Ligj i ri taksash për kompanitë e basteve

Qeveria ka menduar që kompanitë e basteve të fillojnë të tatohen me 10 për qind mbi bazën e xhiros që kanë dhe jo mbi të ardhurat. Gjithashtu, është planifikuar dyfishim i taksave për secilën pikë në vartësi të kompanive përkatëse
Duket se këtë herë kompanitë e basteve janë sektori i radhës me të cilin qeveria shqiptare synon rritjen e të ardhurave në buxhet. Kjo lidhet me faktin se një draft është propozuar nga Ministria e Financave, i cili ka si qëllim bazë rritjen e taksave për të gjitha kompanitë e basteve sportivë, por edhe transparencën lidhur me të ardhurat e kompanive. Duhet përmendur se një “plan” i tillë i ligjbërësve nuk i ka pëlqyer aspak grupimit të biznesit të ngritur mbi vesin. Kjo ka bërë që grupimi i këtij profili të paraqesë ankesat dhe shqetësimet pranë qeverisë, duke ndaluar përkohësisht ndërmarrjen e një hapi tjetër për bërjen realitet të planit të ri taksativ. Ajo çka në fakt synon projekti i ri financiar për buxhetin, lidhet me vendosjen e taksës mbi xhiron për të gjitha kompanitë me karakter të bastit sportiv, e cila do të jetë 10 për qind. Por nuk mbaron me kaq, pasi të gjitha kompanitë e basteve do të paguajnë për filialet e tyre të shpërndara në mbarë vendin afro dyfish më shumë, çka do ta çonte këtë sektor biznesi drejt falimentimit. Kështu, sipas draftit të ri, një kompani bastesh do të paguajë për secilën pikë, në cilindo qytet, plot 80 mijë lekë në muaj, nga 30 mijë lekë që paguan aktualisht.
Sa rriten taksat?
Duke iu referuar statistikave mbi “filialet” e të gjitha kompanive të basteve në shkallë vendi, vëmë re se aktualisht ekzistojnë afro 3 800 të tillë. Kjo do të thotë se, duke i taksuar këto “filiale” me 60 mijë lekë më shumë në muaj, arka e shtetit do të fitonte afro 228 milionë lekë më shumë në muaj, çka mund të përkthehet fare lehtë me rritje vjetore në buxhet me plot 2.736 miliardë lekë. Për kompanitë e basteve, të cilat aktualisht përbëjnë një nga hallkat bazë të prurjeve të parave në buxhetin e shtetit, logjika e sipërpërmendur është e ekzagjeruar, pasi shteti nuk mund të rrisë të ardhurat në buxhet nga një segment biznesi mjaft i konsoliduar dhe që momentalisht kontribuon mjaft për arkën e financave shtetërore.
Kompanitë e basteve dhe kriza financiare
Për aq kohë sa biznesi i basteve sportivë është një biznes i ngritur mbi vesin e individëve, kompanitë e këtij profili do të vazhdojnë të kenë të ardhura të konsiderueshme, edhe pse momentalisht po përballen me krizën financiare globale. Mbase në vendin tonë nuk është ndjerë ende diçka e tillë, ndërsa në vendet evropiane vihet re rënia e xhiros për këtë kategori biznesi me rreth 30 për qind. Në Azi, ku edhe mendohet se është qendra e biznesit të basteve sportivë, rënia e xhiros për kompanitë është më e madhe dhe përllogaritet në rreth 40 për qind.