E Diel, 1 Nëntor 2026

Play-out, mbyllet me grushta Kastrioti-Lushnja

TIRANë- është mbyllur me grushta dhe një sherr masiv përballja mes Kastriotit dhe Lushnjës, e vlefshme për qëndrimin në Kategorinë Superiore. Takimi i luajtur në “Qemal Stafa” ka qenë i tensionuar përgjatë 90 minutave, por situata ka degjeneruar në çastet e fundit. Në minutën e 92-të, pas një faulli të dhënë në anësore për krutanët, kapiteni i Lushnjës Gentjan çela dhe Renato Kalari, janë kapur me grushta me njëri-tjetrin, ndërsa në sherr janë futur edhe lojtarët e tjerë. Arbitri Albano Janku ka ndëshkuar me të kuq dy protagonistët, ndërsa loja mbeti e ndërprerë për 3 minuta. Pas përfundimit të takimit, që u fitua 1-0 nga Kastrioti falë golit të Abazajt në minutën e 2-të, nisi edhe sherri më i madh.

Lojtarët e Kastriotit ishin duke festuar, ndërsa 4 futbollistë të Lushnjës kanë kapur me grushta Turdiun e Kastriotit. Në sherr është futur edhe kapiteni i krutanëve Shameti, ndërsa tifozët në stadium kanë parë një boks të vërtetë. Ndërhyrja e forcave të policisë çoi në ndarjen e lojtarëve të të dy skuadrave, ndërsa tensioni është zhvendosur edhe në dhomat e zhveshjes. Ndërkohë, probleme pati edhe në fund të pjesës së parë, kur trajneri i Lushnjës Artan Bano u fut në fushë dhe kapi me duar gjyqtarin Janku. Ai u nxorr me të kuqe, ndërsa protagonist u bë edhe ndihmësi i Banos, që pati një konflikt fizik edhe me forcat e policisë që po shoqëronin arbitrat dhe futbollistët miq. Kjo bëri që edhe zëvendës trajneri i Lushnjës të ndëshkohej me të kuqe dhe në pjesën e dytë skuadra myzeqare u drejtua nga shefi i klubit Llazar Dushi. Përsa i përket ndeshjes, Kastrioti siguroi qëndrimin në Superligë edhe për sezonin e ardhshëm, falë një goli të realizuar që në minutën e 2-të nga sulmuesi Oriand Abazaj.

Ai kërceu më lart nga të gjithë pas një topi të ardhur nga goditja e këndit, duke mposhtur portierin lushnjar Spaho. Megjithë sulmet e vazhdueshme të Lushnjës rezultati i ndeshjes nuk ndryshoi. Në fund të pjesës së parë, skuadra myzeqare protesoi edhe për një penallti, pas rrëzimit të dukshëm në zonë të kapitenit Gentjan çela. Gjithsesi, Lushnjës tashmë i duhet të tentojë sërish ngjitjen në Superligë sezonin e ardhshëm.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›