E Diel, 1 Nëntor 2026

Plazhet e Lezhës pushtohen nga plehrat

Gazeta Shqip

Para sezonit

Sipas inspektorëve, ndotja e lartë mjedisore po largon edhe turistët nga këto zona

Agjencia Rajonale e Mjedisit kërkon marrjen e masave për largimin e mbeturinave nga vija bregdetare

plazhi i lezhesNë prag të hapjes së sezonit turistik, plazhet e Shëngjinit dhe të Tales në Lezhë vazhdojnë të mbeten të mbushura me plehra. Kjo vihet re nga çdo person që kalon në këto plazhe, por së fundmi ka pasur edhe një inspektim, ku është konstatuar se dy zonat janë kthyer si pika mbetjesh urbane.

Sipas të dhënave nga inspektimet e kryera prej Agjencisë Rajonale të Mjedisit, është vënë re se ndotja e lartë mjedisore po largon edhe turistët nga këto zona. Agjencia rajonale e mjedisit në Lezhë i ka kërkuar Komunës Shëngjin dhe asaj të Shënkollit të marrin menjëherë masa për largimin e këtyre mbetjeve nga vija bregdetare. Në të kundërt, sipas burimeve pranë ARM-së, ata rrezikojnë të përballen me gjoba. Drejtori i ARM-së në Lezhë ka deklaruar se do të bëjë të mundur ngritjen e grupeve të punës që do të bashkëpunojnë me njësitë vendore për të pastruar vijën bregdetare. Sipas planifikimit, për këtë vit parashikohet të ketë edhe një monitorim të vazhdueshëm për parandalimin e hedhjes së mbeturinave në këto zona.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që plazhet në zonën e Lezhës përballen me situata të tilla, por siç duket çdo vit bëhen fushata sensibilizimi, por pa arritur diçka konkrete. Edhe sivjet, plehrat janë përhapur kudo dhe disa duken prej kohësh të patrazuara në këto plazhe, pa lënë mënjanë edhe zonat e Kunes dhe Vainit. Plastika, shishe, shapka, mbeturina lodrash, letra, qese, gjithçka që mund të shkojë ndërmend, janë aty. Një tjetër problem që pritet të hasin pushuesit në këto plazhe, ashtu si vitet e tjera, janë edhe shëtitjet e kafshëve shtëpiake përgjatë vijës bregdetare, që kullosin në pirgjet e plehrave.

Ndërkaq, komunat përkatëse shprehen se po marrin të gjitha masat për përmirësimin e kësaj situate që, sipas tyre, nga viti në vit ka ardhur duke u përmirësuar. Gjithashtu, nga specialistët e komunave mësohet se shumë mbetje vijnë edhe nga derdhjet e lumenjve Drin dhe Mat në det, duke shtuar dozën e ndotjes. Por ata shprehen se me hapjen e sezonit turistik do të jetë gjithçka gati dhe se pritet që numri i pushuesve të rritet në krahasim me vitet e tjera.

Plazhet e Lezhës pushtohen nga plehrat burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›