Turizëm në pikturë
Çdo gjë që po ndodh me kulturën sot, e financuar nga ministria, është e lidhur tërësisht me turizmin. Rekord kanë aktivitetet e muzikës, ndërsa janë xhelozuar artistët e teatrit dhe njerëzit e letrave. Por, edhe projektet e pikturës kanë marrë vëmendjen e turizmit. Në këtë kuadër, dje, në mbrëmje, në galerinë “Ibrahim Kodra”, është iniciuar ekspozita e piktores së re Eniela Vevecka me titull “Turizmi shqiptar”, me motiv qytetet turistike, të kuruar nga piktorja Merita Tocila. Janë të ekspozuara rreth 30 krijime në grafike dhe në vaj, në të cilat trajtohen tema e turizmit. Eniela Vevecka megjithëse është një piktore e re, është pjesëmarrëse në disa ekspozita të rëndësishme dhe e vlerësuar shpesh për krijimet e saj në ekspozita të organizuara me tematike të përcaktuar, si p.sh.: me çmimin e tretë në Konkursin Kombëtar të Filatelisë. "Krijimet e saj, - na thotë kuratorja Merita Tocila, - janë impresionuese. Realitetin në të cilin jeton, ajo di ta përcjellë në një mënyrë krejt personale, ngjyrat dhe penelatat përcjellin emocionet e saj dhe arti për të është një mënyrë për të shprehur vetveten. Është vizioni i saj për gjërat, të cilit i jep formën që përcjell kërkimet dhe refleksionet e saj. Kjo duket në tematikën që ajo përzgjedh - Turizmi Shqiptar”. Qytetet si Tirana, Berati, Kruja etj., apo trashëgimia jonë kulturore, vendet antike si Apolonia, Ura e Tabakëve etj., vijnë të realizuara me shumë sinqeritet, por edhe me një pjekuri artistike".