E Shtunë, 31 Tetor 2026

Platini: “Botërori mes Brazilit, Spanjës dhe Anglisë”



Presidenti aktual i UEFA-s, Mishel Platini, bëri të ditur se ai do të rikandidojë për një periudhë katër vjeçare në postin e tij. Zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen në Paris, më 22 mars të vitit 2011. Platini e bëri publike kandidimin e tij në Kongresin e UEFA-s në Tel Aviv të Izraelit ku ndodhen përfaqësuesit e 53 federatave europiane, anëtare të qeverisë kontinentale të futbollit. Ish-mesfushori 54-vjeçar i Francës u zgjodh për herë të parë president i UEFA-s në kongresin e Dyseldorfit në vitin 2007. “Unë jam plotësisht i kënaqur me pozicionin tim aktual si president i UEFA-s dhe kam pasur shumë arritje. Kam shumë objektiva të pa realizuara dhe e ndjej se kam akoma për të bërë. Është kjo arsyeja që unë kam marrë vendimin për të vendosur kandidaturën time për rizgjedhje”, - tha Platini. Deri tani nuk është bërë e ditur asnjë emër rivali të Platinisë për postin e presidentit për zgjedhjet që do të mbahen vitin e ardhshëm. Në zgjedhjet e vitit 2007, Platini mundi suedezin Lenart Johanson, i cili i kishte mbajtur këtë post për 16 vjet me radhë, duke marrë 27 vota nga 23 që morri rivali i tij.

BOTËRORI
Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, beson se Anglia do të jetë një nga tre ekipet që mund të fitojnë këtë vit Kupën e Botës. Francezi nuk e përfshiu vendin e tij në këtë listë, në të cilën ndodhen Brazili dhe Spanja, ndërkohë që përjashtoi Argjentinën dhe Portugalinë. “Unë shoh tre ekipe që mund ta kenë cilësinë për ta fituar atë dhe po i theksoj në rend alfabetik (sipas gjuhës angleze), Brazili, Anglia dhe Spanja”, - tha Platini gjatë konferencës për shtyp. “Ekipet e tjera mund të jenë të vështira për tu mundur, por nuk e kanë potencialin në mënyrë absolute për të fituar Kupën e Botës. Brazili dhe Spanja ndajnë vendin e parë dhe të dytë në renditjen e FIFA-s, ndërkohë që Anglia është e teta. Holanda, Italia, Gjermania, Portugalia dhe Franca renditen më sipër në FIFA se sa ekipi i Fabio Kapelos, por Platini ka renditjen e tij përsa i përket titullit të kampionit të botës. Presidenti i UEFA-s, pohoi se përveç Gjermanisë, po ashtu dhe Argjentina e Bregu i Fildishtë, mund t’u shkaktojnë probleme “top-tre” skuadrave në finalet e Kupës së Botës në Afrikën e Jugut. Brazili e ka fituar pesë herë trofeun, Anglia e ka fituar në vitin 1966 dhe Spanja është kampionia në fuqi e Europës.

EURO 2012
Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, u dha mbështetjen e tij të plotë dy vendeve bashkëorganizatore të Kampionatit Europian 2012, Polonisë deh Ukrainës, pavarësisht se ai i nxiti edhe një herë tjetër të shpejtojnë përgatitjet, sidomos në lidhje me vonesat në ndërtimin e stadiumeve të reja. “Unë besoj te ju. Ne besojmë te ju”, - ju drejtua Platini presidentit të Ukrainës, Grigori Surkis dhe shefit polak të futbollit, Gregorz Lato. “Dhe kujtoni, se pas vetëm 27 muajsh, sytë e të gjithë botës së futbollit do të fokusohen te ju. Kështu që mos e hiqni këmbën tuaj nga pedali, por rrisni përpjekjet tuaja”. Platini konfirmoi se gjenerimi i përfitimeve nga Euro 2012 është më i vogël në raport me ato të Kampionatit Europian të vitit 2008 të zhvilluara në Austri dhe Zvicër, pro të 53 federatat e futbollit do të marrin të njëjtën shumë solidariteti ashtu si më parë. “Raundi final i këtij Kampionatit Europian është një mesazh shprese, një investim për të ardhmen, një shenjë e hapjes dhe një sfidë fantastike”, - tha Platini. Euro 2008 solli një përfitim prej 250 milionë eurosh për UEFA dhe një xhiro totale prej 1.3 miliardë eurosh. Platini tha se nga Liga e Kampioneve, kompeticioni më i pasur në rang klubesh do të përfitohen të paktën 1.09 miliardë eurosh nga të ardhurat komerciale për këtë vit, dhe po kështu për dy vitet e ardhshme. UEFA do të shpërndajë rreth 200 milionë euro për 53 anëtarët e saj.

26 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›