E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur të rinjtë shënojnë shumë gola në tavolinë

Nga Adi Metaliu

Skrapari dhe Gramshi janë përjashtuar, por janë edhe disa skuadra të tjera që rrezikojnë

Çdo të mërkurë, sipas rregullores, komisioni i disiplinës në FSHF merr në shqyrtim të gjitha rastet e relatuara nga zyrtarët e ndeshjeve për ngjarje të cilat janë jashtë rregullave të futbollit. Vendimet janë për sjellje të keqe të tifozëve, për mosorganizim të rregullt të ndeshjeve nga skuadrat pritëse, për sjellje të keqe të zyrtarëve të skuadrave dhe të lojtarëve etj. Për fat të keq, nuk mungojnë vendimet për dhënie pikësh në tavolinë për mosparaqitje të skuadrave.

Problematika e fundit ndodh zakonisht në futbollin e moshave, më konkretisht në kategorinë e parë, ku në pamundësi financiare për të udhëtuar me qindra kilometra, skuadrat preferojnë të humbasin në tavolinë. Vetëm në mbledhjen e djeshme ky komision ka dhënë tri vendime për shënie pikësh në tavolinë. Në bazë të rregullores, nëse një skuadër e ka  të përsëritur mosparaqitjen, përjashtohet nga aktiviteti.

Kur nuk është mbyllur akoma faza e parë e kampionatit të moshave, kemi 4 skuadra të përjashtuara: Skrapari U-17 dhe U-19 dhe Gramshi U-17 dhe U-19. Këto skuadra kanë mungesat më të mëdha në ndeshje, por nuk janë të vetme. Përkundrazi, ka edhe skuadra të superiores, siç është Shkumbini, që në disa ndeshje nuk ka preferuar të udhëtojë. A është përjashtimi zgjidhja e duhur?

Në kampionatin e superiores, ky fenomen është i izoluar, që do të thotë se ndonjë rast i veçantë nuk ndikon në ecurinë e garës, por ndryshe qëndron puna  në kategorinë e parë. Përveç Skraparit dhe Gramshit, janë disa skuadra të tjera, si Bilisht Sporti, Kastrioti e ndonjë tjetër. Ky fenomen është bërë shqetësues qysh në fillim të garës, që do të thotë do të rëndohet me ftohjen e motit dhe nisjen e reshjeve. Duke i shtuar këtij problemi edhe mungesën e terreneve, deri në fund të kampionatit mund të mos luhet gjysma e ndeshjeve.

Cila është zgjidhja?

FSHF duhet të vepronte pas nisur sezoni, duke gjetur skemën e përshtatshme, të paktën për kategorinë e parë. Duke e ditur shumë mirë që Bilisht Sporti, Gramozi, Pogradeci, Skrapari, Gramshi etj., e kanë thuajse të pamundur të udhëtojnë deri në Kukës apo Pukë, FSHF duhet të kishte gjetur një tjetër zgjidhje, ndoshta duke ndryshuar skemën e kampionatit.

Shefi i garave. Të paktën për kategorinë e parë, që Kukësi të mos udhëtojë deri në Ersekë e anasjelltas. Në këtë realitet, thuajse të njëjtë me atë të sezonit të kaluar, kampionati i moshave në kategorinë e parë është i dështuar. Në FSHF dikush apo disa duhet japin llogari për atë që po ndodh me moshat. Nëse futbolli ynë nuk na dhuron cilësinë e kërkuar, kjo ndodh sepse nuk ka një strategji të saktë për futbollin e moshave, qoftë nga FSHF.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›