Leskovik; Zjarri djeg sipërfaqen pyjore, dyshohet ta kenë vënë klandestinët
Një vatër zjarri që vazhdon prej dy ditësh ka dëmtuar një sipërfaqe pyjore të konsiderueshme në kufirin shqiptaro-grek në zonën e Leskovikut, ndërsa dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një grup emigrantësh klandestinë. Burime zyrtare të policisë rajonale të Korçës bënë të ditur se zjarri ka rënë midis piramidave 17 dhe 18, në vendin e quajtur Mali i Xinxifes, në pyllin e Gërmenjit. Një avion i ardhur nga Greqia ka fluturuar disa herë për shuarjen e kësaj vatre zjarri, por pa mundur. Burimet e policisë thanë se gjatë ditës së djeshme ka rënë intensiteti i flakëve, por ato ende nuk janë vënë nën kontroll të plotë. Nuk ka ende të dhëna për sipërfaqen e prekur nga zjarri në pyllin e Gërmenjit, por nga informacionet e deritanishme bëhet fjalë për një sipërfaqe të konsiderueshme. Sipas policisë, lidhur me këtë rast janë marrë në pyetje disa persona, të cilët kanë deklaruar se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një grup emigrantësh klandestinë që kanë tentuar kalimin ilegal të kufirit në këtë zonë.