagi Milan
Sebastian Larson Birmingem
Majkëll Ouen Mançester
Simone Perrota Roma
Najxhëll Reo-Koker Aston Vila
Jon Dahl Tomason Fejenord
Piotr Troçovski Hamburg
Edvin Van Der Sar Mançester
Rud Van Nistelroi Hamburg
Robert Grin Uest Hem
Nunjo Gomesh Benfika
Marko Di Vaio Bolonja
Masimo Ambrozini Milan
Zhoze Bosingva Çelsi
Alesandro Nesta Milan
Andrea Pirlo Milan
Klarens Sedorf Milan
Miroslav Klose Bajern
Visente Rodrigez Valencia
Thomas Kraft Bajern
Reto Zigler Sampdoria
Johan Elmander Bolton
Hamit Altintop Bajern
Filipe Mekses Roma
Taje Taivo Marsejë