E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nimic në Shkup për emrin

Autori i Lajmit: red.
Ndërmjetësuesi i posaçëm i KB-së për emrin Metju Nimic dje pasdite u takua me kryeministrin Nikolla Gruevski dhe më pas edhe me presidentin Branko Cërvenkovski.
Ndërmjetësuesi i OKB-së, tha se do t i prezantojë idetë për zgjidhjen për emrin, për të cilat kishte biseduar një ditë më pare edhe me shefen e diplomacisë greke, Dora Bakojani. Nimici pas takimit me Bakojanin nuk kishte zbuluar hollësira.
Por gazeta greke "Elefteros tipos", duke u përqëndruar në vizitën e Nimicit në Athinë dhe në Shkup, dje publikoi se ndër propozimet për emrin ishin "Maqedonia Veriore", "Maqedonia e Epërme", "Maqedonia e Re", si dhe një emër me përcaktimin politik "Popullore" ose "Kushtetuese" para Republikës së Maqedonisë. Sipas gazetës, ekzistojnë gjasa të mëdha që emri "Maqedonia Veriore" të jetë zgjidhje e pranueshme për të dyja palët në kontestin.
"Elefteros tipos" njofton se në propozimin e Nimicit, emri i ri do të duhet të shfrytëzohet nga të gjithë, por se në të njëjtën kohë është lënë e hapur çështja për përdorimin e emrit të shtetit në pasaporta.
"E tërë kjo tregon se Nimici nuk parashikon ndalimin për përdorimin e emrit kushtetues të ish-republikës jugosllave në vetë shtetin", shkruan gazeta.
Edhe pse pas takimit të djeshëm me ministren greke të Punëve të Jashtme, Dora Bakojani në Athinë, ndërmjetësuesi i KB-së tentoi të lërë përshtypje se nuk ka parashtruar propozime, por vetëm "ide", megjithatë, vërehet se është shqyrtuar plan për zgjidhjen e kontestit duke filluar nga emri, e deri në garancitë për respektimin të së kontraktuarës, vlerëson "Elefteros tipos".
Presidenti Cërvenkovski dhe kryeministri Gruevski të hënën kanë mbajtur një takim koordinativ para vizitës së Nimicit. Me këtë rast u riafirmua pozita e njohur e Maqedonisë për pjesëmarrje të mëtejshme aktive në këtë proces, ku prioritet është të ruhet identiteti dhe dinjiteti i kombit.
Ky lajm është publikuar: 28/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›