E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritol makinës së policit në derë të Komisariatit

Makina ku u vendos eksplozivi

Tiranë, ngjarja para Rajonit Nr.2, dyshohet për shkak të detyrës.

Oficerit të patrullës i gjenden letra mjetesh të bllokuara.

Makina private e një punonjësi policie të Komisariatit Nr.2 në Tiranë është hedhur në erë nga një sasi e konsiderueshme tritoli. Lënda plasëse dyshohet se ishte vendosur poshtë mjetit që ishte parkuar vetëm një metër jashtë murit rrethues të Komisariatit Nr.2. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:45 të mëngjesit të djeshëm, kur makina e policit të Patrullës së Përgjithshme, Edvin Zhupa, 36 vjeç, ishte e parkuar para rajonit ku ai është i punësuar prej vitesh. Në momentin e ngjarjes, vetë Zhupa ka qenë duke

Oficeri Edvin Zhupa

patrulluar zonën e ish-Parkut të Autobusëve, me mjetin e policisë, pasi ishte në shërbim turn i tretë. Ndërsa makinën e tij personale, tip “Fiat”, me ngjyrë të kuqe dhe targa gjermane, OF HA 502, e kishte parkuar para Komisariatit Nr.2, pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit” në kryeqytet, pikërisht në anë të trotuarit përgjatë unazës së brendshme të kryeqytetit. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe nga provave të grumbulluara nga policia, dyshohet se sasia e eksplozivit, rreth 200 gramë tritol, është hedhur poshtë makinës, në asfalt, poshtë sediljes së shoferit. Ndërsa aktivizimi është kryer me fitil zjarrpërcjellës, pasi është hedhur nga autorët, që sipas burimeve kanë qenë duke lëvizur me makinë, nga Zogu i Zi në drejtim të “21 Dhjetorit”.
Pistat e hetimit
Grupi hetimor po punon në dy drejtime kryesore në lidhje me ngjarjen. Pista e parë është ajo e një sulmi për shkak të detyrës, pasi si punonjës i Patrullës së Përgjithshme, Zhupa mund të ketë ndëshkuar me gjobë ndonjë kundravajtës. Ky fakt është provuar edhe nga disa dokumente të ndryshme automjetesh, që janë gjetur në makinën policit Edvin Zhupa. Sipas burimeve nga grupi hetimor, shpërthimi mund të ketë qenë një shenjë hakmarrjeje, në formë kërcënimi, nga ndonjë drejtues i pakënaqur mjeti, të cilit Zhupa i ka bllokuar dokumentet e makinës. Por, nga ana tjetër, nisur nga vendi ku ndodhi ngjarja, policia po heton edhe në drejtim të një sulmi të mundshëm ndaj Komisariatit Nr.2. Makina që shpërtheu në orët e para të mëngjesit ishte e parkuar në një distance prej 2.5 metrash nga muri rrethues i rajonit të Policisë, për këtë arsye hetuesit e interpretojnë edhe si një sulm ndaj Policisë. Muajt e fundit, forcat e Policisë së Komisariatit Nr.2 kanë shoqëruar, arrestuar dhe çuar para Drejtësisë persona të ndryshëm me rrezikshmëri të lartë dhe me precedentë penalë. Ndërsa problemet personale të efektivit 36-vjeçar, deri diku janë përjashtuar nga ana e grupit hetimor. Zhupa ka dhënë shpjegimet e veta rreth ngjarjes dhe ka sqaruar se nuk ka probleme me njeri. Ai jeton pre vitesh i vetëm në Tiranë, ndërsa familja e tij, bashkëshortja dhe djali, jetojnë në Gjermani.

KOMISARIATI
Përveç klasifikimit të shpërthimit si një sulm për shkak të detyrës në formë kërcënimi ndaj punonjësit të Policisë Edvin Zhupa, grupi hetimor po kryen verifikime edhe në drejtim të një piste tjetër, atë të sulmit kundër Komisariatit Nr.2. Për shkak se ky rajon policie ka në juridiksion zona mjaft problematike të Tiranës, por edhe ka marrë pjesë disa herë në shoqërimin, arrestimin dhe ka çuar para Drejtësisë anëtarë të disa grupeve kriminale që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›