Masakra e bar “Palmës”, 25 vjet burg për Blendi Shehun
Akuzohet për vrasjen e dyfishtë të Edgar Libohovës e Angjelin Haxhit dhe plagosjen e Kosta Haxhi e Xhevahir Ndoi, në vitin 1999, në “Rrugën e Durrësit”
I shpëton burgimit përjetë, dënohet vetëm me 25 vjet burg. Ky ka qenë verdikti përfundimtar i togave të zeza të Gjykatës së Tiranës për ekzekutorin e dy personave, të cilët mbetën të vdekur, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur. Akuza që rëndon mbi të pandehurin Shehu, “vrasje me paramendim” dy herë, në bashkëpunim dhe “vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”, dy herë. Një seancë më parë, prokurori i çështjes i kërkoi trupit gjykues dënimin me “burgim të përjetshëm” për Blendi Shehun. Në përfundim të kësaj maratone gjyqësore, të paktën një prej vrasjeve të “luftës” së hapur mes djemve të “Rrugës së Kavajës” ka identifikuar dy autorët, ndonëse pas 7 vitesh, duke marrë një masë konkrete dënimi. Sipas akuzës, autorët ishin dy, Blendi Shehu e Adrian Brahimaj, i pari në burg për veprën penale të “përdhunimit të të miturave” që prej vitit 2000, ndërsa i dyti ka mbetur i vrarë në kryeqytetin helen për hakmarrje. Autorët e dyshuar të ngjarjes u zbuluan dy vjet më parë, ndërsa gjykimi ka të paktën dy vjet që zgjat, derisa dje u arrit në deklarimin fajtor të të pandehurit Shehu dhe dënimin e tij me “burgim të përjetshëm”. Madje, përveç provave të serviruara nga akuza, togat e zeza u kërkuan autoriteteve greke me anë të një letër-porosie të dhëna të tjera shtesë, lidhur me atentatorin e dytë, Adrian Brahimaj, i cili u ekzekutua për hakmarrje në Athinë.
Akuza
Shtatë vjet pas masakrës në “Rrugën e Durrësit", ku u vranë dy persona e u plagosën dy të tjerë, policia dy vjet më parë mund të hedhë dritë mbi autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje. Një nga autorët e ngjarjes së rëndë, Adrian Brahimaj, sipas akuzës, tashmë nuk jeton, ndërsa tjetri, Blendi Shehu, ndodhet në burg, i dënuar në vitin 2000 për “përdhunim të miturash”. Për zbulimin e kësaj ngjarjeje të vjetër, e cila ka ndodhur në vitin 1999, janë dashur vite të gjata investigimi nga ekspertët e Policisë Kriminale të komisariatit nr. 3. Vrasja me armë zjarri ka ndodhur në “Rrugën e Durrësit” tek bar “Palma”, ku janë vrarë Edgar Libohova, 28 vjeç, lindur e banues në Tiranë dhe Angjelin Haxhi, 16 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Breshërisë nuk i kanë shpëtuar edhe Kosta Haxhi, 36 vjeç e Xhevahir Ndoi, 26 vjeç. Sipas akuzës, përgjatë 7 viteve hetimesh intensive, u arrit në identifikimin e autorëve të masakrës, të cilët ishin Adrian Brahimaj, i njohur me pseudonimin “Kotali”, 31 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i larguar me familjen e tij në emigracion në Greqi. Aktualisht, ky shtetas rezulton të jetë vrarë në Athinë, për hakmarrje. Autori tjetër i ngjarjes është Blendi Shehu, i njohur me pseudonimin “Thomçi, 31 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar më parë. Ky shtetas në momentin e zbardhjes së ngjarjes ishte i dënuar nga Gjykata e Tiranës, me vendim nr. 180, të datës 27 mars të vitit 2000, me 9 vjet heqje lirie, për veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese” dhe “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura” dhe ndodhet në qelitë e burgut 302 në Tiranë. Pas atentatit, në vendin e ngjarjes u gjet një pistoletë tip “Zastava” me një fishek në gojë, e cila i përkiste Libohovës, si dhe 15 fishekë të tjerë në karikator. Vrasjet, po sipas akuzës, janë kryer për motive hakmarrjeje.