E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumira e fundit për Perika Gjezin

Korçë Përcillet për në banesën e fundit aktori i teatrit dhe kinematografisë

Përcillet për në banesën e fundit aktori i njohur i skenës dhe kinematografisë, Perika Gjezi, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident rrugor në Voskopojë. Dy ditë pas vdekjes së aktorit të mirënjohur korçar Perika Gjezi janë mbajtur homazhe në sallën e teatrit “çajupi” në Korçë, ku aktori nisi rrugën e gjatë profesionale, duke pasuruar karrierën artistike me dhjetëra role të interpretuara në këtë skenë në vite. Perika Gjezi u nda nga jeta në moshën 61-vjeçare pas një aksidenti të rëndë. Miq, kolegë, artistë dhe shkrimtarë të afërm të aktorit kanë mbajtur homazhe në nderim të figurës së tij. Ceremonia mortore dhe homazhet janë zhvilluar dy ditë më vonë në pritje të fëmijëve të aktorit, të cilët erdhën nga SHBA. Teatri “çajupi” në Korçë ka qenë i hapur për homazhe nga ora 11:00 deri në orën 12:00, ku kolegë të skenës, krijues, intelektualë, qytetarë korçarë dhe drejtues të pushtetit lokal zhvilluan homazhe duke i dhënë lamtumirën e fundit dhe duke e nderuar si njeri dhe artist. “është një humbje e madhe për skenën e teatrit. Kemi humbur një njeri me zemër të madhe dhe një aktor të papërsëritshëm”, u shpreh Zamira Kita. “Perika Gjezi si një njeri dhe aktor ishte i vërtetë, ishte i paanshëm. Kot thonë se ka vdekur Perika Gjezi. Ne mund ta përcjellim sot në banesën e fundit, por ai me veprën e tij, me emrin që ka lënë me krijimtarinë e tij si figura të tjera të shquara të kinematografisë dhe skenës sonë, mbetet i pavdekshëm”, tha Sotiraq Bratko. Marko Bitraku tha gjatë homazheve se ai është një nga përfaqësuesit më të denjë të trupës së Korçës, pjesëmarrës në shumë e shumë filma, ku ka realizuar role me dashuri dhe pasion.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›