E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sadiku: Refuzova Zvicrën, jam gati për ëndrrën kombëtare!

Nga ANDI MATRAXHIU

Sulmuesi i Lokarnos në Zvicër dhe Shpresa kuqezi, Armando Sadiku, tregon prapaskenat e zviceranëve dhe ndihet i gatshëm për kombëtaren e madhe

Armando Sadiku, talent i futbollit elbasanas, aktualisht është futbollisti i momentit në përfaqësuesen Shpresa, drejtuar nga trajneri Skënder Gega. 2 golat e fundit ndaj Portugalisë e kanë ngritur në qiellin e shtatë 20-vjeçarin, që aktivizohet në radhët e Lokarnos, skuadër e kategorisë së parë në Zvicër.

Ofertat e shumta nga ekipet e superligës, por jo vetëm, edhe nga Italia dhe Gjermania, janë pasqyrë e performancave të mira që ka bërë Sadiku gjatë këtyre kohëve.Ndërkohë që specialistë të ndryshëm kanë hedhur idenë që Armando duhet të jetë pjesë e kombëtares së madhe kuqezi. Vetë futbollisti e shpreh qartë se e ka ëndërr diçka të tillë.

Ai është koshient që përgjegjësia është e madhe, por është i gatshëm të shpërthejë.Në krahun tjetër, duket se sëmundjes zvicerane i ka shpëtuar edhe sulmuesi elbasanas.Sipas tij, përfaqësuesja Shpresa e Zvicrës i ka bërë kërkesë për ta pajisur edhe me pasaportë dhe ta ketë pjesë të saj. Por bomberi shqiptar përgjigjet me një fjali të vetme: Nuk ka më mirë se të jesh shqiptar.

Skeda

Emri: Armando

Mbiemri: Sadiku

Pozicioni: Sulmues

Datëlindja:17/05/1991 (20-vjeç)

Vendlindja: Shqipëria

Debutimi tek Shpresat:

02/09/11 (Shqipëri Poloni 0-3)

Statistika

5 ndeshje

343 minuta

6 gola

 

Pas golave me përfaqësuesen Shpresa, si po vazhdon aventura juaj në këto momente në Zvicër?

Normalisht jemi gati në përfundim të kampionatit këtu, na ka ngelur dhe një ndeshje ta mbyllim edhe këtë dhe do të kthehem më në fund të bëj pushimet e Vitit të Ri në Shqipëri me familjen time.

Si duken kushtet atje, edhe pse në kategorinë e parë zvicerane, në krahasim me Elbasanin?

Kushtet janë shumë të mira, nuk diskutohet fare. Janë të duhurat për një futbollist. Këtu mund të tregosh vetveten. Në krahasim me Elbasanin, normale që qendron shumë më lart. Seriozitet më i madh.

Si po shkojnë tratativat për merkaton e janarit?

Deri tani, të them të drejtën, kam pasur shumë oferta nga disa klube dhe për këto do të mendoj pas pushimeve dimërore. Jam shumë i qetë, për çdo tratativë, sepse në radhë të parë do të merret menaxheri im, Sokol Haxhia, i cili pa dyshim ia ka nisur punës.

Ofertat janë vetëm nga Zvicra apo dhe më tej?

Ka nga Zvicra, por nuk kanë munguar Gjermania dhe Italia.

Cilat janë angazhimet e radhës tek Shpresat e Shqipërisë?

Angazhimet janë të njëjta, të bëj më të mirën time në çdo grumbullim e të jem i gatshëm në çdo moment për Shqipërinë.

Qarkullojnë zëra se keni pasur edhe ju, ashtu si Mërgim Brahimi dhe të tjerë, një ofertë nga kombëtaret e moshave zvicerane. Nëse ka ndodhur vërtet, mund të na jepni detaje?

Po, është e vërtetë që më kanë bërë ftesë në klub që kur erdha të me pajisin me pasaportë zvicerane, po nuk pranova. Se unë jam shiptar dhe nuk e diskutoj asnjëherë të luaj me një kombëtare tjetër, përveç Shqipërisë.

Kur, ku dhe kush jua ka paraqitur këtë propozim?

Kur kam ardhur këtu që fillova të luaja te Lokarno, trajneri i U-21 të Zvicrës është nga Lokarno, nga qyteti ku luaj unë dhe ka kontaktuar me drejtorin e ekipit për mua, pastaj jam informuar unë dhe menaxheri im për këtë gjë dhe menjëherë i thashë jo.

Përse nuk ndoqët hapat e Berhamit, Shaqirit, e të tjerëve si këta? Mund të ishte një zgjidhje më e mirë për karrierën tuaj sportive?

Normale që do të ishte publicitet më i madh për mua, por të them të drejtën nuk e kam menduar kurrë ta bëja një zgjedhje të tillë. Nuk ka më mirë se të jesh shqiptar.

S’ka më mirë se të kalosh shumë shpejt nga Shpresat te kombëtarja e madhe, përkrah Bogdanit apo Salihit? Ka specialistë që mendojnë se ju mund të aktivizoheni… A jeni gati, si e prisni këtë aventurë të re?

E pres me shumë dëshirë, do të ishte një ëndërr e bërë realitet. Mendoj se mund të përballoj këtë përgjegjësi, edhe pse fanella e ekipit kombëtar është e rendë, por unë mendoj se jam gati ta provoj dhe të bëj atë që po bëj te Shpresat.

Komisioni i Disiplinës mbush arkat e FSHF-së

Dje, në Federatën Shqiptare të Futbollit, është mbledhur si zakonisht Komisioni i Disiplinës, i cili pasi ka marrë në bazë të gjitha ndodhitë e javës së fundit në futbollin shqiptar, ka marrë disa vendime. Bien në sy saksionet  e shumta financiare, të cilat pa dyshim kanë mbushur arkat e FSHF-së si pasojë e gjobave ndaj sjelljeve jo korrekte të tifozerivë të ndryshme.

E para që është ndëshkuar ka qenë KF Vllaznia, e cila për sjellje jokorrekte të tifozëve të saj, të cilët kanë hedhur fishekzjarrë brenda kuadratit të blertë, është ndëshkuar me 300.000 (treqind mijë) lekë gjobë. Po ashtu, edhe skuadra dhe futbollistë të ndryshëm, veç dënimeve disiplinore, kanë marrë edhe gjoba.

KF Burreli për hedhjeve të sendeve të forta në fushën e blertë, është dënuar me 150.000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë gjobë. Por edhe Gramshi. Gjithashtu edhe lojtarë të Gramozit dhe Luftëtarit, Delvinës, veç dënimeve në masën disiplinore, kanë marrë edhe ndëshkime me gjoba.

 

                                   VENDIMET E  KOMISIONIT TË DISIPLINES       

-          KF Vllaznia, për hedhje te fishekzjarreve brenda rrethimit të fushës, dënohet me 300.000 (treqind mijë) lekë gjobë .

-          KF Burreli, për hedhje të sendeve të forta brenda rrethimit te fushës, dënohet me 150.000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë gjobë.

-          Lojtari i KF Gramozi, Armand Caka, për sjellje josportive ndaj personave të tjere, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet dhe 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë gjobë.

-          Lojtari i KF Luftetari, Mikel Brahimi, për sjellje josportive ndaj personave të tjerë, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet dhe 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë gjobë.

-          KF Gramshi, për hedhje të sendeve të forta brenda rrethimit të fushës, dënohet me 150.000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë gjobë.

-          Lojtari i KF Delvina, Florenc Kotolleshi, për dhunë ndaj zyrtarit të ndeshjes, dënohet me 12 (dymbëdhjetë) muaj pezullim nga të gjitha aktivitetet dhe 100.000 (njëqind mijë) lekë gjobë.

-          Mospranimin e ankimit te paraqitur nga KF Bilisht Sport për ndeshjen DomosdovaBilisht Sport si të pambështetur në fakte dhe në rregullore.

-          Mospranimin e kërkesës së paraqitur nga KF Delvina për falje të dënimit të dhënë për pezullimin e fushës, si e pabazuar në rregulloret e FSHF-së.

Memelli gjen golin e dytë në Arabinë Saudite

Sulmuesi shqiptar, Migen Memelli, ka shënuar golin e tij të dytë për skuadrën e Al-Taawon, gjatë këtij sezoni. Përballë Al-Nasrit, skuadra e Memellit është mposhtur në shifrat 2-1. Memelli ka arritur të shënojë barazimin momental në minutën e 77, por në fund miqtë kanë fituar me një gol të Zealaiyt në minutën e 81-te. Ekipi i Memellit renditet në vendin e 11-të, me 8 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›