E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plazhet, ja çmimet nga jugu në veri

Autori i Lajmit: red.
- Nga çdo qytet i Italisë emigrantët mund të shkojnë me avionë në plazhet e Spanjës, Francës, Greqisë, Britanisë Turqisë apo Egjiptit me 80 euro, vajte-ardhje, ndërsa për të ardhur në vendin e tyre, paguajnë nga 250-300 euro.

-Të gjitha çmimet e hoteleve dhe shtëpive të banimit për pushime në plazhet e vendit nga veriu në jug

-Sa fiton shteti dhe sa pronarët e njësive akomoduese turistike

Tragetet në Durrës dhe Vlorë, avionët në Rinas si dhe autobusët në pikat kufitare tokësore me Greqinë, kanë filluar të sjellin në vend për pushimet e verës, gjatë javës së fundit mijëra emigrantë dhe studentë që vazhdojnë universitetet jashtë. Por odiseja e tyre fillon që me prenotimet e biletave nga shtetet ku nisen, ku çmimet për të ardhur në vend janë më të larta se një vit më parë, por dhe shumë më të larta se ato që prenotojnë italianët apo grekët që shkojnë me pushime në plazhet e Spanjës, Francës apo shtete të tjera shumë më larg se Shqipëria. Befasia më e madhe e tyre, është përballimi me çmimet e larta, menjëherë sa mbërrijnë në vend. Nga ana tjetër, kursi i këmbimit të euros me lekun është mjaft i ulët, duke pasur parasysh se shumica prej tyre jetojnë në shtetet fqinje, ku paguhen me euro. Vetëm duke parë internetin, një biletë nga Valencia e Spanjës në Torino, Itali, kushton vajtje-ardhje 80 euro, ndërsa po nga Torino vajtje-ardhje për në Shqipëri, bileta kushton 280 euro, megjithëse distanca është pothuaj e njëjtë. Po të hapësh faqet e internetit të agjencive ndërkombëtare turistike, shikon se ky nuk është rast i vetëm, që megjithëse sezoni turistik dihet që ka çmime më të larta, por linjat me Shqipërinë ja kalojnë disa herë çdo udhëtimi nga njëri shtet i Evropës në tjetrin. Ideja se s ka konkurrencë dhe çmimet janë të larta, që paraqesin agjencitë turistike shqiptare, bie poshtë me shifrat kokëforte të emigracionit shqiptar, që është ndër më të lartët për frymë të popullsisë në Evropë, si dhe dëshirës së tyre për të udhëtuar në këtë sezon drejt vendit të tyre. Nga Bari në Londër me avion çarter bileta kushton 100 euro, vajtje-ardhje, kurse nga Milano në Nju-Jork 400 euro, për të ardhur te linjat me avionë çarter nga Italia në plazhet e Turqisë apo Sharm El Sheik të Egjiptit, ku për një person bileta kushton vajtje-ardhje afro 100 euro.
E vetmja ofertë e këtij sezoni e leverdisshme u bë pak ditë më parë nga kompania “Belle Air”, për kosovarët që duan të vijnë në plazhet shqiptare me avionë, ku çmimi është 100 euro vajtje-ardhje, ndërsa po kjo kompani, meqenëse ka çmime më të ulëta edhe nga disa qytete italiane, biletat tashmë janë të prenotuara të gjitha për krejt sezonin veror.
Nuk është hera e parë, që emigrantët kryesisht ballafaqohen kur vijnë në Shqipëri me çmime më të larta se në vendet nga vijnë, por këtë herë ata po përballen si asnjëherë tjetër me një rritje të lartë të artikujve bazë të shërbimit dhe të konsumit të përditshëm. Mbi 90 për qind e emigrantëve, vijnë nga shtetet fqinje të BE, Greqi dhe Itali, kur pagat mesatare janë disa herë më të larta se në Shqipëri. Por, kursimet e tyre për të kaluar pushimet në vendin e tyre, firojnë menjëherë, sepse çmimet e artikujve bazë të konsumit dhe të shërbimit, janë disa herë më të larta se në këto shtete. Ky është fluksi i parë i mbërritjes së bashkatdhetarëve tanë këtë sezon veror, por që pritet të rritet në vazhdim veçanërisht në muajin gusht dhe prognoza për t u ulur çmimet është zhdukur nga horizonti. “Piratët” e “thithjes” së kursimeve modeste të fituara me djersë dhe punë të vështira të emigrantëve, duken që në pikat kufitare të vendit. Njerëz me disa çanta bakalli, që e quajnë veten kambistë, janë të parët që i trembin emigrantët me kurse këmbimi absurde, më pas vijnë taksistët që kërkojnë si të vije në Nju-Jork apo Londër dhe befasimet vazhdojnë në tregjet e vendit, kur shikojnë se çmimet ua kalojnë tregjeve të Athinës dhe Italisë. U bënë disa vite, që para ardhjes së emigrantëve, si për pushimet e dimrit, ashtu dhe ato të verës, njerëz pa skrupull bëjnë plane duke fërkuar duart, se si do të fitojnë më shumë para. Dhe, megjithëse ky fenomen, është bërë refren sa herë emigrantët kthehen në vend, strukturat shtetërore, dhe aq më tepër ato të financave, nuk marrin asnjë masë për të ndëshkuar spekulantët në rritjen e çmimeve
-Ja çmimet e hoteleve apo shtëpive të banimit për turizmin-

Këtë verë edhe çmimet akomoduese për pushim në hotele, vila, resorse apo shtëpi banimi në plazhet e vendit janë më të larta se një vit më parë. Mozaiku i çmimeve nga plazhet e veriut në jug ndryshon. Më të lira janë hotelet në plazhin e Velipojës, ku vetëm për fjetje për një natë një person duhet të paguajë afro 10 euro, ndërsa në Shëngjin 15 euro. Por ka edhe dhoma për katër persona me 20 euro nata.
Në plazhet e Durrësit dhe të Golemit ka variacione të shumta çmimesh, që nga ato më të ulëtat të shtëpive të banorëve vendas me 20 euro nata, deri te hotelet ku, sipas kushteve, variojnë nga më të lirët 15-20 euro për një person në natë deri te 50 euro në hotelet më luksozë.
Rekorde çmimesh të larta të hoteleve shënohen këtë prag vere në plazhet e Radhimës në Vlorë. Këtu çmimet për një natë në hotele variojnë nga 20-40 euro për person, ndërsa në Dhërmi dhe Himarë hotelet ofrojnë çmime nga 40-50 euro nata. Por në këto dy pika turistike pushuesit mund të gjejnë shtëpi banimi me kushe normale, ku dhoma për një natë për katër persona varion nga 30 deri në 40 euro.
Në Sarandë këtë vit çmimet nuk kanë ndryshuar nga viti i kaluar, ku hotelet ofrojnë çmime nga 25-70 euro, sipas komoditeteve për person, ndërsa banesat e sarandiotëve ofrojnë dhoma me qira, që tashmë janë pothuaj të prenotuara për sezonin 15 korrik-15 gusht me çmim 30 euro për katër persona.
Sipas një analize, një familje me 4 persona, për të kaluar këtë verë pushimet në plazhet e veriut, përfshi fjetjen dhe ushqimin si dhe argëtimet e tjera, duhet të shpenzojë mesatarisht për një ditë 30 euro, ndërsa për 15 ditë, siç pushojnë tradicionaisht shqiptarët duhen rreth 450 euro.
Ndërsa në plazhet e Durrësit dhe të Golemit, për të njëjtat ditë pushimi një familjeje i duhen rreth 600-700 euro.
Por në plazhet e Radhimës, Dhërmiut apo Himarës, çmimi rritet deri në 1000 euro, ndërsa në Sarandë çmimi arrin deri në 1500 euro.

SHTETI PËRBALLË TURIZMIT INFORMAL
Duke u kthyer nga Budva e Malit të Zi, mbas një vizite të shkurtër turistike 24-orëshe, në një nga këto ditë qershori, në pikën kufitare të Muriqanit, autoritetet doganore malazeze na kërkuan edhe vërtetimin e hotelit, ku kishim kaluar një natë. Këtë vërtetim ku është shënuar edhe çmimi, ta japin në dorë mbasi largohesh nga hoteli edhe pronarët e tyre në Malin e Zi, duke të këshilluar për ta paraqitur në pikat doganore, në kufi me Shqipërinë. Duket një element i thjeshtë, por që u sjell përfitime të mëdha autoriteve zyrtare të Malit të Zi, sepse jo vetëm verifikohet numri i të huajve që hyjnë, por edhe sa kanë shpenzuar turistët për fjetje. Dhe gjobat, në rast shmangieje të këtij detyrimi, janë të larta, për pronarët e hoteleve, moteleve apo edhe banesave që lëshohen me qira veçanërisht në stinën e verës për pushuesit e huaj. Ka disa vite që praktikohet kjo mënyrë verifikimi në Malin e Zi, për të kontrolluar fitimet e njësive akomoduese nga taksa e fjetjes, duke mbyllur një shteg të lartë informaliteti, sepse një pjesë e këtyre të ardhurave kalojnë në arkën e shtetit.
Por e kundërta ndodh në vendin tonë, ku megjithëse shteti ka vendosur një taksë për çdo person, për çdo natë fjetje në hotel, abuzimi është mjaft i lartë, sepse pronarët raportojnë sa t u ketë qejfi, sepse nuk ka një mjet lehtësisht të kontrollueshëm siç e kanë fqinjët tanë në Malin e Zi. Dhe që këtu shteti humb miliona euro çdo vit si pasojë e informalitetit. Po të futësh këtu edhe evazionin e lartë fiskal si pasojë e mungesës së kasave regjistruese, për shpenzimet që kryejnë turistët për ushqim apo aktivitete të tjera, humbjet në shtet nga ky "turizëm informal" janë akoma edhe më të larta. Stina e verës tashmë ka mbërritur, ku pritet, sipas autoriteve zyrtare, ardhja e afro 1.5 milion turistëve dhe mosvendosja e këtyre mekanizmave të thjeshtë për të mbledhur të ardhurat sipas ligjeve që ekzistojnë, por që nuk zbatohen, mund t i shkaktojë shtetit miliona euro humbje, që në vend që të derdhen në arkën e shtetit, shkojnë në xhepat e bizneseve private.

-Të ardhura minimale nga taksa e akomodimit–
Dihet tashmë se hotelet në zonat bregdetare paguajnë taksa simbolike nga të ardhurat që sigurojnë gjatë sezonit veror, ku për taksën e fjetjes në hotel ato janë akoma më minimale, megjithëse ka një ligj për këtë qëllim. Por nga ana tjetër shumica e të huajve që vijnë në vend, kryesisht kosovarët, kalojnë pushimet në plazhet e vendit, veçanërisht në ato të Durrësit në shtëpitë private, pronarët e të cilave nuk paguajnë pothuaj asnjë lek në organet e pushtetit lokal nga taksa e dhënies me qira. Ky fenomen ndodh edhe në plazhet e tjera të vendit, veçanërisht në ato të Jugut, nga Vlora në Sarandë, ku banorët e këtyre zonave, hapin shtëpitë gjatë verës për të pritur jo vetëm turistët e huaj, por edhe ata vendas, përsëri pa paguar asnjë qindarkë në arkat e shtetit. Deri tani vërehen vetëm disa përpjekje minimale nga organet vendore të taksave, që shkojnë shtëpi më shtëpi, duke trokitur dhe u lutur, që të paguajnë diçka nga fitimet e dhënies me qira të ambienteve të tyre. Por mosmbledhja e kësaj takse simbolike të detyrueshme u sjell organeve shtetërore vendore çdo vit miliona euro humbje.
Nga ana tjetër, të ardhurat nga frenimi i turizmit informal, që nuk është detyrë e Ministrisë së Turizmit, por e organeve lokale të pushtetit, do të shërbenin për pastrimin e plazheve, rregullimin e rrugëve dhe zgjerimin e ambienteve çlodhëse. Moszbatimi i ligjit kundër informalitetit në turizëm, që deri më sot duket se është lënë në harresë, për hir të rimëkëmbjes së këtij sektori, duket se i ka kaluar koha. Një nga burimet gjeneruese më të mëdha të të ardhurave nga turistët në shtetet e rajonit, në Greqi, Kroaci, por dhe ato më afër nesh si në Malin e Zi apo Maqedoni, janë pikërisht forcimi i sektorit të mbledhjes së taksave. Sot, mbas 18 vitesh, është e pakuptimtë të lësh pa u marrë 100 për qind taksat e vendosura me ligj, siç është dhe ajo e akomodimit, mijëra pronarëve të hoteleve, bareve dhe restoranteve nga veriu në jug të vendit, që i kanë nxjerrë disa herë fitimet e tyre, po të mendosh se kanë punuar krejt këtë periudhë në një informalitet të lartë. Tashmë është e qartë se pa këtë informalitet, nuk do të kishte sot biznese të fuqishme, nuk do të kishte një “bum" të vërtetë ndërtimi, hotele luksoze, fshatra turistike, nuk do të kishte rritje të depozitave në banka prej mbi afro 400 miliardë lekë, nuk do të kishte hapje të qindra shkollave dhe universiteteve private që frekuentohen me pagesa të larta nga mijëra nxënës, apo klinika dhe spitale private. Por tani mbas 18 vitesh koha ka ndryshuar dhe hapja e portave të BE-së, nuk lejon më këtë shkallë informaliteti të lartë.
Dhe një nga elementet kryesore që pengon formalizimin e tyre, krahas mungesës së kasave regjistruese, është edhe mungesa e një “database” të saktë, për çdo subjekt turistik, që nga fillimi i aktivitetit, se me sa para e ka filluar biznesin dhe sa e ka gjendjen aktuale në mënyrë që të paguajë taksat mbi fitimin aq sa i takon, pa u lënë shteg abuzimeve.
Ky lajm është publikuar: 30/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›