E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Qeveria të rishikojë pr/buxhetin e 2009-ës

PS vijoi sot akuzat ndaj qeverisë lidhur me projektbuxhetin e vitit 2009. Deputeti Islami tha se buxheti zhyt në varfëri dhe borxhe të mëdha. Islami saktësoi se nëse në Kuvend do të ketë séance normale PS do të rendisë para ligjvënësve të gjitha kundërshtitë e saj për buxhetin. 

TIRANE- Sipas Partisë Socialiste në buxhetin e vitit 2009, qeveria nuk ka përfshirë asnjë zë për të zbutur efektet e krizës së mundshme globale, e cila mund të prekë Shqipërinë. Deputeti i kësaj partie, Kastriot Islami, tha se kjo vjen nga papërgjegjshmëria, por edhe nga fakti që ata ndodhen shumë larg realitetit. Sipas Partisë Socialiste kriza globale do të godasë maksimalisht dy kategori, të varfëritë dhe të gjithë ata që kanë borxhe.
Në një konferencë për shtyp Islami u shpreh se “rritja e deklaruar për ta është 10 deri 35 për qind, por po të kemi parasysh se çmimet janë rritur 100 për qind, rezulton që ulja e aftësisë blerëse është 65 deri në 95 për qind, në këto tre vjet dhe do të vazhdojë me këto ritme edhe vitin e katërt”
Ndërkohë sipas selisë rozë borxhi i shqiptarëve rritet në periudhën 2006 deri në 2009 me 1.3 miliardë euro.
”Shqiptarët jo vetëm po varfërohen, por po kthehen në borxhlinjtë më të mëdhenjtë të Evropës. Borxhi i plotë i një familje shqiptare ka arritur në 1648 euro ose me rreth 2 milion lekë të vjetra duke arritur shifrën 6801 euro ose rreth 8 milion e 300 mijë lekë të vjetra”, shtoi më tej Islami në fjalën e tij.
Edhe këtë të diele nëpërmjet ligjvënësit të saj Partia Socialiste, i ka bërë thirrje qeverisë që ta rishohë projektbuxhetin, i cili të hënën do ti shkojë për diskutim e më pas për miratim Kuvendit. Nëse rishikimi nuk ndodh, atëher Partia Socialiste paralajmëron votën kundër projektit të qeverisë për vitin 2009, gjatë të cilit do të mbahen edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›