Plazhet, deputeti i PD-së sfidon Bashkinë e Durrësit
Plazhe publike me një sipërfaqe prej 2.8 hektarësh të pajisur me tualete portative që të pastrohen rregullisht, dushe, ujë 24 orë, parkim dhe kosha për hedhjen e mbeturinave. Deputeti demokrat Eduard Halimi ka paraqitur pranë Bashkisë së Durrësit në formë propozimi një studim mbi domosdoshmërinë e plazheve publike dhe një projektvendim për menaxhimin e tyre në favor të pushuesve që nuk mund të përballojnë kostot e larta që ofrojnë plazhet private buzë Adriatikut.
Ky propozim, i shoqëruar nga relacioni përkatës, do të shqyrtohet sot në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, ku pritet të ketë reagime, pasi këtë sezon turistik, Bashkia e Durrësit e ka çuar në katër nga tre numrin e plazheve publike, krahasuar me vitet e kaluara.
Megjithatë ky problem ekziston dhe më shumë se kushdo e prekin pushuesit, që të paktën edhe në sezonin e kaluar janë përballur me plazhe private edhe aty ku tabela shënjonte se ndodhej në një zonë pushimi falas.
“Edhe sivjet Rruga e Kombit do të sjellë padyshim shumë më shpejt dhe shpesh, mjaft prej familjeve kosovare që duan të kalojnë pushimet e verës brigjeve të Adriatikut. Madje një prej interesave të rëndësishme të kësaj rruge është pikërisht interesi për të pushuar më shpejt dhe më komod në plazhet e Adriatikut dhe Jonit. Por ajo që u ofrohet familjeve që vijnë nga Rruga e Kombit dhe atyre që banojnë në një plazh me një gjatësi të vijës bregdetare 3.2 km, nga muri rrethues në pjesën lindore të portit detar deri në zonën rezidenciale qeveritare tek ‘Iliria’ në jug, janë vetëm sipërfaqe rëre të rrethuara me mbishkrimin ‘plazh privat’ dhe çmime thuajse të papërballueshme për një pjesë të mirë të këtyre njerëzve. Askush nuk mund të thotë se pamundësia e çdo qytetari, banori të zonës, të pushojë falas pranë shtëpisë së vet, nuk përbën një shqetësim për këta banorë, një shqetësim për të cilin të gjithë jemi fajtorë. çdo centimetër katror rërë, në gjithë gjatësinë prej 300 000 centimetrash, është dhënë nga bashkia vitin e kaluar si hapësirë private dhe asnjë centimetër nuk u la për qytetarët, ndonëse plazhi është i tyre”, ka theksuar Halimi, duke u ndalur te shqetësimet e ngritura nga qytetarët e zonës së vet elektorale gjatë fushatës.
Kërkesa e herëpashershme e pushuesve dhe qytetarëve durrsakë për një ndërthurje të pranueshme mes plazheve private dhe atyre publike do të diskutohet në këshillin bashkiak, për të marrë një përgjigje në terren konkret dhe jo thjesht në salla mbledhjesh.
Këtë sezon shumë prej subjekteve private e kanë rritur në 400-500 lekë vlerën për çadër dhe shezlong, gjë që kthehet në një problem të mprehtë social-ekonomik për pushuesit e shumtë që frekuentojnë plazhin e madh të Durrësit. Në studim, deputeti Eduart Halimi thotë se plazhet publike përbëjnë sot një problematikë të rëndësishme në procesin e administrimit të burimeve turistike dhe jo vetëm Bashkia e Durrësit, por edhe Vlora, Shëngjini e Velipoja kanë nevoja urgjente për menaxhimin e integruar të territoreve të plazhit. “Sfidë nuk është më vetëm rregulli dhe higjiena, por edhe kufizimi i abuzimit të atyre që prej vitesh po quhen rëndom “plazhe private”, shprehet deputeti, duke kërkuar një menaxhim të drejtë të brezit ranor në Durrës.
#