E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekriminalizimi i medias



Ndërsa politika është përfshirë ne debatin e pastrimit të saj nga të inkriminuarit e diktaturës komuniste, media vazhdon ta përcjellë debatin pa u kujtuar se duhet ta bëjë edhe vetë një gjë të tillë. Duke pasuar parasysh rolin e medias në zhvillimet e vendit, mendoj se përfshirja e saj në ligjin për pastërtinë e figurave është pa dyshim jetike.

Them jetike dhe urgjente pasi roli i mediave në denoncimin e krimeve të komunizmit në këto 17 vjet të pluralizmit politik ka qenë i pamjaftueshëm shpesh herë destruktiv dhe regresiv. Mendoj që mediat jo vetëm të përfshihen, por që dispozitat për të në ligj të jenë specifike edhe për shkak të natyrës së veçante të saj. Mendoj se ligji duhet të parashikojë detyrime në media në dy këndvështrime: në atë profesional dhe në atë njerëzor. Këmbëngul që ligji duhet të ndalojë çdo përpjekje të medieve për të justifikuar apo paraqitur si heroizma krimet e komunizmit dhe si heronj autorët e tyre. Shikohet një tendencë për shumë kohë e përpjekjeve për glorifikim në mos të diktatorit, të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, edhe ata përgjegjës për krimin apo gjenocidin komunist. Ka dhjetëra dosierë për vrasjen e Mehmet Shehut , Kadri Hazbiut , Koçi Xoxes apo të tjerë ish-krerë të larte të diktaturës, por askush nuk ka guxuar deri tani të shkruajë apo të flasë për krimet e tyre. Me pak fjalë, me përjashtime të vogla, media ka mbajtur ndoshta qëndrimin më të papërgjegjshëm e të pandershëm ndaj komunizmit dhe sidomos krimeve te tij.

Mendoj se lidhjet e medias me të kaluarën ish-komuniste janë arsyet kryesore të deformimit që opinioni publik shqiptar ka përjetuar në këtë periudhë postdiktatoriale. Kur theksojmë natyrën specifike të medias, mendoj se duhet të kemi parasysh natyrën delikate të saj. Nëse do të trajtojmë modalitetet e pastrimit të mundshëm të medias, do t’i ndaja në dy kategori kryesore. Ish-bashkëpunëtorët mediatikë të diktaturës dhe ish-informatorët e Sigurimit të Shtetit. Për ta kuptuar më mirë idenë duhet të theksoj se njerëzit e mediave ishin nga më të përzgjedhurit dhe më besnikët e regjimit komunist. Besoj se biem dakord në idenë se një shkrim kritik në “ZP”, “Bashkimi”, “Drita” apo të tjera media të diktaturës mund të të çonte në litar, pushkatim burgim apo internim, shumë herë më shpejt dhe më lehtë se raportimi i një bashkëpunëtori të Sigurimit të Shtetit. Sa shkrimtarë e artistë, intelektualë e njerëz të thjeshtë kanë përfunduar në burgje vetëm për shkak se janë trajtuar nga mediat si armiq, sabotatorë, mikroborgjezë, dekadentë, me shfaqje të huaja e të tjera si këto të gjitha. A janë këto gjëra pjesë e krimit komunist, a kanë këto gjëra autorë, sa prej tyre janë sot prezent në media dhe opinionin publik shqiptar?

Për ta krahasuar me reagimin e shoqërive demokratike në raste të përafërta, po sjell në vëmendje pushimin nga puna të një gazetareje të njohur gjermane nga një prej TV-ve më prestigjiozë të këtij vendi vetëm për shkakun se deklaroi publikisht mendimin se Hitleri nuk kishte bërë kaq shumë të këqija sa akuzohej. Krahasojeni këtë situatë me Shqipërinë për të kuptuar jo vetëm ndryshimin, por edhe domosdoshmërinë e pastrimit të medieve tona. Një rast specifik i debatit për krimet e komunizmit kanë qenë emërimet e reja te “Gjykatës së Lartë” të kontestuar nga mazhoranca, një pjesë e tyre të kundërshtuar për shkak të= akuzave për inkriminim. Botimi në media e dëshmive për pjesëmarrje në krime politike u pasua nga një mbrojtje e këtyre personave nga mediat e tjera. Jo vetëm kaq, por përvoja kriminale konsiderohet e i serviret opinionit publik si profesionalizëm nga muçot e gazetarisë shqiptare në mënyrën më të paturpshme, drejtpërdrejt në Shqip.

Mos kujtoni se i harruam edhe bashkëpunëtorët apo spiunët, edhe ata kanë haraçin e tyre për të paguar. Hapja e dosjeve pa u shoqëruar me masa shtrënguese do të ishte e pavlefshme. Ndalimi i kësaj kategorie për të qenë pronare mediash apo drejtues të saj do të ishte një masë e justifikuar mirë. Ndërkohë që në fokus të ligjit duhet patjetër të jenë edhe drejtuesit organizativë të gazetave dhe OJF-ve mediatike, si dhe ato të testimit të opinionit publik. Personalisht, kam pritur që organizatat e gazetarëve të ishin përfshirë në debatin për pastrimin e medias nga krimet e komunizmit, mirëpo fakti që ato kanë heshtur, më detyron të këmbëngul për përfshirjen e tyre në ligj.

Përfundimisht, mendoj se media nuk mund të lihet jashtë ligjit në fjalë. Besoj se ligjvënësit e hutuar të ligjit në fjalë do ta kuptojnë rëndësinë e dekriminalizimit të medias si pararoja e zhvillimeve të shoqërisë, përfshi edhe politikën. Ky “dekriminalizim” i domosdoshëm përbën edhe garantin e vetëm të lirisë së mediave dhe pavarësisë së politikave editoriale të saj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›